Nga Bujar Leskaj
Protestat e përditshme të dhjetra mijëra qytetarëve, në shumicë dërrmuese të rinj, të zhvilluara në Tiranë gjatë periudhës 31 maj-16 qershor 2026 janë një shprehje e fuqishme e revoltës qytetare kundër korrupsionit, keqqeverisjes, arrogancës dhe mungesës së thekshme të llogaridhënies së sektit Rama në fuqi.
Protestat sollën në qendër të vëmendjes një element thelbësor të jetës demokratike: të drejtën e qytetarëve, veçanërisht të të rinjve, për të kërkuar llogari nga pushteti i kalbur i Ramës dhe për të sfiduar mënyrën pothuajse mafioze se si qeveriset vendi.
Dobia e tyre qëndron në disa shtylla kryesore, si më poshtë.
- Protesta si instrument i kontrollit demokratik
Në demokraci, zgjedhjet nuk janë i vetmi mekanizëm i llogaridhënies. Protestat paqësore përbëjnë një formë të ligjshme të pjesëmarrjes qytetare, përmes së cilës qytetarët shprehin pakënaqësitë e tyre për qeverisjen e sektit Rama 2013-2026 dhe kërkojnë ndryshim.
Fakti që dhjetra mijëra të rinj zgjodhën të protestojnë për më shumë se dy javë rresht tregon se ekziston një segment i gjerë i shoqërisë që kërkon të dëgjohet dhe që nuk ndihet fare i përfaqësuar nga sekti në qeverisje.
Të rinjtë protestuan autokracinë e instaluar nga Rama, përmes personalizimit të vendimeve më të rëndësishme politike dhe ekonomike, dobësimin në zerim të rolit të institucioneve të pavarura dhe shndërrimit të Kuvendit në noter të rëndomtë të tekave të kryeministrit.
Një tjetër problematikë që protestuesit sollën në adresimet e tyre me megafon ishte fakti që vendime me ndikim të madh publik për investime strategjike merren pa konsultim me komunitetet, me ekspertët dhe me grupet e interesit. Kjo vlen jo vetëm për projektet në Zvërnec dhe Sazan, por edhe për dhjetra nisma të tjera të 14 viteve të autokracisë Rama.
Protestat nxorën në pah fort krizën e besimit që shoqëria jonë ka ka ndaj institucioneve të akaparuara dhe dubluara nga sekti Rama. Qytetarët kërkuan që transparenca të mos jetë vetëm detyrim ligjor, por praktikë e përditshme e qeverisjes.
Ata denoncuan gjuhën përçarëse dhe denigruese e fyese, të përdorur nga Rama dhe klonët e tij të sektit në debatin publik, duke krijuar një klimë polarizimi të lartë politik. Protestat e të rinjve rikthyen nevojën për një kulturë më gjithëpërfshirëse dialogu.
- Protestat nxorën problematikat mjedisore dhe modelin e zhvillimit në qendër të vëmendjes së vendit dhe në vëmendjen ndërkombëtare
Një nga kontributet më të rëndësishme të protestave ishte vendosja në qendër të debatit e kryepyetjes së çfarë modeli zhvillimi dëshiron Shqipëria dhe shqiptarët. Ky zhvillim nuk duhet të jetë i deformuar dhe peng i katër ligjeve të qepura me dorë të autokratit Rama, ligjit për Investitorin Strategjik, për Paketën e Maleve, ndryshimet ligjore në ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, ligje që protestuesit kërkuan me këmbëngulje të abrogoheshin. Protestuesit kërkuan që të ketë kufij të qartë për ndërhyrjet në zona të ndjeshme ekologjike dhe të balancohen interesat ekonomike me mbrojtjen e natyrës.
Për më shumë se dy javë, Shqipëria dhe problemet e saj me autokracinë e instaluar u vunë në shënjestër të opinionit ndërkombëtar. Fakti që mediat ndërkombëtare raportuan gjerësisht për zhvillimet në Shqipëri e vendosi vendin në qendër të vëmendjes së publikut dhe institucioneve ndërkombëtare.
Mbulimi mediatik i huaj tregoi e paraqiti Shqipërinë si pjesë aktive të debatit ndërkombëtar mbi zhvillimin ekonomik, mbrojtjen e mjedisit, investimet strategjike, pjesëmarrjen qytetare dhe të drejtat demokratike.
- Brezi i ri si aktor politik dhe qytetar
Një tjetër aspekt dobiprurës i protestave pozitiv lidhet me aktivizimin e të rinjve. Shpesh të rinjtë tanë janë akuzuar për indiferencë ndaj çështjeve publike dhe vëmendje vetëm për t’u larguar nga vendi. Këtë frymë paralizuese për brezin e ri u përpoq Rama dhe sekti i tij të vendoste për 14 vite rrjesht. Nuk ia doli!
Këto protesta dëshmuan se të rinjtë tanë janë të gatshëm të organizohen, të kërkojnë informacion, të duan të ndikojnë në vendimmarrjen publike dhe të ndihen përgjegjës për të ardhmen e vendit. Kjo është një shenjë e shëndetit demokratik të shoqërisë dhe e shëmbjes së afërme dhe të sigurtë të sektit Rama.
Protestat qytetare të të rinjve të periudhës 31 maj–16 qershor 2026 patën meritën jo vetëm të tundin nga themelet pushtetin e kalbur të sektit Rama, por edhe të nxjerrin në sipërfaqe problematikat e mprehta të cilësisë skandaloze të qeverisjes në Shqipëri gjatë viteve 2013–2026.
Ato sollën në vëmendje rëndësinë e llogaridhënies, transparencës, konsultimit publik, mbrojtjes së mjedisit dhe respektimit të zërave kritikë. Demokracia në vend vetëm forcohet nga qytetarët që kundërshtojnë dhe kërkojnë llogari. Protestat, kur mbeten paqësore dhe të orientuara drejt interesit publik, janë pjesë e forcës së madhe korrigjuese, që ndihmon një shoqëri të shohë më qartë kalbësinë e një sekti qeverisës që ka mbi krye dhe të kërkojë rrugë për ta flakur tutje atë.
xxx
Protestat qytetare dhe rinore që ende vazhdojnë çdo ditë, si dhe pasqyrimi i tyre në mediat ndërkombëtare, sollën një sërë efektesh pozitive për jetën demokratike në Shqipëri dhe shpresën e madhe për silurimin shumë shpejt, një herë e përgjithmonë nga pushteti, të autokratit Rama.
Ato nxitën debatin publik, rritën vëmendjen ndaj transparencës së vendimmarrjes qeveritare, aktivizuan pa kthim brezin e ri dhe vendosën Shqipërinë në qendër të diskutimeve mbi zhvillimin, mjedisin dhe pjesëmarrjen qytetare, për shëmbjen e antikulturës së autokracisë, abuzimit më pushtetin dhe të korrupsionit galopant.







