Amerikanët vazhdojnë të trajnojnë ekspertë për poligrafin, që përdoret në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore. Pasi trajnuan ekspertët e parë, të cilët përmes poligrafit testuan kandidatët e Byrosë Kombëtare të Hetimit në dy gara të mëparshme, këtij ekipi i janë bashkuar edhe specialistë të tjerë.
Përmes mbështetjes së ICITAP të Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara dhe INL të Departamentit të Shtetit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) sapo diplomoi dy ekspertë të rinj të certifikuar të poligrafit, duke përfunduar një kurs intensiv 10-javor të trajnimit bazë dhe metodologjisë së poligrafit në Akademinë Ndërkombëtare të Poligrafit në Fort Lauderdale, FL.
Ekzaminuesit përfunduan mbi 400 orë trajnim në testime shkencore, vlerësim të besueshmërisë, metodologji të intervistave dhe etikë, dhe mund të kryejnë ekzaminime si në anglisht, ashtu edhe në shqip.
Aftësitë e tyre të reja do të mbështesin shqyrtimin dhe verifikimin e integritetit për oficerët e ardhshëm të zbatimit të ligjit, duke e bërë Shqipërinë një partner më të besueshëm në luftën kundër krimit ndërkombëtar.







