HomeOP EDZerimi gradual i Portit të Durrësit: krim ekonomik për Shqipërinë! Nga Bujar...

Zerimi gradual i Portit të Durrësit: krim ekonomik për Shqipërinë! Nga Bujar Leskaj

Advertismentspot_img

Nga Bujar Leskaj

Për 6 vite rrjesht, projekti “Durrës Sea Yachts & Marine” është shitur nga sekti Rama si një nga projektet më të mëdha të transformimit urban dhe turistik në Shqipëri, ndërkohë që investuesi i tij, miliarderi arab Mohamed Alabbar u shpreh më 2 gusht 2026 në Podgoricë se ishte penduar për këtë projekt, pasi, sipas tij ishte nxituar dhe ishte një gabim.

Pohimi i Alabbar që eshtë nxituar është tronditës për shqiptarët dhe demaskues për Ramën dhe sektin e tij. Përtej fasadës së një projekti spektakolar imobiliar dhe turistik, mbetet një pyetje shumë themelore: çfarë po sakrifikon Shqipëria për realizimin e tij?

Çfarë ka ndodhur është shumë e rëndë. Sekti Rama në pushtet ka zgjedhur për t’i hapur rrugë këtij projekti, duke zhvendosur dhe tkurrur funksionin portual të Durrësit, duke prekur, keqtrajtuar dhe rrezikuar të zerojë një nga nyjet më të rëndësishme të infrastrukturës ekonomike dhe të sigurisë së vendit.

Porti i Durrësit nuk është thjesht një hapësirë bregdetare me potencial për t’u shndërruar në pasuri të paluajtshme. Ai është një port me histori rreth 2700-vjeçare, një nyje e transportit detar, një pikë lidhëse e Shqipërisë me tregjet rajonale dhe ndërkombëtare. Është një aset strategjik që nuk mund të vlerësohet vetëm me çmimin e apartamenteve, hoteleve apo jahteve që mund të ndërtohen mbi territorin e tij.

  1. Rreziku i “zerimit” gradual të Portit të Durrësit

Zhvendosja e aktivitetit portual drejt Porto Romanos është justifikuar me nevojën për t’i dhënë Durrësit një profil më të madh turistik dhe për të krijuar një port të ri tregtar e industrial në një zonë tjetër. Por një port tregtar nuk është thjesht një ndërtesë që mund të zhvendoset nga një vend në tjetrin!

Ai kërkon kushte të përshtatshme natyrore, thellësi të mjaftueshme ujore, infrastrukturë tokësore, lidhje hekurudhore dhe rrugore, kapacitete logjistike, mbrojtje nga dallgët, kanale hyrëse, hapësira magazinimi dhe, mbi të gjitha, një funksionalitet të provuar ekonomik.

Këtu lind një nga pikëpyetjet më të mëdha për Porto Romanon e zgjedhur nga sekti Rama. Kushtet detare dhe cekëtësia e zonës kërkojnë ndërhyrje të konsiderueshme inxhinierike, përfshirë procese të vazhdueshme dhe potencialisht të kushtueshme të thellimit të kanaleve dhe baseneve portuale. Prandaj dhe asnjë nga të 15 kompanitë e mëdha ndërtuese portesh në botë, që shfaqën interes në fillim, nuk i është afruar projektit për Porto Romanon.

Nëse për të krijuar një port të ri duhet të shpenzohen në mënyrë të vazhdueshme fonde të mëdha për thellime, mirëmbajtje dhe infrastrukturë mbështetëse, atëherë pyetja ekonomike bëhet e pashmangshme: a po ndërtojmë një port më efikas apo po zëvendësojmë një infrastrukturë natyrore dhe historikisht të konsoliduar me një zgjidhje shumë më të kushtueshme?

Një nga rreziqet (krimet) e mega-aferës “Durrës Sea Yachts & Marina” është pikërisht ajo që mund të quhet me plot të drejtë “zerimi gradual” i Portit të Durrësit.

Nëse aktiviteti tregtar zhvendoset në Porto Romano, ndërsa në territorin ekzistues zhvillohet një kompleks turistik dhe rezidencial, me një marinë, atëherë Shqipëria nuk do të ketë më një port tregtar funksional në zemër të Durrësit.

Në këtë mënyrë, një aset publik dhe strategjik shndërrohet gradualisht në një aset të rëndomtë me karakter privat, turistik dhe imobiliar. Këtu duhet bërë dallimi ndërmjet vlerës së tokës dhe vlerës strategjike të infrastrukturës portuale.

Një parcelë toke mund të ketë një vlerë të lartë në tregun imobiliar. Kurse një port ka një vlerë shumë më të madhe, me herë, se sa sipërfaqja e tokës mbi të cilën është ndërtuar. Vlera e tij lidhet me pozicionin gjeografik, aksesin në det, lidhjet me rrjetet e transportit, historinë e aktivitetit tregtar dhe kapacitetin për të shërbyer ekonominë kombëtare në periudha normale dhe në situata emergjente. Të gjitha këto vlera Porti historik i Durrësit i ka dëshmuar për shekuj me rradhë.

Ky projekt shkatërrues do të konsiderohet në të ardhmen si tradhtia më e rëndë e Ramës në qeverisje në këto vite tranzicioni mbas viteve 90-të, si dhe akti korruptiv më i lartë në vlera financiare dhe në keqpërdorim të pronës publike, aset i jashtëzakonshëm strategjik, port kombëtar.

II. Porto Romano: zgjidhje strategjike, apo kosto e re e rëndë për taksapaguesit shqiptarë?

Një port strategjik nuk zëvendësohet thjesht duke ndërtuar një port tjetër! Argumenti se Porti i Durrësit duhet zhvendosur, për t’i hapur rrugë zhvillimit turistik, mund të qëndronte, vetëm nëse porti i ri do të garantonte të paktën të njëjtin nivel efiçience, sigurie dhe konkurrueshmërie. Dhe Porto Romano këtë nuk e garanton dot!

Porto Romano është një zonë me karakteristika të ndryshme detare nga baseni aktual portual i Durrësit. Cektësia detare nënkupton nevojën për punime të rëndësishme inxhinierike, për të krijuar thellësitë e nevojshme për anijet e mëdha tregtare.

Dhe pikëpyetjet mblidhen pirg: Sa do të kushtojë realisht ndërtimi dhe mirëmbajtja e thellësive të nevojshme? Sa do të kushtojë gërmimi periodik i basenit dhe kanalit të hyrjes? Çfarë ndikimi do të ketë në tarifat portuale? A do të jetë porti konkurrues me portet e rajonit? A do të ketë akses të plotë hekurudhor dhe rrugor në kohën e duhur? Kush do të mbajë kostot e tejkalimeve të mundshme të investimit? Çfarë ndodh në rast se trafiku i parashikuar nuk realizohet? A është bërë një analizë e plotë kosto-përfitim për alternativën Porto Romano?

Këto nuk janë pyetje teknike dytësore. Janë pyetje që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë ekonomike dhe strategjike të Shqipërisë për dekadat e ardhshme.

III. Durrësi nuk është vetëm turizëm!

Mënyra se si po financohet projekti “Durrës Sea Yachts & Marina”, duke shitur apartamente në erë për “djemtë” nga Dubai apo Londra, ngre dyshime të arsyeshme për burime okulte dhe madje edhe mafioze financimi.

Shqipëria vërtet ka nevojë për zhvillim turistik. Ka nevojë për marina, hotele, rezidenca, porte jahtesh dhe investime të huaja. Por nuk mund të ndërtohet një strategji kombëtare zhvillimi, ku çdo hapësirë me potencial ekonomik shihet vetëm përmes lenteve të turizmit dhe pasurive të paluajtshme dhe një hapësirë jetike portuale për vendin, si Durrësi, bëhet peng e një projekti me burime të dyshimta financimi.

Durrësi ka një funksion tjetër themelor: është porta kryesore detare e ekonomisë shqiptare. Përmes tij kalojnë mallra, inpute, produkte, pajisje dhe flukse tregtare që lidhen me aktivitetin ekonomik të vendit. Për këtë arsye, dobësimi deri në zerim i rolit të tij portual nuk është thjesht një çështje urbanistike. Është çështje e sigurisë së furnizimit, konkurrueshmërisë së ekonomisë sonë, kostove të transportit dhe aftësisë së Shqipërisë për t’u integruar në korridoret rajonale dhe evropiane të transportit.

Nëse Shqipëria e humbet një nyje portuale të konsoliduar dhe pas disa vitesh rezulton se infrastruktura alternative nuk është aq efikase sa ishte parashikuar, kostoja nuk do të paguhet nga investitori privat. Do të paguhet nga qytetarët shqiptarë!

IV. A po sakrifikohet një aset strategjik për një projekt imobiliar?

Nëse Porti i Durrësit largohet dhe në territorin e tij ndërtohet një kompleks me marinë, hotele dhe apartamente, atëherë Shqipëria do të ketë fituar një destinacion turistik, por do të ketë humbur pjesën kryesore të kapacitetit të saj portual.

Dhe këto dy gjëra nuk kanë të njëjtën vlerë strategjike. Një resort mund të ndërtohet në një zonë tjetër. Një hotel mund të ndërtohet në një tjetër parcelë. Një kompleks rezidencial mund të zhvillohet në shumë pika të bregdetit.

Por një port i madh tregtar 2700 vjeçar nuk mund të zhvendoset pa kosto dhe pa pasoja! Ky është një vendim me pasoja për breza.

xxx

Durrësi është port, përpara se të jetë një pasuri e paluajtshme. Nëse Shqipëria vendos të ndryshojë funksionin e tij, duhet të ketë një arsye kombëtare bindëse. Për fat të keq, në vend të saj, ne kemi sektin Rama në pushtet, të korruptuar deri në grykë dhe aventurier, që po ç’bën me rradhë asetet strategjike të vendit.

Edhe procedurat koncesionare të portit të Vlorës po realizohen përmes kontratave dhe marrëveshjeve okulte, duke dëmtuar rëndë interesat e ekonomisë kombëtare dhe mundësitë e zhvillimit në të ardhmen të këtyre dy portave kryesore detare të vendit.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular