Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e 58-vjeçares Lumturi Patushi në zonën e Zogut të Zi në Tiranë, e cila dyshohet se u vra me thikë nga bashkëshorti i saj, Hysni Patushi.
“Gjyshja ka vdekur”. Kjo ishte telefonata që 14-vjeçari bëri në sallën operative të Policisë së Tiranës, duke njoftuar për ngjarjen. Në banesë, ai dhe vëllai i tij 8-vjeçar kishin parë gjyshin e tyre duke goditur me thikë gjyshen, pas një debati mes çiftit.
Sipas dëshmisë së 14-vjeçarit, 68-vjeçari Hysni Patushi e goditi gruan dhe më pas u largua nga banesa. Rreth 200 metra larg pallatit, ai dyshohet se hodhi thikën me të cilën kreu krimin, ndërsa më pas u largua drejt Kamzës.
Patushi u strehua te një kushëri, i cili njoftoi policinë për vendndodhjen e tij. Forcat e policisë shkuan në banesë dhe e arrestuan.
Gjatë marrjes në pyetje, 68-vjeçari ka deklaruar se e goditi bashkëshorten pasi ajo qëndronte te vajza e tyre dhe kujdesej për nipërit, ndërsa ai jetonte vetëm.
Sipas burimeve policore, Patushi ishte arrestuar edhe më herët, në vitin 2018, për dhunë në familje ndaj bashkëshortes.
Ndaj tij rëndon akuza e “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”. Hysni Patushi pritet të dalë të hënën para Gjykatës së Tiranës, ku do të njihet me masën e sigurimit.







