Gazetari Blendi Fevziu ka deklaruar se Autoriteti i Mediave Audiovizive ka gjobitur televizionin Klan, për përmbajtjen e emisionit “Opinion”, të transmetuar më 22 tetor, ku i ftuar ishte midis të tjerëve dhe gazetari Armand Shkullaku.
Sipas Fevziut, shkak për penalizimin është bërë kritika e Shkullakut ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë emisionit.
Fevziu tha se ky vendim është i pajustifikuar dhe një ndërhyrje në lirinë e shprehjes dhe në të drejtën e të ftuarve për të shprehur mendimet e tyre.
“Shkullaku ka sharë Ramën, që ka 15 vjet që e bën, ndoshta 25 vjet që e bën, dhe për këtë do të paguhet një gjobë. Ti nuk e di çfarë thotë i ftuari në studio, nuk mund t’i diktosh të ftuarit çfarë do të thotë, sepse është e drejta e tij absolute të thotë”, tha Fevziu.
“Mua më thonë pse nuk ke qortuar Shkullakun. Unë duhet të qortoj Shkullakun që Shkullaku qorton Ramën dhe kritikët e qortimeve të tij t’i kemi marrë gjobë. Kjo është idiotësi”, tha ai.
Fevziu e cilësoi vendimin si një shembull të burokracisë dhe të përpjekjeve për t’u bërë qejfin personave në pushtet.
“Kjo është një lloj legenllëku i zakonshëm i atyre njerëzve burokratë që fshihen poshtë tavolinave dhe mundohen t’i bëjnë qejfin njëri-tjetrit. Zoti mos jetë kujtuar Rama pas 30 vjetësh që Shkullaku e shan dhe ka vendosur gjobën, të ketë kërkuar gjobën ai, po këtë s’e besoj”, deklaroi Fevziu.







