Edhe këtë të mërkurë, Kryeministri Edi Rama ka vendosur sërish tryezën prej guri përpara godinës së Kryeministrisë, duke përsëritur ftesën e tij për dialog ndaj protestuesve.
Tryeza është vendosur para godinës si një simbol i gatishmërisë për bisedime, ndërsa protestat vijojnë edhe sot. Rama ka theksuar edhe më herët se dera për dialog mbetet e hapur për çdo grup që kërkon të paraqesë kërkesat dhe shqetësimet e tij përmes diskutimit.
Prej 31 majit, qytetarë u ngritën në protestë për të kundërshtuar projektet që pritet të zhvillohen në Zvërnec dhe ishullin e Sazanit. Kjo lëvizje u pagëzua me emrin “Revolucioni Flamingo” dhe karakterizohej nga tubime paqësore. Tensionet e para u regjistruan në ditët kur kjo protestë u zhvendos nga Kryeministria, tek godina e Parlamentit, kur zhvilloheshin seancat plenare. Aty ka patur përplasje me policinë, pasi protestuesit gjuanin deputetët me vezë. Përshkallëzimi më i ashpër erdhi më 13 tetor, kur studentët nisën një revoltë të dhunshme. Ata sulmuan biznese private dhe institucione shtetërore, teksa u përplasën fizikisht edhe me policinë. Nga episodet e dhunës u dëmtuan efektivë por edhe shumë protestues.







