Kim Kardashian mbetet e vendosur për t’u bërë avokate, pavarësisht se nuk arriti të kalonte provimin për marrjen e licencës së ushtrimit të profesionit. Ylli televiziv ka treguar se po mendon për një tjetër përpjekje, por nuk dëshiron të nxitohet, pasi angazhimet profesionale dhe familjare nuk i lënë aktualisht kohën e nevojshme për t’u përgatitur.
Kardashian e bëri publike dëshirën për t’u bërë avokate në vitin 2019, pasi ishte angazhuar në reformimin e sistemit të drejtësisë penale, duke ndihmuar disa të burgosur të përfitonin ulje ose ndryshim të dënimeve.
Vitin e kaluar, ajo përfundoi një program katërvjeçar të studimeve juridike përmes praktikës në një studio avokatie, ndërsa në korrik iu nënshtrua provimit për licencën e avokatisë në Kaliforni. Në nëntor pranoi se nuk kishte arritur ta kalonte. Megjithatë, dështimi nuk ia ka zbehur motivimin.
“Isha shumë pranë kalimit të provimit dhe kjo më dha edhe më shumë motivim. Vazhdojmë!”, shkroi ajo në Instagram.
Në një intervistë për revistën PEOPLE, gjatë premierës së sezonit të dytë të serialit “All’s Fair” në Nju Jork, Kim konfirmoi se vazhdon të mendojë për provimin.
“Mendoj vazhdimisht për provimin e avokatisë”, u shpreh ajo.
Mes angazhimeve për promovimin e serialit të Ryan Murphy, projekteve të reja filmike, reality show-t “The Kardashians” dhe rritjes së katër fëmijëve, ajo nuk dëshiron të vendosë një afat për rikthimin te studimet.
“Do t’i jap vetes kohë dhe do të pres derisa të vijë momenti i duhur, kur të kem pak kohë të lirë për t’u përqendruar te kjo”, deklaroi Kardashian.
Besim te e ardhmja e saj si juriste ka edhe aktorja Sarah Paulson, kolegia e saj në serial, e cila u shpreh: “Ajo do të bëhet një avokate e shkëlqyer. Jam e sigurt për këtë”.
Dëshira për t’u bërë avokate lidhet edhe me ndikimin e të atit, Robert Kardashian. Në vitin 2021, pas përpjekjes së katërt, Kim arriti të kalonte provimet paraprake të studimeve juridike, një sukses që e kishte përshkruar si një arritje për të cilën kishte punuar fort dhe që askush nuk ia kishte dhuruar.
Ajo ka treguar se i ati, i cili ndërroi jetë në vitin 2003, do të ishte “shumë krenar”, por edhe i habitur nga rruga që kishte zgjedhur. Kardashian ka deklaruar gjithashtu se në të ardhmen dëshiron të largohet nga televizioni dhe reality show-t për t’iu përkushtuar plotësisht drejtësisë.
“Ndoshta pas dhjetë vitesh do të ndaloj së qeni Kim K. dhe do të bëhem një avokate që mbron çështje në gjykatë. Kjo është ajo që dua vërtet”, ishte shprehur ajo.







