Pas shkarkimit nga detyra, Zhaneta Beqiri thyen heshtjen dhe bën një deklaratë që ngre pikëpyetje për arsyet e vërteta të largimit të saj nga drejtimi i Çerdheve dhe Kopshteve në Tiranë
Pas shkarkimit nga detyra si drejtoreshë e Drejtorisë së Përgjithshme të Çerdheve dhe Kopshteve në Bashkinë e Tiranës, Zhaneta Beqiri ka reaguar për herë të parë publikisht, duke ndarë qëndrimin e saj për largimin nga posti që mbante prej më shumë se 11 vitesh.
Në reagimin e saj, Beqiri shpreh mirënjohje për periudhën që ka drejtuar institucionin dhe për punonjësit me të cilët ka bashkëpunuar, ndërsa rendit disa prej arritjeve dhe të dhënave për funksionimin e çerdheve dhe kopshteve në kryeqytet. Ajo thekson se largimi i saj nuk ka lidhje me auditin e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), duke lënë të kuptohet se shkarkimi ka ardhur për arsye të tjera, të cilat, sipas saj, nuk lidhen me përmbushjen e detyrave të institucionit apo të saj si drejtuese.
Në mesazhin e saj, Beqiri nënvizon se e mbyll këtë kapitull me krenari për punën e bërë dhe falënderon punonjësit dhe familjet e Tiranës për bashkëpunimin dhe besimin ndër vite.
Reagimi :
Në gusht të vitit 2015 m’u besua një përgjegjësi e veçantë: kujdesi, mirërritja dhe edukimi i fëmijëve të Tiranës. Sot, pas më shumë se njëmbëdhjetë vitesh, e mbyll këtë kapitull me mirënjohje, krenari për punën e bërë dhe respekt për të gjithë bashkëpuntorët me të cilët e ndava këtë rrugëtim.
Drejtimi i një institucioni publik është, para së gjithash, përgjegjësi ndaj qytetarëve, besimi i të cilëve fitohet me punë, korrektësi, transparencë dhe ndershmëri.
Gjatë këtyre viteve, me angazhim, përgjegjësi e profesionalizëm, kam punuar fort për të transformuar kulturën institucionale dhe qasjen ndaj shërbimit, në funksion të më të mirës për zhvillimin e plotë të potencialit të fëmijëve.
Sot, 2.333 punonjës të DPÇK-së kujdesen çdo ditë për rreth 13.000 fëmijë, duke u ofruar një mjedis të sigurt, shërbim cilësor dhe edukim me metodologji bashkëkohore.
Përtej shifrave dhe rezultateve, ajo që çmoj më shumë është marrëdhënia që kemi ndërtuar me mijëra familje të Tiranës. Falenderoj çdo prind e qytetar për besimin dhe vlerësimin ndër vite.
Çdo arritje u bë e mundur falë njerëzve me të cilët kam pasur privilegjin të punoj. Falënderoj çdo mësuese, edukatore, ndihmëse, specialiste, punonjëse e punonjës të DPÇK-së. Ju jeni forca e vërtetë e këtij institucioni.
Sqaroj për të gjithë, që nuk ka asnjë lidhje mes auditit të KLSH dhe largimit tim nga puna. Ai audit nuk ishte shkak, kurse unë jam pasojë e arsyeve të tjera që nuk kanë të bëjnë me realizimin e detyrave të institucionit dhe timin si drejtuese e tij deri më sot!
Largohem me bindjen se vlera e punës së një drejtuesi mbetet te standardet e vendosura dhe njerëzit që do ta çojnë punën përpara.
Funksionet janë të përkohshme. Përkushtimi ndaj njerëzve dhe vlera e punës së bërë mbeten.
Me respekt dhe mirënjohje për secilin prej jush,
Zhaneta Beqiri









