HomeOP EDAkti Normativ për ndryshimet në Ligjin për Tubimin na çon në diktaturë!/nga...

Akti Normativ për ndryshimet në Ligjin për Tubimin na çon në diktaturë!/nga Bujar Leskaj

Advertismentspot_img

nga Bujar Leskaj

Më vjen shumë keq që tek një pjesë e juaja nuk kuptohet një gjë: protesta dhe këta të rinj, së bashku me qytetarë të Tiranës dhe të Shqipërisë, që po protestojnë prej rreth 200 ditësh, janë e ardhmja e Shqipërisë. Është miopia juaj që nuk e kuptoni këtë gjë.

E ardhmja e Shqipërisë është e ardhmja europiane, është e ardhmja e një shteti ligjor, e një shteti të së drejtës, pa korrupsion qeveritar. Është e ardhmja që kanë aspiruar shqiptarët nga ’44-a, ’90-a dhe deri sot.

Akti Normativ për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8773, datë 23.4.2001, “Për Tubimet”, përbën një zhvillim totalitar dhe me elementë të qartë diktatorialë, përmes dhjetëfishimit të gjobave. Me këtë akt, sekti Rama nuk po përpiqet të garantojë sigurinë gjatë tubimeve dhe protestave qytetare, por po krijon instrumente për të kufizuar vetë ushtrimin e së drejtës kushtetuese për të protestuar!

Në këto dy akte normative të paraqitura, vetëm pjesa për dëmshpërblim për bizneset e dëmtuara, e përmbajtur në Aktin Normativ “Për shpërblimin e dëmit civil të shkaktuar ndaj subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve dhe rregullimin e pasojave”, është e saktë dhe e drejtë. E gjithë pjesa tjetër është antikushtetuese, anti progresit të Shqipërisë.

I. Nga gjoja lufta kundër dhunës tek lufta kundër protestës: Akt normativ që rrëzon liritë tona demokratike!

Dhjetëfishimi i gjobave dhe kufizimet e rënda të përkohshme të tubimeve ngrenë pikëpyetje serioze mbi të ardhmen e lirisë së protestës në Shqipëri. Sekti Rama në qeverisje po përpiqet ta trajtojë kundërshtimin dhe protestën qytetare si një problem për t’u neutralizuar, në vend që ta pranojë si një të drejtë themelore demokratike.

Në një demokraci funksionale, protesta nuk është privilegj që qeveria ua jep qytetarëve dhe as një tolerancë e përkohshme e pushtetit. Ajo është një e drejtë kushtetuese, një instrument themelor i shprehjes së pakënaqësisë dhe një mekanizëm kontrolli demokratik mbi qeverisjen.

Pikërisht për këtë arsye, çdo ndërhyrje ligjore që prek këtë të drejtë duhet të denoncohet dhe të kundërshtohet fuqishëm. Kur kufizohet protesta qytetare, nuk kufizohet vetëm një tubim në një shesh apo në një rrugë. Kufizohet mundësia e qytetarëve për të kundërshtuar publikisht vendimet antikushtetuese të qeverisë, për të kërkuar përgjegjësi dhe për të bërë të dëgjohet zëri i tyre.

Ashpërsimi i gjobave në tubime, përmes dhjetëfishimit të tyre dhe vendosja e kufizimeve të rënda të përkohshme për organizimin e tubimeve, krijojnë premisat që përgjegjësia individuale për veprime të paligjshme të zëvendësohet nga një logjikë ndëshkimi ndaj protestës në tërësi.

Një qytetar që merr pjesë në mënyrë paqësore në një protestë nuk mund të trajtohet si përgjegjës për veprimet e dhunshme të një individi tjetër. Një organizim qytetar nuk mund të penalizohet në mënyrë kolektive për shkak të veprimeve të paligjshme, edhe nëse mund të vlerësohen të tilla veprimet e disa pjesëmarrësve. Shteti demokratik duhet të jetë në gjendje dhe e ka detyrim të bëjë dallimin mes protestuesit paqësor dhe autorit të dhunës së qëllimshme, në qoftë se ka. Nëse nuk e bën këtë dallim, ai rrezikon të ndëshkojë pikërisht ata qytetarë që Kushtetuta ka për qëllim të mbrojë.

II. Kur gjobat shndërrohen në instrument gati diktatorial frikësimi

Dhjetëfishimi i gjobave nuk është një çështje thjesht teknike apo administrative. Masa e një ndëshkimi mund të ndikojë drejtpërdrejt në gatishmërinë e qytetarëve për të ushtruar një të drejtë themelore.

Për një qytetar me të ardhura të ulëta, për një student, për një punonjës me pagë minimale apo për një familje që mezi përballon shpenzimet mujore, kërcënimi me gjoba të rënda është një pengesë reale për pjesëmarrjen në protesta. Është një mbytje e shpirtit të lirë të tyre.

Këtu shfaqet efekti diktatorial i një politike të tillë: edhe nëse qytetari nuk ndëshkohet realisht, vetëm frika nga një gjobë e papërballueshme e bën atë të heqë dorë nga pjesëmarrja në një tubim të ligjshëm. Këtë kërkon sot Rama me dy Akte Normative të tillë dhe të gjithë ne duhet ta hedhim poshtë me neveri, si efekt frikësues dhe diktues të ligjit mbi liritë demokratike.

Nëse gjoba bëhet më e frikshme sesa padrejtësia që qytetari kërkon të kundërshtojë, atëherë ajo kthehet nga gjoja instrument drejtësie qeveritare në instrument diktatorial heshtjeje dhe frike.

III. Protesta dhe lëvizja e lirë janë të drejta kushtetuese

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë garanton të drejtën për t’u mbledhur paqësisht dhe pa armë, si dhe lirinë e lëvizjes së qytetarëve.

Neni 47 garanton të drejtën e tubimeve paqësore. Neni 38 mbron lirinë e lëvizjes. Ndërsa neni 17 përcakton kufijtë kushtetues të kufizimit të të drejtave dhe lirive themelore.

Veçanërisht shqetësuese janë kufizimet në Aktin Normativ për disa ndryshime në Ligjin “Për Tubimet”, të cilat prekin njëkohësisht organizimin e protestave dhe qarkullimin e lirë të qytetarëve.

Ky akt normativ është vepër e një autokracie me prirje të qarta diktatoriale. Rama po provon të demonizojë protestën qytetare dhe kundërshtimin politik si gjoja një kërcënim ndaj rendit publik, i cili duhet neutralizuar. Në fakt, kjo nuk është aspak e vërtetë.

Rrëshqitja e pushtetit të sektit Rama, nga zerimi i rolit kontrollues të Kuvendit dhe të institucioneve të pavarura kushtetuese, nga denigrimi dhe presioni ndaj opozitës dhe mediave, çka e ka ushtruar në mënyrë permanente në këto 14 vite, në ngushtim të patolerueshëm të hapësirës së protestës qytetare, është thellësisht diktatoriale.

Nëse instrumentet ligjore përdoren për të frikësuar protestuesit, për të kufizuar organizimin e kundërshtimit qytetar dhe për ta bërë politikisht e financiarisht të kushtueshme shprehjen e pakënaqësisë, atëherë kemi arsye serioze për të folur për një prirje diktatoriale të qeverisjes. Kjo po ndodh tani, para syve tanë, me këto akte normative të paturpshme.

Dhe këto akte, të gjithë ne deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, pavarësisht bindjeve politike, duhet t’i votojmë kundër. Ne, të nderuar deputetë, duhet të bëhemi të gjithë bashkë për t’i thënë jo këtij instrumenti të diktaturës, për të mbrojtur të drejtën e shenjtë të protestës së ligjshme në demokraci.

Një kuadër ligjor demokratik garanton përgjegjësinë individuale në protestë, por jo ndëshkimin kolektiv të protestuesve. Këtë e garanton vetëm diktatura!

Një kuadër ligjor demokratik garanton gjobë proporcionale me shkeljen, rrethanat dhe mundësitë ekonomike të protestuesit, dhe jo gjobë shkatërruese ekonomikisht për qytetarin protestues, siç sekti Rama ka vepruar këto javë të fundit.

Një kuadër ligjor demokratik jep garanci kundër kufizimeve arbitrare dhe disproporcionale të tubimeve dhe protestave, dhe nuk i shtyp protestat përmes shkopit të rëndë të gjobave të dhjetëfishuara.

Të nderuar deputetë, votoni në bazë të ndërgjegjes suaj qytetare, votoni në bazë të atyre mësimeve që ju përcjellin votuesit tuaj, mos votoni mbi baza partiake. Këto dy akte normative duhet të votohen kundër dhe vetëm kundër.

“Se mileti po gatitet, se Edi Rama po lebetitet”.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
Advertismentspot_img
RELATED ARTICLES
Advertismentspot_img
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular