Ka marrë fund arratia e këngëtares së njohur Fjolla Morina, pasi sot në mesditë ajo është arrestuar nga policia e Kosovës. Ajo ishte në kërkim nga autoritetet shqiptare, ndërsa mësohet se u arrestua në një lokal në Prishtinë.
Morina është e shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli Tirana, pasi mbi të rëndon akuza për trafikim të armëve dhe municioneve në Shqipëri.
Gjykata e Kukësit dënoi me 6 vite burg këngëtaren nga Kosova, Fjolla Morina, për veprën penale të “Trafikut të armëve dhe municionit”.
Morina ishte mbajtur në arrest shtëpiak në Kukës për një muaj, ndërkohë vetëm në prill të këtij viti Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Kukës ka depozituar vendimin për shpalljen në kërkim ndërkombëtar.
ARRESTIMI NE MORINE NE 2020
Fjolla Morina dhe partneri i saj Fisnik Syla u arrestuan më 19 shtator 2020 në pikën kufitare të Morinës, pasi u kapën me dy armë me vete.
këngëtarja po udhëtonte me një makinë tip “Audi Q7” ndërsa iu gjet një armë në çantë dhe një në bagazh.
Në çantën e saj u gjetën dy pistoleta dhe 23 fishekë, teksa ajo më pas deklaroi se ishte shtatzënë, por që rezultoi se kishte gënjyer.
Para se të arratisej Fjolla Morina pranoi në gjykatë akuzën për “Trafik të armëve dhe municioneve”.