Anëtarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit Etleda Çiftja është paraqitur sot në SPAK për t’u njohur me akuzën.
Ajo është marrë e pandehur nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, ndërsa po hetohet për dy akuza, atë të deklarimit të rremë dhe fshehjes së pasurisë, si dhe për falsifikimin dokumentesh, ndërkohë që vazhdon ende të mbaje detyren.
Çiftja dyshohet të ketë falsifikuar një dëshmi për nivelin e gjuhës angleze. Ndërsa sa i takon akuzës së ngritur për deklarim të rremë, mësohet se Etleda Çiftja dyshohet se ka një tokë arë në Kavajë të cilën nuk e ka deklaruar.
Kush është Komisionerja e KPK, Etleda Çiftja
Ka kryer trajnime të shumta ndërkombëtare në fushën e lidershipit/menaxhimit; hartimit dhe negocimit të kontratave; auditimit të përputhshmërisë me etikën dhe të antikorrupsionit. Ajo mban titullin “Avokat” që nga viti 2001.
Karrierën e saj, znj. Çiftja e ka nisur si ndihmëse ligjore në një zyrë avokatie. Për periudhën 2001- 2009, znj. Çiftja ka punuar pranë kompanisë greke “Egnatia O.Albania”, pjesë e grupit të kompanive greke “Egnatia Group of Companies” , në pozicionin e këshilltares së përgjithshme/drejtores ligjore dhe rregullatore për zbatimin e projektit të përhapjes së rrjetit të telefonisë celulare “AMC”, në fushën e telekomunikacionit.
Për periudhën 2009- 2017, juristja Çiftja ka punuar pranë shoqërisë së mirënjohur norvegjeze “Statkraft AS” për filialin e krijuar prej saj në vendin tonë, “Devoll Hydropower sh.a.”.
Në këtë kompani, znj. Çiftja ka mbajtur disa pozicione të rëndësishme drejtuese dhe menaxheriale, si këshilltare e përgjithshme/drejtore ligjore për Shqipërinë, drejtuese për përputhshmërinë me Kodin e Etikës, si edhe anëtare e bordit menaxhues të shoqërisë.
Pas 8 vitesh në funksione të ndryshme pranë kësaj kompanie, znj. Çiftja u zgjodh në qershor 2017 nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë në postin e Komisioneres pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Ajo ka marrë pjesë në kualifikime të ndryshme profesionale, brenda dhe jashtë vendit. Zotëron shumë mirë gjuhën angleze dhe italiane