Stafeve drejtuese të 5 spitaleve kryesore në vend, të cilët janë pajisur me kartën e autonomisë menaxheriale do t’i bashkohen 10 menaxherë nga Turqia.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në një postim në rrjetet sociale tha se “këta menaxherë do t’i bashkohen spitaleve rajonale Durrës, Shkodër, Lezhë dhe Vlorë”.
Koçiu priti në takim menaxherët, mjekë dhe ekonomistë turq, të cilët do të atashohen në spitalet që kanë marrë kartën e autonomisë.
“Garantimi i autonomisë spitalore, mbetet qëllimi ynë kryesor për të garantuar një menaxhim shëndetësor efikas, rritje të cilësisë, si dhe dhënien në kohë të shërbimeve për qytetarët”, tha Koçiu.
Ministrja Koçiu shprehu mirënjohjen për qeverinë turke, për angazhimin dhe bashkëpunimin në gjithë këto vite.
“Krenare që ky partneritet do të na shërbejë për të zbatuar me efikasitet një nga reformat më të rëndësishme, si dhe për të nisur sa më shpejt fazën e dytë, që është përfitimi i Kartës së Autonomisë Financiare në këto spitale”, tha Koçiu
