Ministri kosovar i Mbrojtjes në detyrë, Ejup Maqedonci ka bërë të ditur se gjatë javës së kaluar në Kosovë janë pranuar fluturaket pa pilot AeroVironment RQ-20 Puma të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, Maqedonci ka shkruar se Ministria e Mbrojtjes prokurimin e Fluturakeve pa Pilot “Puma” nga ShBA e ka realizuar përmes programit shtet më shtet të njohur si Foreign Military Sale (FMS). Pagesa për këtë sistem është realizuar në vitin 2021.
“Flututuraket Puma krahas fluturakeve tjera janë një kapacitet tjetër i nevojshëm për rritjen e aftësive të FSK në fushën e sistemeve ajrore pa pilot. Bashkëpunimi me ShBA në fushën e mbrojtjes po thellohet dhe zgjerohet vazhdimisht duke kontribuar në zhvillimin e ushtrisë tonë si dhe në arritjen e interesave të përbashkëta të dy vendeve tona”, ka shkruar Maqendonci.
Ndërkohë menjëherë pas postimit të këtij lajmi në rrjetet sociale ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili së bashku me falenderimin për vartësit e tij ka shkruar “Më shumë sy në qiell, për më shumë siguri në tokë”.