BIRN/ Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGj vendosi të martën më 9 shtator mbi ecurinë e karrierës së 11 gjyqtarëve të shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Me gjithë votat e anëtarëve të pranishëm u miratua ngritja në detyrë e gjyqtarit të Durrësit, Arbër Çela, i cili u emërua në Apelin e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë.
Sipas relatorit të çështjes, anëtarit magjistrat të KLGJ-së, Klodian Kurushi, për këtë pozicion në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm kanë aplikuar 12 kandidatë. Gjatë vijimit të procedurës, 10 prej tyre janë tërhequr nga kandidimi, ndërkohë që kanë vijuar Arbër Çela dhe Aurel Arapi.
Ky i fundit ka kundërshtuar në gjykatë renditjen e kryer nga KLGj, por i është rrëzuar kërkesë padia prej Gjykatës Administrative të Apelit. Kurushi vërejti se vendimarrja për rrëzimin e padisë së Arapit ka marrë formë të prerë. Për rrjedhojë, u votua gjyqtari Arbër Çela për një pozicion në Apel.
Në vijim, Këshilli vendosi të miratojë dy kandidatët që kanë aplikuar për në Këshillin e Lartë Gjyqësor, gjyqtarja e Sarandës, Dejvi Çelçmia dhe gjyqtari i Fierit, Nertil Dushku. Gjyqtarja e Korçës, Dorinela Nikolli dhe gjyqtaret e Fierit, Erolda Tarelli e Iva Bregasi u komanduan si ndihmësmagjistrate pranë Gjykatës së Lartë.
Megjithëse ishin shpallur katër pozicione të tilla vakante, kanë paraqitur interes vetëm tre gjyqtaret që u komanduan. KLGj vendosi të transferojë gjyqtaren e Vlorës, Emirjana Dimo në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës. Sipas Kurushit, Dimo nuk ka dhe nuk mund të ketë vlerësim. Disa gjyqtarë të tjerë që kanë shprehur fillimisht interes për këtë pozicion, të cilët kanë pasur vlerësime, janë tërhequr. Për rrjedhojë, u transferua Dimo.
Pasi KLGj vendosi të hapi procedurën e transferimit të përkohshëm me afat një vjeçar për pesë pozicione të lirë, katër në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës dhe një në Gjykatën Administratiove të Shkallës së Parë Tiranëm, vendosi që të lërë në këto pozicione gjyqtarët që janë transferuar aty një vit më parë.
Nisur nga fakti se gjyqtari Arbër Çela kaloi në Apel, u vendos ripërsëritja e transferimit vetëm për katër prej pesë pozicioneve. Konkretisht, u vendos që të mbeten në Durrës gjyqtarët Marjola Beluli, Alban Veçani dhe Xhevdet Lika. Po ashtu, u ripërsërit transferimi i përkohshëm i gjyqtares Gentiana Xhelili në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
Gjykatat e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit, konsiderohen si gjykata karriere dhe kjo është arsyeja përse magjistratët synojnë të emërohen apo të ushtrojnë funksionin pranë këtyre institucioneve të drejtësisë.







