HomeOP EDTRASHËGIMIA E PAQARTËSISË - SHTETI QË NUK E MAT VETVETEN/nga Pal Nikolli

TRASHËGIMIA E PAQARTËSISË – SHTETI QË NUK E MAT VETVETEN/nga Pal Nikolli

Advertismentspot_img

nga Prof.Dr.Pal Nikolli
Në asnjë vend të botës nuk mund të ndërtohet drejtësi, ekonomi, apo qetësi shoqërore mbi një tokë të paqartë, të palexueshme e të pamatshme. Dhe megjithatë, në Shqipëri, kjo është gjendja themelore mbi të cilën qëndron ende çdo gjë: pronat pa kufij të qartë, ndërtesat pa leje, tokat e trashëguara me fjalë e jo me dokument, ligjet e shkruara, por të parealizuara. Aty ku shteti nuk di saktësisht çfarë ka, as qytetari nuk mund të dijë çfarë i përket.

Në shifra, kjo paqartësi është tronditëse: 2.5 milionë prona për t’u rimatur, 600 mijë të paregjistruara, 480 mijë ndërtime pa leje. Por përtej numrave, ajo është një shenjë më e thellë – një krizë identiteti e shtetit vetë. Sepse një shtet që nuk e njeh territorin e vet në mënyrë të saktë, nuk e njeh dot as kufirin midis ligjores dhe të paligjshmes, midis së drejtës dhe grabitjes.

Kush ka faj? Kjo pyetje, e përsëritur për dekada, është vetë një pasqyrë e boshllëkut moral që e ka shoqëruar tranzicionin shqiptar. Qeveritë, që ndërrojnë njëra – tjetrën duke premtuar legalizime, reformime e matje të reja, por në thelb mbajnë gjallë kaosin për të ushqyer kontrollin politik mbi pronën. Kuvendi, që ligjëron pa reflektuar, shpesh duke e bërë më të ndërlikuar një sistem që duhej thjeshtuar. Gjykatat, që nga mosfunksionimi apo korrupsioni, i kanë kthyer aktet e pronësisë në letra të pavlera. Dhe më në fund, populli vetë, që shpesh ka ndërtuar pa pyetur, ka marrë pa matur, ka trashëguar pa dokumentuar.

Por më i thellë se faji është mendimi që e ka bërë fajin të mundshëm: bindja e rrënjosur se pronësia është diçka që mund të rregullohet “nesër”. Kjo filozofi e shtyrjes, e pritjes së pafundme, ka bërë që brezat të jetojnë në tokën e tyre si qiraxhinj të përkohshëm të një shteti që as mat, as regjistron, as garanton.

Në thelb, problemi nuk është as matja e tokës, as legalizimi i ndërtimeve. Problemi është mungesa e një koncepti shtetëror për vlerën e hapësirës. Në një shoqëri që mat gjithçka me çmimin e tregut, por nuk di ta vlerësojë tokën si themel të identitetit kolektiv, çdo reformë kthehet në një tabelë xhamash, ku shifrat ndryshojnë, por realiteti mbetet i njëjtë.

Shteti që nuk e ka përfunduar matjen e pronës, në të vërtetë nuk e ka përfunduar matjen e vetvetes. Ai ende nuk e di ku fillon dhe ku mbaron përgjegjësia e tij, sepse kufijtë e detyrimeve, ashtu si kufijtë e pronave, janë të lëvizshëm. Dhe kështu, drejtësia e pronësisë mbetet gjithmonë një premtim, një projekt, një dosje që pret “verifikim” në zyrat pa fund të burokracisë.

Në këtë vorbull paqartësie, lind një paradoks i hidhur: toka, që dikur ishte burim sigurie dhe trashëgimie, është kthyer në burim konflikti e pasigurie. Dhe derisa shteti të ketë kurajën të përballet me të vërtetën e vet – se pa pronë të saktë nuk ka shtet të saktë – ky vend do të vazhdojë të jetë një territor i pamatshëm, ku ligji endet si erë mbi një hartë të papërfunduar.

E ndoshta, pyetja e vërtetë nuk është “kush ka faj?”, por “kush do ta marrë përgjegjësinë për ta matur më në fund këtë vend – jo me metra, por me ndërgjegje?”.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular