Nga Arian Galdini
“Maska nuk mbahet për t’u fshehur, por për t’u pranuar nga turma.”
Një epokë me maska të reja
Kur një shoqëri humbet besimin, politika nuk zhduket, ajo vesh maskë. Dhe kur elitat politike nuk e përballojnë dot as të vërtetën, as pasojat e saj, krijojnë forma që ngjajnë me ndryshim, por janë vetë vazhdimi.
Kjo është ajo që po ndodh sot në Shqipëri, nuk jetojmë një tranzicion real, por një ritual të pavarësisë së kurdisur.
Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, që pezulloi dekretin presidencial për zgjedhjet vendore në Bashkinë e Tiranës, nuk solli as zgjidhje, as përballje, por një ambiguitet të rehatshëm ku partitë u ftuan të bëjnë lojën e tyre të vjetër me fjalë të reja.
Dhe kështu, kandidati i pavarur u bë emër i ri për një projekt të vjetër, jo për të përfaqësuar qytetarin, por për të shpëtuar strukturën.
Në vend që të shpallë një doktrinë, një vizion, një ndarje të prerë me vesin e së shkuarës, opozita shqiptare nxjerr në fushë figura të pakomprometuara vetëm në dukje, por që e pranojnë të jenë produkt negociatash të padukshme.
Dhe qytetari, që shpresonte për ballafaqim të ndershëm, gjendet përballë një skeme ku emri “pavarur” shërben vetëm si stoli mbi një trup të vjetër politik.
Ky nuk është ndryshim, është grimë grimi mbi një plagë të pazhveshur.
Siç e ka mësuar historia, kur politika nuk guxon të shfaqë fytyrën, atëherë ajo nuk përpiqet të udhëheqë, përpiqet të mbijetojë.
Dhe mbijetesa, në vend të ripërtëritjes, është forma më e ulët e vazhdimësisë.
Ndaj kjo nuk është një epokë e re.
Është e njëjta epokë, vetëm me maskë të re.
Fenomeni Binaj dhe kriza e pavarësisë apo kur maska bëhet shpëtim për të vjetrit.
Në pamje të parë, shfaqja e Florjan Binajt si “kandidat i pavarur” dukej si një çarje e murit të vjetër.
Një akt emancipimi qytetar, një dëshmi se politika mund të rifillojë nga dritarja e ndërgjegjes, jo nga korridoret e marrëveshjeve.
Por sapo u vendos në skenë, u kuptua se kjo nuk ishte një thyerje muri, ishte lyerje e tij me bojë të freskët.
Sepse çdo akt që vjen si produkt i partive të vjetra, me strukturat, burimet dhe propagandën e tyre, nuk është pavarësi, është simulim i pavarësisë.
Në të vërtetë, pas “fenomenit Binaj” fshihet një skenar i vjetër, frika e sistemit nga dalja reale e njeriut të lirë.
Kur nuk mund ta ndalësh dot një kërkesë për ndryshim, e përvetëson.
Dhe kështu, sistemi e shpik “të pavarurin e vet”, një figurë që shërben për të kanalizuar revoltën, jo për ta udhëhequr atë.
Është ajo që Platoni do ta quante “mimesis politike” ose një përfaqësim i rremë i virtytit, që e përdor pamjen për të fshehur boshllëkun e brendshëm.
Kështu, ajo që quhet “pavarësi” është vetëm estetikë e kontrollit.
Në këtë kontekst, partitë e reja, ato që dolën me premtimin për ta rrëzuar establishmentin, janë bërë sot aksesore të Berishës, pjesë e të njëjtit dekor ku maska e re fsheh fytyrën e vjetër.
Lapaj, që nisi me fjalën “shqipëria bëhet”, sot i shërben projektit që garanton që asgjë të mos bëhet.
Shabani, që e quante veten “zë qytetar”, tani është zë që përsërit Berishën me tone më të buta.
Shehaj, që dikur premtonte reformë, tani rreshtohet në krah të atyre që kanë bërë profesion nga mungesa e saj.
Të gjithë në një varg të gjatë mimikash, të ngjashëm me ata që Nietzsche i quante “kameleonët e moralit”, njerëzit që ndryshojnë ngjyrë sipas dritës që u jep pushteti.
Për këtë arsye, partitë e reja janë produkti më i pastër i një regjimi të vjetër që ka mësuar të riprodhojë veten me maska.
Ato nuk lindën për të kundërshtuar, por për të zëvendësuar opozitën reale me versione të zbutura të saj.
Një skemë që i lejon Berishës të mbajë nën kontroll gjithë spektrin “anti-sistem” pa humbur monopolin e pushtetit moral brenda opozitës.
Ky është art i përkryer i kapjes përmes diversitetit të kontrolluar, një formë e sofistikuar e autokracisë demokratike që Alexis de Tocqueville e paralajmëronte si “tirani e butë”, ku qytetarët ndihen të lirë vetëm sepse sistemi u lejon të zgjedhin midis iluzioneve.
Kjo është ironia tragjike e momentit tonë politik, “të rinjtë” e sistemit janë shndërruar në stafeta të të vjetërve, dhe “e reja” është bërë emër tregtar që e shet Berisha për të blerë kohë.
Maska që quhet “pavarësi” nuk është simbol emancipimi, është patentë e regjimit për të mbajtur gjallë shfaqjen, në një publik që kërkon shpresë, por merr vetëm aktorë.
Siç thoshte Edmund Burke, “kur e keqja nuk përballet, ajo vishet me virtyt”.
Sot, ajo vishet me “pavarësi”.
Dhe nëse shoqëria pranon këtë lloj pavarësie, atëherë nuk është thjesht e mashtruar, është bashkëfajtore në vetëvrasjen e saj morale.
Sepse asnjë sistem nuk mund të shërohet duke zgjedhur prejardhjen e tij si zëvendësim.
Dhe asnjë “i pavarur” që del nga sqetulla e Berishës apo Edi Ramës nuk është i lirë, është thjesht maskë që kërkon të pranohet, jo të fshihet.
Maska si metaforë e epokës sonë
Në historinë e qytetërimeve, maska ka qenë gjithmonë një mjet ritual, një akt mbrojtjeje ose përfaqësimi.
Por kur maska bëhet mënyrë e të menduarit, atëherë shoqëria nuk fshihet nga rreziku, ajo zhduket nga vetvetja.
Në epokat e tranzicionit, sidomos kur shter burimi moral, sistemet nuk vetëndryshohen. Ata nuk vetëkritikohen.
Ata vetëriprodhohen.
Dhe për ta bërë këtë pa tronditur fasadën, shpikin maska të reja që duken si fytyra të reja.
Sot në Shqipëri, kandidati i pavarur është pikërisht kjo, një maskë e rafinuar, e miratuar, e testuar në laboratorin e llogarive dhe jo të ndërgjegjes.
Ai vjen jo si sfidë, por si zgjatim i një strukture që ka humbur aftësinë për të gjeneruar ide, por ka ruajtur mjeshtërinë për të gjeneruar iluzione.
Kur Albert Camus shkruante për “rebelin e rremë” që nuk kërkon drejtësi, por leje për të jetuar rehat në padrejtësi, ai parashikonte këtë gjendje.
Kandidati i rremë nuk thyen murin.
Ai e lyen murin me ngjyra shprese, që të duket i ri.
Ai nuk e sfidon sistemin.
Ai e rifreskon, që të mos duket i rrënuar.
Në këtë fazë, maska e pavarësisë nuk fsheh fytyrën, ajo zëvendëson ndërgjegjen.
Dhe kjo është më e rrezikshme se çdo propagandë, sepse nuk synon të të bindë me forcë, por të të përfshijë me iluzion.
Një shoqëri që e pranon këtë formë, nuk është thjesht e mashtruar, është në një marrëveshje të heshtur me gënjeshtrën.
Dhe në këtë marrëveshje, gjithçka tjetër humb, nderi, liria, e nesërmja.
Mbetet vetëm loja.
Dhe loja, kur nuk ka më rregulla, nuk është më demokraci.
Është farsë.
Dhe farsa është vdekja e politikës si akt i ndërgjegjes.
Një shembull njerëzor, qytetari i lagjes
Në çdo cep të Tiranës, pas çdo dere të thjeshtë, jeton një qytetar i heshtur që kupton më shumë se çfarë thonë ekranet.
Ai nuk ka studio televizive, nuk ka postime virale, as forume ku të shpjegojë filozofi politike.
Por ai ka diçka që nuk blihet dhe nuk matet me sondazhe, ndjesinë e së vërtetës.
Ai e di, me një instinkt të ndershëm që nuk gabon, kur pavarësia është mashtrim dhe kur liria është vetëm një dekor që i shërben partive për të mos dhënë llogari.
Kur ai sheh një kandidat që quhet “i pavarur”, por mbështetet nga po të njëjtat struktura që dje i premtonin ndryshim dhe sot i pëshpëritin urdhra, ai buzëqesh hidhur. “Edhe pavarësia, -mendon me vete-, ka hyrë në listën e produkteve të patronazhit”.
Sepse në këtë vend, edhe fjalët më të mëdha janë përdorur për qëllimet më të vogla.
Por ai qytetar nuk është vetëm vëzhgues.
Ai është themeli mbi të cilin ngrihet çdo legjitimitet.
Vota e tij nuk është shifër.
Është shpirt.
Dhe në çdo votë, është një njeri, me kujtesë, me moral, me pritje që shkojnë përtej premtimeve.
Ai nuk kërkon heronj me maska.
Kërkon përfaqësim pa iluzion.
Jo dikë që thotë çfarë e bën të duket i ri, por dikë që beson në atë që thotë.
Sepse liria nuk është e suvenir.
Është marrëdhënie besimi.
Dhe në fund, qytetari nuk e dorëzon dot ndërgjegjen në këmbim të një spektakli politik.
Ai mund të presë.
Mund të mos flasë.
Por kur vjen momenti i votës, ai e di, vota është për nderin, jo për etiketën.
Dhe nderi nuk kandidon me maskë.
Historia na paralajmëron: autenticiteti nuk është luks.
Autenticiteti është vlera më e brishtë dhe më e qëndrueshme njëherazi në historinë politike të një kombi.
Është i brishtë sepse rrethohet nga presione, tundime dhe klane që ofrojnë rrugë të shkurtëra drejt fitoreve të menjëhershme.
Por është i qëndrueshëm, sepse vetëm ai mbetet në kujtesë kur propaganda venitet dhe lojërat zgjedhore zbulojnë zbrazëtinë e tyre.
Historia shqiptare është e varfër në autenticitet, jo sepse nuk ka pasur individë të ndershëm, por sepse rrallëherë sistemi i ka lejuar ata të mbijetojnë pa maskë.
Mit’hat Frashëri ishte ndër të paktët që zgjodhi të mos i përkiste turmës, por idesë.
Ai nuk kërkoi të drejtonte turma me retorikë, por të shërbente me vepër dhe me heshtje të dinjitetshme.
Ai nuk bëri kompromis për të qenë i pranueshëm, pranoi të mbetet i vetëm, por i vërtetë.
Ashtu si Alcide De Gasperi që e rindërtoi Italinë jo mbi konsensus të rremë, por mbi themele etike që kalonin përmes dhimbjes së përgjegjësisë.
Ai nuk kërkoi të duartrokitej, kërkoi të ndërtonte.
Vaclav Havel ishte më shumë se lider, ishte ndërgjegje publike në formën e njeriut.
Ai rrëzoi një regjim jo me fjalime, por me një të vërtetë që nuk pranoi kurrë të vishej me kostumin e sistemit.
Sepse autenticiteti është i pakonvertueshëm.
Nuk ka çmim tregu.
Në një epokë ku suksesi matet me klikime, autenticiteti mund të duket si luks.
Por është e vetmja pasuri që mbijeton krizën e çdo epoke.
Kur gjithçka tjetër digjet, vetëm e vërteta nuk ka nevojë të fshihet.
Ajo rri, qëndron, dhe ngre.
Si njeriu i ndershëm që s’fiton gjithmonë, por gjithmonë mbetet.
Kriza e ndërgjegjes politike, pse opozita dorëzohet
Kur një opozitë humbet doktrinën, ajo nuk bëhet më as opozitë, bëhet zbukurim i kontrolluar i sistemit.
Dorëzimi i opozitës në Shqipëri nuk ndodhi në zgjedhje.
Ai ndodhi më parë, në momentin kur hoqi dorë nga të vërtetat e saj.
Në vend të parimeve, zgjodhi manovrën.
Në vend të qëndrimeve, zgjodhi lojën e perceptimit.
Nuk e braktisi sistemi, e braktisi vetvetja.
Dhe kjo është forma më e dhimbshme e kapitullimit, ajo që ndodh në heshtje, pa betejë, pa shpallje, si një rrëshqitje në zbrazëti.
Për këtë arsye, sot nuk kemi më liderë opozitarë, por menaxherë të heshtjes.
Politika është kthyer në një skenë ku përzgjidhen aktorë, jo përfaqësues.
Dhe aktori, sado i talentuar, nuk ka barrën e të vërtetës, ai ka rolin që i jepet.
Siç paralajmëronte Ortega y Gasset, kur politika shkëputet nga morali, ajo nuk rëndon më mbi qytetarin, bëhet sipërfaqe që ndriçon për pak, pastaj tretet në harresë.
Është teatri i një kohe ku fjalët zëvendësojnë idetë, dhe emocionet zëvendësojnë arsyen.
Kandidati i pavarur është fotografia e kësaj krize, një figurë pa doktrinë, pa bazë ideologjike, që paraqitet si zgjidhje ndërkohë që është vetëm ndërprerje e përkohshme e përgjegjësisë.
Ai nuk shërben për të ndërtuar, por për të zgjatur jetën e së vjetrës me një emër të ri.
Në një shoqëri të moralit të braktisur, edhe pavarësia përdoret si zëvendësim për lirinë e munguar.
Opozita nuk ka më nevojë të fitojë vota.
Ka nevojë të rifitojë kuptimin e të qenit opozitë.
Dhe kjo ndodh vetëm kur rikthen vetëdijen se politika nuk është aktrim, është akt përgjegjësie.
Dhe përgjegjësia nuk toleron maska.
Kandidati autentik, modeli që mund të shpëtojë vlerën.
Nuk është emri që i jep peshë kandidatit, por shpirti që nuk ka nevojë të fshehet pas emrit.
Në një epokë ku titulli “i pavarur” është bërë maskë që mbulon vakumin moral, kandidati i vërtetë nuk ka nevojë të përjashtohet nga partitë, as të shfaqet si alternativë teknike.
Ai qëndron mbi to jo me përçmim, por me një ndjenjë më të lartë përgjegjësie.
Sepse politika nuk është refuzim i përkatësisë, por përkushtim ndaj të vërtetës.
Kandidati autentik është ai që vjen jo për t’u toleruar, por për të përfaqësuar.
Nuk është pasojë e krizës, por shenjë e një shpirti që ka kaluar provën e vetes.
Ai nuk kërkon të duket i pavarur, sepse është thellësisht i lirë, i lirë nga zgjidhjet e lehta, nga aleancat e padeklaruara, nga frika që të bën të flasësh nëpërmjet eufemizmave.
Ai nuk është as kompromis, as projekt personal.
Është vetëdije publike që vjen nga një doktrinë e shpallur, një vizion i përpunuar, një moral i rrënjosur.
Në kohëra të përziera, ku gjithçka matet me klikime dhe sondazhe, kandidati autentik ecën në kah të kundërt, ai nuk e fsheh veten për të fituar një kauzë, por e rrezikon gjithçka për të mos humbur vlerën.
Ashtu si Havel, që nuk ndërtoi një lëvizje mbi strategji, por mbi të vërtetën e tij pa kostum institucional, edhe kandidati autentik nuk premton se do fitojë, premton se nuk do të tradhtojë.
Sepse në fund, ajo që mbetet nuk është kush fitoi zgjedhjet, por kush ruajti ndërgjegjen. Dhe ndërgjegjja, kur është e pastër, është më shumë se çdo pushtet.
Më mirë pa fitore, se sa me maskë.
Fundi i një akti politik nuk gjykohet vetëm nga rezultati i një gare, por nga trashëgimia që lë në kujtesën morale të një populli.
Politika nuk është sport për statistika dhe tabela, por është një mënyrë e qenësishme për ta dëshmuar njeriun si qenie me ndërgjegje.
Ajo që mbetet në histori nuk është kush fitoi më shumë, por kush pati guximin të mos luante me fytyrën.
Sepse çdo maskë e vendosur sot, është një fytyrë që nuk do të gjendet më nesër.
Dhe fytyrat që zhduken, lënë pas vetëm struktura bosh, institucione që nuk frymojnë, vota që nuk kuptohen përse hidhen në kuti.
Kur fitorja bëhet qëllimi më i lartë, dhe e vërteta sakrifikohet në emër të praktikës, shoqëria nuk përparon, ajo vetëm zëvendëson iluzionin me iluzion.
Kandidati që fshihet pas fjalës “i pavarur”, por vjen nga truri i strukturave që e kanë kthyer politikën në skenografi, nuk është instrument shprese, është dublant në një teatër që luhet për ta mbajtur sistemin të paprekur.
Ai nuk thyen asnjë skemë, nuk sfidon asnjë padrejtësi, nuk sjell asnjë dritë të re.
Vetëm ndryshon kostumin e aktorit, por skenarin e shkruan e njëjta dorë.
Ndaj, më mirë pa fitore, se sa me maskë.
Më mirë një humbje që ndriçon ndërgjegjen, se sa një fitore që errëson shpirtin.
Në rrëfimet e popujve të mëdhenj, janë të rrallë ata që fituan zgjedhjet, por janë të përjetshëm ata që nuk e tradhtuan fjalën.
Kandidati i vërtetë nuk është ai që di të shmangë humbjen, por ai që di të mos mashtrojë as veten, as tjetrin.
Ai nuk është i pavarur, ai është i lirë.
Dhe liria nuk fitohet me kostum neutraliteti.
Ajo fitohet kur një njeri, përballë gjithë sistemit, zgjedh të mos veshë maskë.
Dhe qëndron.
Më mirë pa fitore, se sa me maskë.
Sepse fitoret që vijnë me maska janë humbje të moralit, dhe humbjet që vijnë me ndershmëri janë fitore të shpirtit.
Kandidati i vërtetë nuk është i pavarur, është i lirë.
Autor i librit Neoshqiptarizmi