HomeEkonomiFamiljet në Shkodër, Elbasan dhe Dibër çojnë gjysmën e buxhetit për ushqime

Familjet në Shkodër, Elbasan dhe Dibër çojnë gjysmën e buxhetit për ushqime

Advertismentspot_img

Familjet shqiptare çojnë mesatarisht 39.5% të buxhetit mujor për blerjen e ushqimeve, por në shumicën e qarqeve të vendit ky tregues është më i lartë.

Sipas të dhënave të INSTAT që i takojnë vitit 2023, peshat më të larta të shpenzimeve mujore të familjeve për ushqime janë regjistruar në qarqet Dibër 53,8%, Elbasan 49,5% dhe Shkodër 47,9%.

Harta e mëposhtme tregon se shpenzimet për konsum në kategorinë “Ushqime, pije joalkoolike, pije alkoolike dhe duhan” janë më të larta në qarqet e brendshme dhe verilindore të vendit, ndërsa më të ulëta në zonat urbane dhe bregdetare.

Qarku i Dibrës dhe ai i Elbasanit renditen ndër më të varfrit në këtë tregues. Kjo do të thotë se gati gjysma e buxhetit të një familjeje mesatare në këto zona përdoret për produkte bazë ushqimore, duke lënë më pak hapësirë për shpenzime në arsim, shëndetësi, transport apo kulturë.

Vetëm familjet në Tiranë shpenzojnë më pak se 40 për qind të buxhetit për ushqime. Në qarkun e Vlorës familjet shpenzojnë ndërmjet 40.1–44 për qind të buxhetit mujor për ushqime.

Në 10 qarqe të tjera të vendit mbi 44% e buxhetit mujor shkon për ushqim; në Kukës, Korçë e Berat, përqindja varion nga 44% deri në 48%, duke treguar një nivel të ndërmjetëm të shpenzimeve për ushqime në raport me të ardhurat.

Të dhënat e Anketës së Buxhetit të Familjeve të INSTAT theksojnë se, edhe pse pesha e shpenzimeve për ushqime në totalin e konsumit ka rënë gjatë dekadave të fundit, ajo mbetet ende e lartë në krahasim me vendet e tjera të rajonit, duke reflektuar nivelin relativisht të ulët të të ardhurave për frymë në Shqipëri.

Pesha e lartë e ushqimeve në shpenzimet e familjeve është tregues i të ardhurave të ulëta dhe i nivelit të dobët të mirëqenies. Sa më i madh të jetë përqindja e buxhetit që shkon për ushqime, aq më pak fleksibilitet ka familja për të përballuar rritjen e çmimeve apo krizat ekonomike.

Në vitin 2023 familjet në Bashkimin Europian shpenzuan mesatarisht 13 për qind të buxhetit të tyre mujor për ushqime dhe pije.

Në rastin e Shqipërisë, sidomos në qarqet e varfra si Dibra apo Elbasani, ekonomia familjare është e përqendruar te mbijetesa, jo te zhvillimi apo kursimi./ B.Hoxha

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular