PROF.ELMAS LECI
E nisa ngjarjen e zbuluar dokumentarisht së fundi me një bisedë tregimtare për Enver Hoxhën se çfarë ka thënë ai për vete, që është një bisedë e bërë mes dy personaliteteve, të dy të burgosur pas çlirimit nga Enveri, mes heroit të Spanjës, Petro Marko dhe shokut të shkollës me Enverin, Asllan Abdurrahmani ose Ypi, dhëndër i Bedri Pejanit, figurë qendrore e Lidhjes së II të Prizrenit. Deduksioni është i qartë dhe është një “betim” i plotë që kishte bërë në ato kohë Enver Hoxha kundër shokëve “për asgjësimin e tyre fizik”. Këtë e rrëfente shkrimtari Petro Marko, madje e ka shkruar në librin e tij “Intervistë me vetveten”. “Asim Abdurrahmani, – shkruhet në libër, – i burgosur në Burgun e Vjetër, që e njihja se ishte dhëndri i Bedri Pejanit, i dënuar edhe ky si edhe unë në atë burg në vitet 1946-1948, e dëgjova vetë se si Asllan Ypi të na tregonte për jetën e tij dhe të Enver Hoxhës në Francë… Ai tregonte për jetën e Enver Hoxhës edhe në Tiranë. Ai na thoshte se një ditë kalova andej dhe e pashë që Enveri po pozonte në derën e dyqanit ‘Flora’”. Aty qenë dhe i njoha edhe disa komunistë të tjerë. I thash frëngjisht: “Po ti Enver, ç’kërkon këtu me të kuqtë?! Dhe ai po në frëngjisht më dha përgjigjen: ‘Jam këtu, me qëllim që t’u q… nënat gjithë komunistëve. Asnjë nuk do të le më këmbë”. Dhe siç do të shohim vite më vonë, ai me të vërtetë qysh atëherë e vuri në jetë atë ‘betim’, nisi të eliminonte komunistët e orëve të para”.
VRASJA E QEMALIT
Vrasja e Qemal Stafës u rihap disa herë pas Çlirimit, madje Beqir Minxhozin fillimisht me atë akuzë e përjashtuan nga partia, por s’kaloi shumë kohë dhe e ripranuan përsëri. Opinioni gjithnjë ka qenë dyshues, dyshues se si u vra Qemal Stafa?! Dyshues se si u zbulua baza (bazën e dinte vetëm Enver Hoxha)?! Dyshues se si shokët e lanë në baltë?! Dyshues se ç’u bënë më vonë shokët e shoqet e idealit të Qemal Stafës?! Dyshues se si ai Enver Hoxha arrestoi apo dënoi të gjithë ata që dinin për vrasjen e Qemal Stafës, që nga Vançi Bajraktari, Drita Kosturi (e fejuara e Qemal Stafës), “Shulen” Kristo Themelkon (jugosllav) etj.! Dënoi e masakroi të gjithë shokët e Qemal Stafës, (që hynin e dilnin në shtëpinë bazë lufte të Ramazan e Beqir Xhepës), që ishin Mustafa Gjinishi, Vasil Shanto, Shyqyri Peza, Kajo Karafili, Hasan Peza, etj.. Përveç Gogo Nushit dhe vetë Enver Hoxhës, të gjithë të tjerët u vranë. Për vrasjen e Qemalit “Xani dyshonte për Enver Hoxhën si për vrasjen ashtu edhe per spiunimet në kuresturë”. Këto, Xani padyshim i lidhte dhe i mbronte me fanatizëm. Kur kishte shkuar në ato vitet e Lëvizjes te shtëpia e mikut të tij të ngushtë Qazim Mulletit, ai e kishte gjetur atje Enver Hoxhën. Kur e pashë Enverin atje, -tregonte baba, – i them Qazimit (Mulletit) se ai djalë nuk i dukej njeri i mirë. Pas kësaj Qazimi i kishte thënë: “Lene-lene Xan, Enveri është i yni”. Përveç Beqir Xhepës, Naxhije Dumes e të tjerë, edhe Vançi Bajraktari, ish shoqëruesi personal i Qemal Stafës, ka akuzuar për vrasjen e Qemal Stafës po direkt Enver Hoxhën. Madje, në shenjë proteste Vançi i ka deklaruar Enver Hoxhës se që nga ai moment i vrasjes së Qemal Stafës ai vetë “jepte dorëheqjen nga lufta dhe nga partia”. I ndodhur përballë këtyre akuzave, Enver Hoxha për ta mbuluar përfundimisht vrasjen e Qemal Stafës “sajoi se “vrasjen e kishte bërë Zef Ndoja”, pasi edhe ky e akuzonte po Enver Hoxhën. Enveri sajoi për Zef Ndojën një kundërakuzë dhe urdhëroi për të, ekzekutimin, atje ku Zefi ishte partizan, në fshatin Priskë, në një përrua rrëzë malit të Dajtit. Kështu Enver Hoxha i eliminoi para dhe pas Çlirimit të gjithë dëshmitarët që kishin dijeni për vrasjen e Qemal Stafës, përfshi edhe të fejuarën e tij, Drita Kosturin (që e bëri të çmendur) sepse ata nën zë përsërisnin gjithnjë: “Enveri vrau Qemalin”.
PRAPASKENAT E PARA
Kjo ishte një nga prapaskenat e para makabre të Enver Hoxhës, diplomacia e tij e kulisave, me të cilën ai nisi rrugën e pushtetit. Dhe fushatën kundër spastrimeve të rivalëve, Enver Hoxha e organizoi që me vendimin e parë, që në ditën e krijimit të partisë, ku në atë mbledhje me iniciativën e tij u vendos që “të bëhej një spastrim i njerëzve pengestarë”, të cilët më pas i përshkruan në shënimet e lëna, ndofta të rralla edhe Miladini, ku ai tregon se “kishin hapur mjaft punë në drejtim të spastrimit dhe do vazhdojnë të hapin akoma”. Kjo fushatë në parti që thotë në shënimet e tij Miladin Popoviçi, u bë shumë e ashpër. Këtë e shfrytëzoi me efikasitet Enver Hoxha, kryesisht për të eliminuar ato që quheshin “të rrezikshmit”. Konsolidimi i pozitave në krye të partisë, ka qenë një proces i tërë, një strategji e mirkopsitur e jugosllavëve dhe jo një akt i menjëhershëm i Enver Hoxhës. Për eliminimin e Qemal Stafës apo të Vasil Shantos, nuk kishte vendime partie, por vetëm të vetë Enver Hoxhës, ndërsa ndryshe qëndron eliminimi për Anastas Lulon, Sadik Premten e të tjerë që edhe në këto raste ishte “vullneti i hekurt” i Enver Hoxhës për ekzekutimin e tyre. Këto “forma pune” e bënë Enver Hoxhën “të preferuarin” e Miladini Popoviçit e Dushan Mugoshës.
Përveçse për vrasjen e Qemal Stafës, Naxhie Dume është pozicionuar në kujtimet e saj edhe për vrasjen e Vasil Shantos. Si mundet, aludon Naxhie Dume “që një anëtar i KQ të PKSH -së të ishte shoqërues i një kolegu të tij, pra i S.V.Tempos. Edhe për këtë vrasje, përgjegjës është kreu i PKSH -së Enver Hoxha. Hera e fundit që do të bashkëpunoja me Vasil Shanton për çështje lufte, ai më ka lënë një brengë të madhe… Ai, si shumë herë më parë, ishte caktuar të shoqëronte Vukmanoviç Tempon apo udhëheqës të tjerë jugosllavë për në Mal të Zi, apo vise të tjera të Jugosllavisë. Pra, as më shumë e as më pak, Vasil Shanto ishte caktuar si një korrier i thjeshtë i Tempos për në Jugosllavi. Këto raste unë i kam quajtur shpërdorimin më të madh që i bëhej këtij personaliteti të fuqishëm të Luftës në Shqipëri dhe kësaj figure qendrore të Lëvizjes. Dhe këtë e them me bindje se Enver Hoxha nuk e bënte pa qëllim”. “Ende sot pyes e indinjuar, – shkruan po në kujtimet e saj Naxhie Dume, – vallë ky qëndrim duhej mbajtur për një anëtar të Komitetit Qendror si Vasili?! Ky hero, atentator i përsosur, mjeshtër i madh i luftës guerile në qytete, sidomos në Shkodër e në Tiranë, klandestin i papërsëritshëm e që ishte aq i vyer për Shqipërinë, duhej keqpërdorur si shoqërues, korrier i një udhëheqësi 30-vjeçar jugosllav, qoftë ai edhe anëtar i Byrosë Politike?! A thua nuk kishte sa të duash të tjerë partizanë trima, që mund ta shoqëronin Tempon?! Aq më tepër që Vasil Shanto e kishte bërë disa herë atë rrugë të rrezikshme dhe ishte ekspozuar. Unë them ‘Jo, nuk duhej vepruar kështu’! Ishte një gabim i madh fatal. I nisa nga Korça Vasilin dhe Tempon me një automjet, që e drejtonte njeriu ynë i besuar. Aq e vërtetë është kjo, saqë unë u dhashë me vete nënën time, për ta lehtësuar kalimin e tyre nëpër postblloqet e armikut, të cilët ishin bërë pothuajse të pakalueshme si rezultat i kontrolleve të shpeshta dhe të imtësishme. Vasili, Tempoja dhe nëna ime kaluan pa probleme, mbërritën në Tiranë dhe u vendosën në bazën tonë të sigurt, që ishte shtëpia e familjes së Zeqi Agollit. Prej andej, të dy shokët udhëtuan për në Shkodër e Mal të Zi. Para se të largohej nga Korça, Vasili më tha: “Naxhie, mendoj se ky do të jetë udhëtimi im i fundit”. Në fakt, ashtu ndodhi. Vasili u vra në rrethana enigmatike, në breg të Liqenit të Shkodrës, duke u kthyer nga misioni i tij i fundit luftarak. Kësisoj, me vrasjen e Vasilit, lufta jonë humbi një nga heronjtë më të pazëvendësueshëm”.
AKUZAT NDAJ ENVERIT
“Vasil Shanton e ka vrarë Enver Hoxha, – ka deklaruar Marash Berisha, i cili ka qenë dëshmitar i kësaj ngjarje. Kjo pasi Vasili së bashku me Qemal Stafën ishin dy nga udhëheqësit më kryesorë të PKSH-së. Prandaj, vetë Enver Hoxha organizoi vrasjen e tij. Por për ta realizuar këtë vrasje, u shfrytëzuan në maksimum disa rrethana në fshatin Vrakë, nga ku do të kalonte Vasili, për ta maskuar më së miri vrasjen e tij. Këtë histori e kam dëgjuar nga babai im, – ka thënë Marash Berisha, – i cili gjithashtu është burgosur dhe internuar për vrasjen, së bashku me shumë bashkëfshatarë të tjerë të Grudës, të Vrakës dhe të Gucisë. Njerëzit e ngarkuar nga Enver Hoxha për vrasjen e Vasil Shantos, – deklaronte Marash Berisha, – janë futur në fshatin Vrakë dhe e kanë qëlluar teksa ai po i drejtohej lundrës në breg të liqenit të Shkodrës. Del pyetja, kush i a dha informacionin Xhandarmërisë së Shkodrës se Vasil Shanto po hynte në Vrakë?! Këtë do ta shohim gradualisht pas dëshmive e dokumenteve, por ajo që dihet është se Vasil Shanto me Reshit Rusin në atë kthim për në Atdhe, rrugës si “rastësisht” u takuan me Miladin Popoviçin, i cili edhe ky po kthehej për në Shqipëri dhe udhëtuan me të deri në pritën e organizuar. Prita, sipas informacioneve ishte organizuar për të vrarë Vasil Shanton, mirëpo në të dolën tre veta. Dy i vranë, Vasilin dhe Reshitin ndërsa Miladinin jo. Një jo kjo, plot dyshime. Akoma më e dyshimtë është se si më pas Miladin Popoviçi është liruar nga xhandarmëria. Për vrasjen e Vasil Shantos ka dëshmuar përsëri si edhe për vrasjen e Qemal Stafës, korrieri po i Qemal Stafës, Beqir Xhepa: “Që nga ajo kohë e deri ditën që u vra Vasil Shanto, ky i kishte marrëdhëniet të ftohura me Enver Hoxhën. Këtë gjë e dinë shumë mirë edhe komunistët e tjerë të asaj kohe, që jetojnë edhe sot e kësaj dite, të cilët e dinë që edhe Vasil Shanto u vra gjatë një ‘shërbimi’, të cilin i a kishte ngritur e ngarkuar po Enver Hoxha”.
NDERIMI I KRYEKRIMINELIT
Aktualisht kërkohet nga kryetari i Kuvendit Niko Peleshi (kupto Edi Rama) nderimi i figurës së kryekriminelit më të madh të kombit tonë, Enver Hoxhës, për atë të nxirin nga krimet me monstruoze e që zënë vend të parë në Europë për numrin e popullsisë, Enver Hoxha. Po ka lum e det t’i lajë ato?! E nëse po, po ku t’i çojmë, ku t’i fshehim krimet e tij gjysmëshekullore, organizimin e vrasjeve që gjatë luftës, siç përshkruam me dokumente e deduksione për Qemal Stafën, Vasil Shanton e më pas Mustafa Gjinishin, Zai Fundon, Zef Malën e me dhjetëra të tjerë komunistë e nacionalistë, që kishin mendime të tjera nga ato sllaviste për zhvillimin e Shqipërisë?! Po vrasjet e pas çlirimit me Koçi Xoxen e kompani, ato të ’56 me Tuk Jakovën e Bedri Spahiun, ato të ’74 me Beqir Ballukun, Abdyl Këllezin, ato të ’70 me Teme Sejkon, Liri Belishoven ato të ‘81 e në vijim me Mehmet Shehun e Kadri Hazbiun, (jo se këto ishin patriotë e unë si historian po i marr në mbrojtje, jo) se kriminelë kanë qenë të gjithë, e pa diskutim në shërbim të kryekriminelit Enver Hoxha, por se ai i vrau ata për kolltukun e tij. Po të burgosurit politikë 10.133 burra dhe 7.367 gra, nga të cilët 1.065 kanë vdekur në burgje, të tjerë kanë humbur aftësinë mendore nga torturat 408 njerëz, janë internuar për motive politike 20.000 familje, nga të cilët kanë vdekur 7.022 persona në zonat e internimit, po këto ku t’i çojmë zoti Niko, apo ne koshin e historisë?! Po të pushkatuarit me gjyqe e pa gjyqe, që janë 5.577 burra dhe 450 gra, ku t’i çojmë mor zoti, Niko, apo në hamam “të hyrës”, atje ku i kanë çuar dikur “baballarët” komuniste që ju përfaqësoni?! Sa shpejt doni të harrojmë?! Po bëmat e tjera makabre të kryekriminelit Enver Hoxha me internimet, kolektivizimin, bunkerizimin, uzinat arkivole, si t’ua fshehim të rinjve?! Apo t’u themi siç doni t’i thoni ju se Enver Hoxha ishte “burrë shteti”, se bëri shtet e ndërtime. Po Hitleri, Stalin, Duçja etj., diktatore më të mëdhenj se Enver Hoxha, a nuk bënë ndërtime? Patjetër që bënë, madje marramendëse, por qenë kriminele e njerëzimi të tillë i di dhe njeh. Enveri ishte më kriminel se këto se ia kalon me krimet e tij bazuar e krahasuar me numrin e popullsisë në Shqipëri. Sa shpejt kërkoni të harrojmë pabukësinë e kohës komuniste, tollonin e persekutimin, jetesën nën terror se po na sulmojnë sot apo nesër superfuqitë?! Sa shpejt doni dhe doni ta lini popullin pa memorie?! Turp e hata, në se ju ecën praktika e nisur?! Se ka mundësi ta keni edhe “lojë për largim vëmendje nga bëmat e tjera mbi këtë popull si vjedhjet marramendëse, kriminalitetin e pakonceptueshëm, e drogën e stërmadhe?! Kryekrimineli nuk duhet e nuk mund të amnistohet, veçse po u ngritën të vrarët e tij nga varret, e ta falin. Ne jo, kurrë!
Autori, Drejtor Ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes







