HomeOP EDIbrahim Rugova, ikona që i dha kombit zërin, fytyrën dhe fisnikërinë e...

Ibrahim Rugova, ikona që i dha kombit zërin, fytyrën dhe fisnikërinë e lirisë/Nga Halil Teodori

Advertismentspot_img

Nga Halil Teodori
Ka personalitete që nuk i përkasin vetëm historisë së një kombi, por frymës së tij. Te shqiptarët e Kosovës, një figurë e tillë ishte Ibrahim Rugova, njeriu që i dha zë një populli të heshtur, dinjitet një çështjeje të shtypur dhe shpresë një epoke të errët. Ai ishte një ndër ato qenie të rralla që vijnë vetëm një herë në histori, për të rikthyer një popull në identitetin dhe orientimin e vet të natyrshëm: drejt lirisë, Evropës dhe humanizmit.

I lindur më 2 dhjetor 1944 në Cerrcë të Istogut, Rugova u formua si intelektual i thellë, studiues i letërsisë dhe filozofisë, estetik dhe mendimtar. Ai i afroi politikës shqiptare një dimension të panjohur më parë: kulturën e paqes. Vetë ai do të shprehej:

“Ne duam të jemi të lirë, të barabartë dhe të pranuar në familjen evropiane, me rrugë paqësore, me durim, me kulturë politike.”

Në vitet kur Kosova shihte fytyrën më barbare të dhunës serbe, Rugova zgjodhi një rrugë që pak kush do ta kishte guximin ta mbante: rezistencën paqësore. Jo nga dobësia, por nga madhështia. Ai e kuptoi se Kosova mund të fitonte vetëm duke treguar se ishte më dinjitoze se dhuna, më e qytetëruar se padituria, më humane se barbaria që e rrethonte.

Shpesh e quanin “Gandhi i Ballkanit”, por ai kjo nuk e pëlqente. Siç do të thoshte:

“Ne nuk bëjmë politikë imitime; ne ndërtojmë rrugën tonë, duke respektuar vlerat universale.”

Artist, moralist, filozof, lider, një njeri me shumë dimensione

Rugova ishte shumë më tepër se një politikan. Ai ishte një artist i fjalës dhe mendimit, njohës i thellë i letërsisë shqipe dhe botërore, studiues që i mungon ende sot letrave shqiptare. Ai ishte një moralist i përkorë, që shpesh do të qëndronte mbi politikat e ditës, dhe një filozof që fjalën e latonte si gurin e çmuar.

“Nji ndër burrat e rrallë të kombit shqiptar. Ndoshta ma i rralli ndër shekujt e fundit. Sepse na cilsohemi, simbas tjerve, popull hakmarrës, i pamëshirshëm e shkatrrimtar. Ai u përpoq me spjegue shkrimtarin e madh kosovar Pjetër Bogdanin, ndërkaq Pjetër Bogdani zotnoi shpirtin e Ibrahim Rugovës, mëton At Zef Pllumi.

Shkrimtari Ndue Ukaj do të shprehej për të: “Misionari nuk vdes. Ai predikon misionin, bashkon grigjën rreth idesë së shenjtë dhe shkon në përjetësi, duke lënë pas shpirtin që endet si shkëndijë udhërrëfyese.”

E tillë është sot trashëgimia e Rugovës: një shkëndijë që vazhdon të ndriçojë rrugën e Kosovës.

Urat e Rugovës: Diplomacia e kulturës dhe e dinjitetit

Rugova ishte një prej rrallëve që mbajti në duar dy instrumente që zakonisht nuk shkojnë bashkë: politikën dhe kulturën. Ai i çoi shqiptarët në kancelaritë më të rëndësishme të botës jo me kërcënime, jo me forcë, por me argument, kulturë, qetësi dhe vizion. Presidenti francez Jacques Chirac e përshkroi kështu: “Rugova ishte zëri i arsyes në një Ballkan që digjej nga pasionet.”

Ndërsa Madeleine Albright u shpreh: “Ai foli me një qetësi që i dha botës të kuptojë se Kosova meritonte lirinë.”

Ndërsa vetë Rugova do të shpallte filozofinë e tij: “Paqja është rruga jonë, sepse paqja është jeta.”

Shëmbëlltyra e urtësisë në kohë stuhi

Me thjeshtësi të rrallë, me shallin e tij karakteristik, me buzëqeshjen që nuk e largohej as në ditët e errëta, ai personifikoi durimin, kulturën politike dhe humanizmin europian. Pa e ngritur zërin, ai u bë zëri i të shtypurve. Pa e treguar forcën, ai u bë forca e një kombi të tërë.

Me talentet e tij të jashtëzakonshme dhe me një urtësi që kapërcente kohën, ai u përball ballë për ballë me një makineri politike të përgjakshme, që s’kishte tjetër gjuhë veçse atë të dhunës dhe shkatërrimit. Në atë errësirë, ai ndërtoi një realitet tjetër,një shtet paralel, moral dhe institucional, brenda një regjimi që kishte humbur arsyen. Kjo ishte vepra e tij më e guximshme: krijimi i një bote të lirë brenda robërisë.

Me këtë mrekulli politike dhe njerëzore, ai ngjalli admirim në zemrat e botës, preku ndërgjegjen e qindra liderëve të mëdhenj që, përmes mbështetjes së tyre, u rreshtuan krah tij dhe kauzës së popullit që ai përfaqësonte. Ishte kjo magjia e paqes, forca e besimit, e drejtësisë dhe e qëndresës së qetë, një magji e natyrës prometeane, të cilën ai diti ta mishëronte si askush tjetër.

Dhe pikërisht kjo fuqi e brendshme, kjo dritë që ai mbante brenda vetes, dëshmoi se pengesat ndërkombëtare, sa do të mëdha të dukeshin, bëheshin të vogla përballë domosdos së mbrojtjes së Kosovës. Bota, me një ndjeshmëri që rrallëherë zgjohet në histori, u bashkua përkrah misionit të tij , një mision që ai e kishte bërë busull të jetës dhe që populli i tij e bëri shpresë të së ardhmes.

Rugova ishte shembulli i një lideri që, siç thoshte Vaclav Havel, “udhëheq duke qenë shembull, jo duke qenë i frikshëm”. Havel-i, që e njihte thellë filozofikisht dhe personalisht, e vlerësoi kështu: “Rugova ishte një nga ata intelektualë që e shndërroi etikën në politikë.”

Dhe kjo është, në të vërtetë, madhështia e tij e pazëvendësueshme.

Ikja që solli një pranverë

Kur u nda nga jeta më 21 janar 2006, ai u largua në një janar të akullt, por pas la pranverën e ëndrrës së tij: Pavarësinë e Kosovës.

Ai iku fizikisht, por la pas më shumë se kushdo tjetër: la rrugën që Kosovën e çoi në shtetin që ka sot; la filozofinë që e vendosi kombin në perëndim; la kulturën e një politike paqësore që ende mban gjallë identitetin qytetar të kosovarëve.

Shkrimtari Rexhep Qosja, me të cilin pati raporte të ndërlikuara, do të thoshte megjithatë: “Rugova mbetet një ndër figurat më të mëdha politike që ka nxjerrë Kosova.”

Nëse politika shpesh ndan, Rugova bashkoi. Bashkoi idenë me idealin, popullin me kauzën, Europën me Kosovën.

Trashëgimia që nuk shuhet

Sot, Ibrahim Rugova është më shumë se kujtesë. Ai është testament i gjallë i asaj që popujt mund të arrijnë kur udhëhiqen nga vlera dhe vizion, jo nga hakmarrja e ambicia individuale. Ai la pas shembullin se politika mund të jetë e denjë, e kulturuar, estetike, e përulur dhe e ndritshme.

Ai na e dha këtë kredo që mbetet program politik e moral i çdo shqiptari:

“Kosova duhet të jetë e pavarur dhe e integruar në Evropë. Kjo është rruga jonë e natyrshme.”

Nuk do të ketë dy Rugova. Kombet janë të bekuara kur kanë një.

Dhe Kosova pati një.

Ibrahim Rugova mbetet një ikonë kombëtare, një ndërgjegje e qytetëruar e politikës shqiptare, një misionar i paqes, një arkitekt i pavarësisë dhe një personalitet që, nuk vdes, sepse misioni i tij ecën përpara brez pas brezi”.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular