HomeOP EDBilanci i pakushtetutshmërisë së burgimit të përjetshëm/NGA FLORJAN KALAJA

Bilanci i pakushtetutshmërisë së burgimit të përjetshëm/NGA FLORJAN KALAJA

Advertismentspot_img

NGA FLORJAN KALAJA

Në 13 shkrime të rubrikës “Dilema mbi Kodin e ri Penal” janë konstatuardisa problematika kushtetuese dhe konventore që mbart projekti i Kodit të ri Penal, konkretisht sipas variantit të bërë publik dhe zyrtar në mbledhjen shkëlqyese dhe me krerë të lartë drejtësie në fundkorrikun e vitit 2025, tryezë kjo e organizuar si reklamë nga Ministria e Drejtësisë. Duke pasur parasysh këtë bilanc pakushtetutshmërishë të konstatuara në vijimësi, kam vlerësuar të domosdoshme të trajtoj tashmë pasojat juridike që ato passjellin tek dënimi me burgim të përjetshëm, i cili përbën edhe dënimin më të rëndë penal që parashikon ky Kod. Sikurse do të konstatohet në këtë shkrim, rezulton se dënimet me burgim të përjetshëm kurrë më parë nuk kanë qenë më të papajtueshme me nenin 17 dhe 25 të Kushtetutës dhe me nenin 3 të KEDNJ se sa në projektin e Kodit të Ri Penal.

Së pari, dënimet me burgim të përjetshëm të parashikuara nga vepra penale: (i) pirateria, konkretisht pika 4 e nenit 431 të Projektit të Kodit të ri Penal; (ii) nga vepra penale e prostitucionit të fëmijëve, parashikuar nga pika 8 e nenit 804 e tij dhe (iii) nga vepra penale e rrëmbimit apo mbajtjes peng, parashikuar nga neni 830 të tij, janë të papajtueshme me nenin 7, 17, 25 dhe 135 të Kushtetutës, pasi janë konceptuar prej draftuesve si dënime fikse dhe të vetme në formësimin e hipotezës sanksionuese të normës penale.

Ndërkohë që për të miturit në konflikt me ligjin, femrat dhe bashkëpunëtorët e drejtësisë nuk ka sanksione ligjore fare në ligjin penal kur janë autorë të këtyre veprave penale, për gjithë pjesën tjetër të autorëve, pavarësisht rrethanave, realizimit të fajësisë kontributit relevant dhe gjithçka tjetër, që duhet të mbajtur parasysh për individualizimin e dënimit, ligji ka parashikuar për ta paraprakisht vetëm dënimin penal me burgim të përjetshëm. Në këtë mënyrë draftuesit e projektit të Kodit të ri Penal ia kanë besuar pushtetin e individualizimit konkret të përgjegjësisë penale për të pandehurit Kuvendit.

Ndërkohë këta draftues të vitit 2025 gjykatës ia kanë kufizuar pushtetin kushtetues vetëm në konkluzionin fajtor apo jo.

Së dyti, pika 1 dhe 2 e nenit 30 dhe neni 816 i projektit të Kodit të ri Penal ka lejuar dhe/ose detyruar gjykatën që, edhe për veprat penale të mbetura në tentativë, të caktohet dënimi më i rëndë penal që ekziston, konkretisht dënimi me burgim të përjetshëm. Kështu ky dënim është fiks dhe i detyrueshëm në rastin e normave njësanksionëshe, konkretisht (i) në nenin 431/ 4; (ii) në nenin 804/8, i përforcuar edhe nga përsëritja e parashikimit të nenit 816 i tij; (iii) dhe në nenin 830 të projektit.

Kjo anomali kushtetuese dhe konventore konstatohet edhe në pikën 6 të nenit 704, konkretisht tek vepra penale e trafikimit të të miturve. Nga ana tjetër, gjykatat lejohen nga ligji të zbatojnë dënimin me burgim të përjetshëm edhe për veprat penale të mbetura në tentativë, kur ajo është e plotë, pavarësisht se pasoja nuk ka ardhur dhe pavarësisht se kushti ligjor i caktimit të dënimit me burgim të përjetshëm, sipas pikës 1 të nenit 71 të këtij projekti, është që nga vepra penale të kenë ardhur pasoja veçanërisht të rënda. Kjo do të thotë se dënimi me burgim të përjetshëm nuk pajtohet me parimin e individualizimit të dënimit të drejtë dhe me parimin e proporcionalitetit, cilësi kushtetuese dhe konventore këto të detyrueshme për ligjin penal që t’i ketë, sipas nenit 17 dhe 25 të Kushtetutës dhe nenit 3 të KEDNJ. Në këtë pjesë grupi i punës i vitit 2025 nuk ka as standardet bazike të drejtësisë penale të vendosura në vitin 1944 nga Vendimi nr. 224 i Këshillit të Shtetit, standarde sipas së cilave normat ligjore penale që nuk ndërtohen sipas parimit të shkallëzimit të fajësisë dhe dënimit janë të papajtueshme me parimet kushtetuese. Më tej, sikurse kam sjellë në vëmendje në shkrimet e mëparshme, grupi i punës shpërfill jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të vitit 1992, 1997 dhe 2016 mbi çështjen e dënimeve fikse.

Së treti, projekti i Kodit të ri Penal parashikon 28 rrethana ligjore, duke mbledhur aritmetikisht pikën 2 të nenit 154 me parashikimet e nenit 178 të tij, të cilat ndalojnë kategorikisht zbatimin e lirimit me kusht për të dënuarit me burgim të përjetshëm. Kjo do të thotë se, edhe dënimet me burgim të përjetshëm, që nuk preken nga pakushtetutshmëritë e sjella në vëmendje më lart, preken nga pakushtetutshmëria e nenit 178 dhe pikës 2 të nenit 154 të këtij projekti. Në këtë mënyrë për të gjitha këto dënime penale me burgim të përjetshëm, të pashqyrtueshme në kohë nga gjykata dhe pavarësisht rrethanave që ka krijuar tek secili i dënuar ekzekutimi i dënimit, draftuesit e projektit kanë vendosur prezumimin ligjor të pandryshueshmërisë së rrezikshmërisë shoqërore të të dënuarve deri në frymën e fundit.

Nga ana tjetër për këto të dënuar shpresëhumbur nuk ka kuptim asnjë ligj penitenciar dhe asnjë e drejtë e të burgosurve, që ndjek qëllime rehabilituese dhe risocializuese, pasi ato e dinë me sigurinë e ligjit se, pavarësisht çdo përpjekje të tyre në këtë drejtim, vdekja e tyre do të ndodhë që qeli dhe se fitimi i lirisë para frymës së fundit është një iluzion të cilin vetëm mund ta ëndërrojnë, por jo ta prekin. Në këtë mënyrë në të gjitha këto raste dënimi me burgim të përjetshëm mbetet përjetësisht ndëshkues, duke u konsideruar sakaq, sipas standardeve të jurisprudencës së Dhomës së Madhe të GJEDNJ të mbajtura në çështjen “Vinter dhe të tjerë kundër mbretërisë së Bashkuar”, që në momentin e caktimit të tyre si dënime penale çnjerëzore dhe si të tilla të papajtueshme me nenin 3 të KEDNJ. E nëse janë të papajtueshme me të drejtën absolute të individit për t’iu mos iu nënshtruar torturës apo trajtimit çnjerëzor, sipas nenit 3 të KEDNJ, ato janë automatikisht të papajtueshme edhe me nenin 17 dhe 25 të Kushtetutës, ku ndalohet artikulimi nga ligji i çdo dënimi penal mizor.

Së katërti, duke pasur parasysh jurisprudencën e Dhomës së Madhe të GJEDNJ në çështjen “Vinter dhe të tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar”, rezulton se çdo dënim me burgim të përjetshëm që e ka periudhën ligjore të sigurisë mbi 25 vjet burgim, është i papajtueshëm me standardet absolute të nenit 3 të KEDNJ. Parashikimi i pikës 1 të nenit 181 në lidhje me parashikimin e pikës 2 të nenit 154 të projektit të Kodit të ri Penal passjellin konkluzionin kategorik se, në çdo dënim me burgim të përjetshëm, që parashikon ky projekt dhe që mund të caktojë gjykata, nëse ai do lejohet të shndërrohet në realitet normativ në të ardhmen, periudha ligjore e sigurisë do të jetë mbi 35 vjet burgim ose deri në frymën e fundit të të dënuarit. Kjo do të thotë se, edhe dënimet me burgim të përjetshëm që i shpëtojnë pakushtetutshmërive të sjella në vëmendje më lart, nëse ka qoftë edhe teorikisht të tilla, do të jenë dënime penale të papajtueshme me nenin 3 të KEDNJ dhe si të tilla automatikisht të papajtueshme edhe me nenin 17 dhe 25 të Kushtetutës.

Nga ky bilanc pakushtetutshmërishë të (i) pikës 1 dhe 2 të nenit 30; (ii) të pikës 2 të nenit 154; (iii) të nenit 178; (iv) të pikës 1 të nenit 181; (v) të pikës 4 të nenit 431; (vi) të pikës 4 të nenit 704; (vii) të pikës 8 të nenit 804; (viii) të nenit 816; dhe (ix) të nenit 830 të projektit të Kodit të ri Penal automatikisht shndërrohet në dispozitë të papajtueshme me nenin 17 dhe 25 të Kushtetutës dhe me nenin 3 të KEDNJ edhe (x) neni 71 i projektit të Kodit të ri Penal, konkretisht dispozita që rregullon gjeneralisht dënimin me burgim të përjetshëm. Jo vetëm kaq por, dispozitat përgjegjëse të analizuara në katër pikat më lart, passjellin papajtueshmërinë me nenin 3 të KEDNJ dhe me nenin 17 dhe 25 të Kushtetutës të 30 parashikimeve të Pjesës së Posaçme ku sanksionohet si dënim penal burgimi i përjetshëm, konkretisht: pika 1 e nenit 198 (krime kundër njerëzimit); pika 1, 2 dhe 3 e nenit 198 (krimet e luftës); pika 2 dhe 3 e nenit 199 (krimet e luftës); pika 2 e nenit 202 (krimet e luftës); pika 1 e nenit 203 (agresioni); pika 1 e nenit 210 (dorëzimi i territorit); pika 3 e nenit 217 (zbulimi i kodeve me rëndësi kombëtare); pika 2 e nenit 218 (zbulimi i identitetit); pika 2 e nenit 221 (provokimi i luftës); pika 2 e nenit 229 (kryengritja); pika 1 e nenit 230 (atentati); pika 2 e nenit 239 (aktet terroriste); shkronja “e” e pikës 2 të nenit 247 (financimi i terrorizmit); pika 4 e nenit 431 (pirateria); pika 5 e nenit 432 (sulmi ndaj avionëve dhe mjeteve të tjera të transportit); pika 1 e nenit 441 (shkaktimi i pandemisë); pika 5 e nenit 704 (trafikimi i të miturve); pika 5 e nenit 707 (përfitimi ose përdorimi i shërbimeve të ofruara nga të miturit e trafikuar); pika 5 e nenit 708 (keqtrajtimi i të miturit); pika 1 e nenit 747 (vrasja me paramendim); pika 1 dhe 2 e nenit 748 (vrasja me paramendim për motive); neni 749 (vrasja e funksionarëve publikë); neni 750 (vrasja në rrethana të cilësuara); neni 751 (vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare); shkronja “c” e nenit 772 e lidhur me nenin 768, 769, 770 dhe 771 (ruajtja apo eksportimi i organeve njerëzore, heqja e organeve njerëzore, përdorimi i organeve të hequra në mënyrë të paligjshme dhe nxitja e paligjshme dhe rekrutimi për dhunimin e organeve të kryera këto katër vepra penale të rrethana të cilësuara); pika 8 e nenit 798 (aktet seksuale me të mitur); pika 3 e nenit 800 (përdhunimi); pika 9 e nenit 804 (prostitucioni i fëmijëve); neni 830 (rrëmbimi ise mbajtja peng në gjendje të privimit të lirisë); pika 4 e nenit 831 (shtrëngimi për kryerjen ose moskryerjen e një veprimi të caktuar); pika 4 e nenit 832 (zhdukja me forcë); pika 1 e nenit 880 (vjedhja me padojë vdekjen).

Kjo do të thotë se bilanci i papajtueshmërisë me nenin 3 të KEDNJ dhe me nenin 17 dhe 25 të Kushtetutës e shkaktuar në mënyrë kolaterale edhe tek dispozitat e tjera të projektit të Kodit të ri Penal shkon në + 31 të tilla, krahas atyre të evidentuara në katër pikat e mëlartme. Por ky bilanc i errët sa vjen e rritet kur sillet në vëmendje se dënimi penal me burgim të përjetshëm sanksionohet edhe në Kodin Penal Ushtarak. Rezulton se në këtë të fundit ka 8 vepra penale të cilat përmbajnë në strukturën e sanksionit dënimin penal me burgim të përjetshëm. Kjo do të thotë se gjithsej e ardhmja e shtetit të së drejtës në Shqipëri, qoftë në Bashkimin Europian apo jo në vitin 2030, premton të ketë gjithsej 38 dënime penale me burgim të përjetshme dhe se në të gjitha rastet ky dënim është i papajtueshëm me standardet e nenit 3 të KEDNJ dhe nenit 17 dhe 25 të Kushtetutës.

Aktualisht rendi juridik shqiptar, përfshirë këtu shumatoren e veprave penale për të cilat parashikohet dënimi me burgim të përjetshëm si sanksion në Kodin Penal dhe në Kodin Penal Ushtarak, rezulton se ka 28 dënime me burgim të përjetshëm. Aktualisht ka 7 rrethana ligjore kategorike ndaluese të lirimit me kusht të të burgosurve me dënim të përjetshëm. Aktualisht, megjithëse neni 23 i Kodit Penal e ndalon zbatimin e dënimit me burgim të përjetshëm për veprat penale të mbetura në tentativë, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë e lejon.

Aktualisht nuk ka periudhë ligjore sigurie që gjykata ta zbatojë me detyrim prej ligjit. Aktualisht të gjitha dënimet me burgim të përjetshme, që ligji parashikon dhe që gjykata i cakton, janë të papajtueshme me standardet e nenit 3 të KEDNJ dhe të nenit 17 dhe 25 të Kushtetutës, pasi periudha ligjore e sigurisë, për ato të dënuar me burgim të përjetshëm që lejohet lirimi me kusht, është 35 vjet burgim. Grupi i punës në këtë drejtim, përmes projektit të Kodit të ri Penal, ka kontribuuar në rëndimin e bilancit të pakushtetutshmërive të dënimit me burgim të përjetshëm pa asnjë vetëpërmbajtje.

Së pari, ka konceptuar të detyrueshme sipas ligjit caktimin e periudhës gjyqësore të sigurisë përmbi periudhën ligjore të sigurisë; së dyti, ka sanksionuar me ligj mundësinë e dënimit me burgim të përjetshëm të veprave penale të mbetura në tentativë; së treti, ka shtuar 21 ndalesa kategorike ligjore më shumë për zbatimin e institutit të lirimit me kusht dhe së katërti, ka shtuar me 10 radhët e veprave penale për të cilat në strukturën e sanksionit parashikohet dënimi me burgim të përjetshëm. Vlerësoj se rishikimi i (i) pikës 1 dhe 2 të nenit 30; (ii) i pikës 2 të nenit 154; (iii) i nenit 178; (iv) pikës 1 të nenit 181; (v) i pikës 4 të nenit 431; (vi) i pikës 4 të nenit 704; (vii) i pikës 8 të nenit 804; (viii) i nenit 816; dhe (ix) i nenit 830 të projektit të Kodit të ri Penal është imperativ dhe rrjedh nga nevoja për të zbatuar nenin 3 të KEDNJ dhe nenin 17 dhe 25 të Kushtetutës. Ndreqja e këtyre dispozitave do të çkolateralizojë pakushtetutshmërinë dhe mungesën e konvencionalitetit të 31 dispozitave penale të tjera të individualizuara më lart, të cilat janë krejt të pafajshme në raport me grupin e mëlartëm.

*Autori, gjyqtar në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular