Intervistë me Mimoza Hajdarmataj, sekretare e përgjithshme e Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë
Aplikimi për herë të parë i sistemit bonus–malus pritet të sjellë efekte pozitive në tregun e sigurimit të detyrueshëm të mjeteve.
Mimoza Hajdarmataj, sekretare e përgjithshme e Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, thotë për “Monitor” se ky sistem do të përcaktojë tarifim më të drejtë, të bazuar në historikun real të dëmeve, ulje të sjelljeve abuzive dhe edukim gradual të konsumatorit drejt çmimeve të bazuara në risk real.
Nga ana tjetër, ajo thekson se ky sistem nuk duhet parë thjesht si tarifim, por si një mekanizëm që motivon kulturën e sigurimit, transparencën e të dhënave dhe bashkëpunimin mes institucioneve.
Znj. Hajdarmataj thotë se industria e sigurimeve parashikon një zgjerim të digjitalizimit të produkteve dhe proceseve në vazhdim.
Digjitalizimi pritet të automatizojë procedurat e marrjes në sigurim si dhe vlerësimit të riskut, duke përdorur baza të dhënash të përmirësuara, ndërsa kompanitë do të përdorin aplikacione digjitale për komunikimin me klientin dhe Inteligjencën Artificiale për parashikimin e riskut dhe menaxhimin e dëmeve.
Si e vlerësoni ecurinë e tregut të sigurimeve gjatë vitit 2025 dhe cilat ishin zhvillimet kryesore?
Viti 2025 ka qenë një vit ku tregu i sigurimeve ka treguar qëndrueshmëri dhe rritje dyshifrore.
Për 10-mujorin, primet e shkruara bruto arritën në 22.3 miliardë lekë, me një rritje prej 10.5% krahasuar me një vit më parë. Kjo tregon se industria po lëviz drejt një strukture më të formalizuar dhe më të afërt me standardet europiane.
Rritja është udhëhequr nga sigurimi MTPL, me një rritje prej 14%, efekt i drejtpërdrejtë i modelit të ri aktuarial i përllogaritjes së primit.
Por duhet ta themi qartë: edhe pse kemi rritje të qëndrueshme, niveli i penetrimit të sigurimeve në Shqipëri mbetet ndër më të ulëtit në rajon dhe në Europë. Rritja absolute është pozitive, por baza nga e cila po rritemi është ende e vogël.
Mbështetemi kryesisht në sigurimet e detyrueshme, qoftë nga shteti, apo nga marrëdhënie të tjera kontraktuale. Prandaj, ky është një moment i rëndësishëm për reflektim dhe orientim strategjik.
Nga viti 2026, pritet të zbatohet sistemi bonus-malus për sigurimin e detyrueshëm motorik TPL. A është tregu i përgatitur për këtë ndryshim dhe si prisni të ndikojë kjo risi në tregun e sigurimeve?
Reforma bonus–malus është një prej ndërhyrjeve më të rëndësishme strukturore për tregun motorik. Nga të dhënat e vitit 2025, shohim qartë se industria ka bërë punën e duhur për t’u përgatitur.
Tarifat janë stabilizuar, cilësia e të dhënave është përmirësuar ndjeshëm, procedurat e raportimit janë standardizuar dhe ka një përmirësim nga ana teknike te kompanitë.
Industria ka bërë investime të dukshme në kapacitetet teknologjike dhe në infrastruktura që janë të domosdoshme për funksionimin e bonus–malus dhe për proceset e reja të vlerësimit të riskut.
Po shohim sisteme më të avancuara të menaxhimit të të dhënave, integrim më të mirë të platformave me AMF-në dhe institucionet e tjera, rritje të saktësisë dhe cilësisë së informacionit të përdorur për aktuarët, infrastrukturë IT që mbështet tarifimin dinamik dhe individualizimin e riskut.
Këto nuk janë thjesht përmirësime teknike, ato janë përgatitja thelbësore për një treg që do të funksionojë mbi bazën e të dhënave të sakta dhe një kuadër tarifimi të diferencuar.
Bëhet fjalë për kapacitetin real të industrisë për të zbatuar me korrektësi reformat, për të operuar me transparencë dhe për t’u afruar me standardet e Bashkimit Europian.
Bonus–malus pritet të sjellë disa efekte të drejtpërdrejta pozitive: tarifim më të drejtë, të bazuar në historikun real të dëmeve; ulje të sjelljeve abuzive; rritje të disiplinës në tregun motorik; edukim gradual të konsumatorit drejt çmimeve të bazuara në risk real.
Nga ana tjetër, është shumë e rëndësishme të theksojmë se kjo reformë nuk mund të shihet thjesht si tarifim, ajo motivon kulturën e sigurimit, transparencën e të dhënave dhe bashkëpunim mes institucioneve. Shoqata jonë është e angazhuar të asistojë që procesi të jetë i drejtë dhe i unifikuar.
Si e vlerësoni shkallën e digjitalizimit në tregun e sigurimeve dhe çfarë risish prisni në këtë drejtim gjatë vitit 2026?
Digjitalizimi është një nga faktorët që mund të transformojë rrënjësisht tregun. Deri më sot, industria ka bërë hapa të rëndësishëm, nga shitjet online, tek automatizimi i proceseve dhe integrimet teknike për produktet e detyrueshme.
Në vijim presim faza të reja të digjitalizimit, si automatizim i procedurave të marrjes në sigurim, si dhe vlerësimit të riskut, duke përdorur baza të dhënash të përmirësuara; aplikacione digjitale për komunikimin me klientin, që do të rrisin eficiencën dhe transparencën; Inteligjencë Artificiale për parashikimin e riskut dhe menaxhimin e dëmeve; harta digjitale të riskut, të cilat janë të domosdoshme për sigurimin e pronës, në një vend me ekspozim ndaj rreziqeve natyrore.
Cilat janë pritshmëritë tuaja kryesore për ecurinë e tregut të sigurimeve gjatë vitit 2026 dhe cilat besoni se do të jenë sfidat kryesore?
Për 2026 presim një ecuri pozitive të tregut, në vazhdën e dinamizmit të këtij viti.
Kjo rritje do të varet nga disa faktorë kyç, si formalizimi i MTPL përmes bonus–malus, zgjerimi i kërkesës për sigurim shëndeti, rritja graduale e interesit për sigurimet e pronës, dhe jo vetëm për produktet bazë, përmirësimi i edukimit financiar të publikut, e cila mbetet një sfidë e vazhdueshme, mbështetja institucionale, sidomos në sigurimin e pronës nga rreziqet natyrore.
Në përgjithësi, tregu po ecën në drejtimin e duhur, por për të arritur nivelet europiane na duhet një qasje e bashkërenduar: industri – rregullator – qeveri – publik. Pa këtë katërkëndësh, rritja e qëndrueshme është sfidë. Monitor







