Shqipëria do të ketë për herë të parë një qendër të madhe të të dhënave, falë një investimi prej rreth 100 milionë eurosh nga kompania izraelite ADC, e përzgjedhur pas afrimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Izraelit.
Lajmi bëhet i ditur nga media izraelite “Globes”.
Projekti do të ndërtohet në një zonë të lirë ekonomike pranë Tiranës, në TEDA, dhe do të ketë një kapacitet fillestar prej 32 megavatësh, me mundësi zgjerimi deri në 100 megavatë. Qendra e të dhënave do të funksionojë mbi teknologjinë e avancuar të procesorëve grafikë të Nvidia-s dhe do të shërbejë për përpunim të avancuar të të dhënave dhe inteligjencës artificiale.
Falë statusit të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për Bashkimin Europian, projekti ka përfituar kushte të përshpejtuara dhe favorizuese. Leja e ndërtimit është miratuar brenda vetëm 60 ditësh, ndërsa objekti po ndërtohet në tokë shtetërore, me infrastrukturë energjetike dhe komunikimi të përgatitur paraprakisht.
Qendra do të furnizohet me energji të gjelbër nga burime hidroelektrike, ndërsa kompania publike e energjisë po ndërton një nënstacion elektrik të dedikuar për këtë projekt. Në aspektin financiar, 75% e kostos së investimit mbulohet nga një linjë kredie e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Edhe pse ndërtimi nuk ka përfunduar ende, qendra e të dhënave ka siguruar tashmë tre klientë të rëndësishëm, mes tyre një kompani shqiptare e teknologjisë, një kompani gjermane dhe një institucion qeveritar shqiptar, identiteti i të cilit mbetet konfidencial.
Sipërmarrësit e projektit synojnë të tërheqin klientë europianë dhe amerikanë që kërkojnë qendra përpunimi të inteligjencës artificiale të bazuara në energji të pastër, në një kohë kur SHBA po përballet me kufizime serioze në zhvillimin e qendrave të reja të të dhënave dhe kapaciteteve energjetike.
Ky investim vjen në një moment të afrimit të fortë politik mes Shqipërisë dhe Izraelit, i cili është intensifikuar pas sulmit kibernetik ndaj Tiranës në vitin 2022 dhe bashkëpunimit të mëvonshëm në fushën e sigurisë kibernetike dhe të mbrojtjes./Scantv







