HomeEkonomiDrejtoresha e INSTAT: Përgatitjet për realizimin e Censit të Bujqësisë janë drejt...

Drejtoresha e INSTAT: Përgatitjet për realizimin e Censit të Bujqësisë janë drejt përfundimit

Advertismentspot_img

Drejtoresha e përgjithshme e INSTAT, Lantona Sado, deklaroi sot se përgatitjet për realizimin e Censit të Bujqësisë janë drejt përfundimit dhe procesi pritet të nisë në tetor të vitit 2026.

Gjatë shqyrtimit të Planit për zbatimin e Programit të Statistikave Zyrtare 2022–2026 në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, Sado tha se janë në pritje që Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të depozitojë në Kuvend projektligjin e hartuar nga INSTAT për këtë qëllim.

“Kemi një sfidë këtë vit që lidhet me Censin e Bujqësisë, i cili do të shërbejë për hartimin e politikave socio-ekonomike të vendit. Ndërkohë presim miratimin e projektligjit, që aktualisht ndodhet në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Kemi ngritur njësinë e Censit. Parashikohet që Censi të realizohet në tetor të këtij viti dhe do të përfshijë prodhimin e bimëve, blegtorinë, përdorimin e tokës dhe inputet bujqësore”, tha Sado.

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ngriti shqetësimin mbi mundësinë e një konflikti interesi lidhur me rolin e Ministrisë së Bujqësisë në organizimin e Censit.

Braçe theksoi se Ministria, si institucion me interes të drejtpërdrejtë në rezultatet e censit, nuk duhet të jetë përgjegjëse për procesin.

“Nëse do të bëni një Cens siç e do ministrja e Bujqësisë, mos i harxhoni lekët kot. Do të dalin më shumë lopë se para 10 vjetësh, do të dalin më shumë dele dhe do të rezultojë se prodhojmë më shumë sesa importojmë. Ministria e Bujqësisë ka interes që prodhimi bujqësor dhe blegtoral të rezultojë sa më i lartë. Ne duam një Cens që të na tregojë të vërtetën dhe jo të konfirmojë deklaratat e Ministrisë. Projektligji duhet t’i paraqitet Parlamentit për miratim. Nuk mund të paraqesë ligjin një institucion që është i interesuar drejtpërdrejt”, tha Braçe.

Në përgjigje të këtyre shqetësimeve, Sado sqaroi se është INSTAT që ka hartuar dhe konsultuar projektligjin për Censin dhe se pret që Ministria ta paraqesë atë në Komision për shqyrtim.

“Jemi të vetëdijshëm për ndjeshmërinë që ka procesi i Censit të Bujqësisë, i cili synon të plotësojë nevojat për informacion të pavarur, të saktë dhe me cilësi. I gjithë projektligji është hartuar dhe konsultuar nga INSTAT dhe i është përgjigjur rekomandimeve që vijnë nga Bashkimi Europian në lidhje me censet e bujqësisë dhe aktivitetet e tjera të rëndësishme statistikore. Në fazën aktuale, projektligji i është dorëzuar Ministrisë së Bujqësisë, pasi INSTAT nuk ka tagër ligjor ta propozojë vetë në Kuvend”, u shpreh Sado.

Edhe kryetarja e Komisionit Parlamentar për Ekonominë, Milva Ekonomi, theksoi rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së statistikave zyrtare.

“Një nga gjërat që duhet të keni parasysh është mbajtja fort e parimit të statistikave të pavarura, të cilat bazohen në një kornizë legjislative dhe metodologjike. Korniza legjislative hartohet dhe dërgohet në Këshillin e Ministrave. Në këtë rast bëhet fjalë për një aksion kombëtar dhe nisma duhet të shkojë në Këshillin e Ministrave”, tha Ekonomi.

Censi i Bujqësisë do të përfshijë një gamë të gjerë informacioni, përfshirë të dhëna mbi sipërfaqet e tokave të mbjella, llojet e bimëve dhe të bagëtive, përdorimin e makinerive bujqësore dhe teknologjive moderne, si edhe numrin e të punësuarve në sektor dhe aktivitetet blegtorale.

Ky proces do të ofrojë informacion të vlefshëm për identifikimin e nevojave dhe mundësive për përmirësimin e sektorit bujqësor, duke kontribuar në rritjen e prodhimit vendas dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për fermerët.

Ky Cens do të zhvillohet 14 vjet pas “fotografimit” të fundit të bujqësisë në Shqipëri. Procesi i numërimit do të zgjasë katër javë dhe personat që refuzojnë të japin informacion për punonjësit e INSTAT do të gjobiten nga 30 mijë deri në 100 mijë lekë.

Fillimisht, Censi i Bujqësisë ishte planifikuar për vitin 2022, por u shty për në 2024-n, ndërsa afati i ri për zhvillimin e tij është tashmë viti 2026. ATSH

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular