PROF.ROMEO GURAKUQI
Drama që po përjetojnë sot banorët Arbër të Rrjollit në Shkodër, dhimbja e qëndresa e papërshkrueshme e atyre burrave që mbrojnë tokat e lëna trashëgim nga të Parët, britmat e fëmijëve dhe familjarëve përballë policisë dhe ekskavatorëve të fabrikuesve të dokumentacionit, më nxitën të shkruaj disa radhë për publikun, por para së gjithash për organet dhe individët që kanë për detyrë mbrojtjen e shtetit, të drejtës dhe të qytetarit, hetimin rrënjësor të dokumentacionit të njerëzve të pushtetshëm, që vendosin në rreshtin e shërbimit me turp, institucionet.
Që në krye më duhet të kujtoj se bregdeti shqiptar, nga rrjedha e djathtë e lumit Buna në territorin e Malit të Zi të sotëm deri në Bregmatë, ka qenë historikisht, në përgjithësi, një hapësirë e lidhur ngushtë me jetën dhe organizimin shoqëror të fiseve të malësorëve të Malësisë së Madhe. Ajo hapësirë ka shërbyer si vendbanim dhe strehim dimëror në kuadër të një shtegtimi shekullor, periodik, të rregulluar sipas ritmit të stinëve, nga vendbanimet e tyre të origjinës në Alpet Perëndimore të Arbërisë. Duke qenë se në një kohë, këto zona ishin jo të përshtatshme për banim, për shkak të vërshimeve dhe përmbytjeve gjatë dimrit dhe moçaleve gjatë verës, shteti osman, deri vonë, nuk tregoi ndonjë interes të posaçëm për këtë pjesë të popullsisë raja dhe këto zotërime të tyre. Për rrjedhojë, këto bashkësi, në vetminë e tyre stoike e krenare, ruajtën për shekuj me radhë, shqiptarinë e pastër e të paprekur, një identitet të fortë etno-kulturor, një sistem normativ të brendshëm dhe një marrëdhënie të posaçme me tokën, jo thjesht si pasuri materiale, por si truall i jetës komunitare, i nderit dhe vazhdimësisë familjare dhe etnike të Arbërisë.
Për të kuptuar këtë proces, mjafton të konsultohen botimet dokumentare dhe studimet mbi kohën, si dhe dokumentacioni i Arkivave të ish-Perandorisë dhe të Vatikanit i botuar së fundmi në shqip. Ato dëshmojnë qartësisht çfarë ndodhi me Arbërinë pas rrënimit të shekullit XV; me pronësinë e fisnikërisë vendase, kur shteti osman, me ngadhnjimin fatkeq mbi jetët tona të lira adriatikase, e shndërroi tokën Arbërore në pronë të vetën, erazi mirie (arazi mirî), pasi fshiu të drejtat pararendëse; aty dëshmohet po ashtu se, e drejta mbi tokën ka qenë një fushë tensioni midis bashkësive vendase dhe strukturave perandorake osmane, ku e drejta e përdorimit nuk përkonte domosdoshmërish me pronësinë e plotë. Në kohë të ndryshme Porta e Lartë ka caktuar persona të privilegjuar, ose që kanë pranuar shërbimin, me misionin e zhvendosjes dhe dobësimit të vendasve të panënshtruar Alpinë, si mjet presioni ekonomik për arritjen e nënshtrimit politik, që në fakt nuk u arrit kurrë: Arbëria ia doli të mbijetojë dhe të furnizojë me identitet e ndërgjegje të orientueme, Rilindjen e Kombit dhe të Shtetit më 1912.
Në debatin e sotëm, të ndezur nga akaparime korruptive, të mbarsura dhe të bashkëshoqëruara me paragjykime të përkundërta me parimet e konsijancës nacionale, shpesh ngatërrohet prona e prejardhur nga trashëgimia, blerja ose dhurimi privat, me të drejtën e administrimit të pronave të mëdha bujqësore, apo të fshatrave të tëra, të cilat, në periudha të caktuara historike janë dhënë me akte me fuqi detyruese për dhënie privilegjesh, individëve, në këmbim të shërbimit ndaj autoritetit qendror osman. Kjo e fundit, në shumicën e rasteve, nuk përbënte pronësi në kuptimin modern të fjalës, por një të drejtë përdorimi të kushtëzuar nga shërbimi politik dhe ushtarak, shpesh të shoqëruar me presion ekonomik dhe nënshtrim social e kulturorë mbi popullsinë vendase. Procese gjyqësore midis vendasve, ish raja, dhe të tillë të ngarkuarve të një kohe të perënduar, që sot pretendojnë transformizëm pronësie sipas konceptit modern europian, gjenden në regjistrat gjyqësorë dhe dokumentacionin historik edhe në vitet 1930–1940. Pra, për të kuptuar drejt situatën e sotme është thelbësore të bëhet dallimi ndërmjet këtyre kategorive juridike dhe historike. Tradita paraosmane e pronësisë në trevat arbërore, si dhe evoluimi i saj gjatë pesë shekujve të sundimit osman, nuk mund të reduktohen në një lexim mekanik të dokumenteve të vonshme administrative. (Shteti i Malit të Zi, sot e kësaj dite, nuk ka prekur dhe cenuar pronën private dhe komunitare të fiseve të Malësisë, si në bregdet, ashtu edhe në zonën para-Alpine të fiseve të Grudës, Hotit, Trieshit dhe Kojës).
Ndërkohë, pavarësia e Shqipërisë në vitin 1912 nuk ishte vetëm një akt politik shkëputjeje nga Perandoria Osmane, ajo ishte edhe një reformë me karakter thelbësor juridik dhe kushtetues, që shënoi fillimin e një procesi të gjatë rindërtimi të sistemit të pronësisë në përputhje me parimet e shtetit modern europian. Reformat agrare të shekullit XX synuan transformimin e sistemit të bazuar mbi pronën e madhe, të përqendruar dhe shpesh të shkëputur nga realiteti i popullsisë vendase, në një sistem më të drejtë dhe më funksional. Përveç çështjeve të modelit politik dhe kontrollit të pushtetit, çështja e pronës ka qenë ndër më themeloret që ndau krahun europianizues dhe de-otomanizues nga krahu i reformave sipërfaqësore, që de facto kontrollonte shtetin e parë shqiptarë të viteve 1920.
Reformat e periudhës ndërmjet dy luftërave botërore nuk arritën ta zgjidhnin problemin themelor me të cilin u përball shteti shqiptar i pavarur: korrigjimin përfundimtar të pabarazive të pronësisë, të krijuara nga regjimi i huaj, përmes sistemit të privilegjeve ekonomike, pronësore, përdoruese dhe servitore, në dëm të popullsisë arbërore të shpronësuar. Gjatë rreth tri dekadave të para, shteti indipendent shqiptar nuk ia doli të hartonte një zgjidhje përfundimtare dhe një mekanizëm juridik të përshtatshëm për korrigjimin me themel të këtyre pabarazive të trashëguara, të cilat buronin nga i njëjti regjim privilegjesh dhe që vijonin të rëndonin mbi popullsinë vendase, të zhveshur nga e drejta e saj pronësore. Sistemi osman mbijetoi në thelb për shkak të kontrollit politik të pushtetit nga ana e çifligarëve të mëdhenj, që nuk pranonin humbjen e privilegjeve në Shqipërinë Indipendente. Në kulmin e Luftës së Dytë Botërore, në muajin shkurt 1944, ministri profesionist dhe largpamës i Bujqësisë, Ago Agaj, miratoi një ligj të ri agrar, i cili do t’u mundësonte mijëra familjeve bujqësore, që prej shekujsh jetonin në shtëpitë e tyre, të bëheshin pronarë të tokave dhe shtëpive, duke u çliruar nga barrët e rënda të tretarëve, pikërisht atyre që, që nga kohët e regjimit të huaj, kishin blerë nga shteti-pronar, thuajse për asgjë, të drejtën e të tretës së prodhimit dhe që në realitet përfaqësonin satrapin e katundit.
Koha e luftës dhe përmbysja sjellë nga komunistët nuk e lejuan njeriun e mirë, të ditur dhe patriot të familjes Agaj të kryente shkëputjen e plotë të sistemit të madh pronësor të Shqipërisë nga e kaluara robëruese. Ajo që nuk u realizua në këtë periudhë nga nacionalistët idealistë, do të kryhej në vitet 1945–1946 nga shteti komunist, i cili, jo vetëm fshiu mbetjet rënduese të kohës osmane, por eci përtej dhe solli edhe ndryshimin e parë rrënjësor të titujve bazorë të pronësisë. Me këtë proces filloi një deformim i ri i së drejtës dhe i prejardhjes së pronësisë. Të drejtat e vjetra u zhdukën me një të rënë të lapsit nga “reforma”, ndërsa “të drejta” të reja u krijuan rishtazi, të cilat, me kalimin e kohës, çuan, jo vetëm në fshirjen e së drejtës osmane mbi tokën, por edhe në harresën e së drejtës fillestare bazore të arbërve, për të legalizuar atë që zotëronin në shekuj, si individë dhe si komunitet, ndër Alpe dhe në zonën e lartpërmendur të interesit tonë imediat.
Ligji i Reformës Agrare i 29 gushtit 1945 përcaktoi fondin e tokës që prekej nga zbatimi i tij. E gjithë toka që hynte në fushën e veprimit të këtij ligji u bë objekt shpronësimi: për pronarët që e punonin vetë tokën me pajisje moderne, kufiri ishte deri në 40 ha; për pronarët që e punonin vetë, pa mjete moderne, deri në 20 ha; ndërsa për ata që nuk e punonin drejtpërdrejt tokën, vetëm 7 ha. Fondi i mbetur iu shpërnda me nga 5 ha fshatarëve të shpronësuar gjatë periudhës osmane, të cilët nuk ishin kompensuar nga shteti kombëtar shqiptar. Në vitin 1946 shteti komunist kreu regjistrimin e të gjitha pronave bujqësore në Shqipëri. Sot, dokumentacioni i atij regjistrimi ndodhet në AQSH dhe është krejt e thjeshtë të verifikohet nga organet ligjzbatuese pronësia e tokave në pretendim sot.
Reformë e parë, e realizuar mbi modelin e partive fshatare ballkanike, u pasua në vitin 1946 nga një reformë edhe më radikale. Ky reaksion fillestar eksperimental do të prodhonte, jo vetëm fshirjen përfundimtare të së drejtës dhe titujve otomanë mbi pronësinë, por do të hapte rrugën më vonë edhe për një spirale të re padrejtësish, që së bashku me zhdukjen dhe falsifikimin e regjistrave kadastralë dhe hipotekorë, papërgjegjshmërinë e gjykatave në mbajtjen llogari të procesit pararendës de-otomanizues mbi pronën e madhe, e ka ngatërruar sot thellësisht origjinën e pronës, trashëgiminë dhe transferimin e ligjshëm të saj si sistem. E gjitha kjo “lehtësoi” më pas proceset e ndërlikuara në të cilat u përfshi zgjidhja e çështjes së pronës mbi tokën në periudhën pas rënies së komunizmit, nga diletantët dhe batakçinjtë e mbirë nga hiçi formativ.
Shteti shqiptar, veçanërisht në periudhën e destabilizimit të tranzicionit politik, jo vetëm që nuk ndërtoi një ligj të studiuar dhe të mirëmenduar, i cili duhej të merrte në konsideratë pararendjen historike të regjimeve të pronësisë, por as nuk arriti të realizojë një regjistrim të plotë, të unifikuar dhe metodologjikisht të qëndrueshëm të pronës mbi tokën, në planin individual dhe atë komunitar të bashkësive të qëndrueshme historike dhe kulturore, për të ndalur më pas të shkathtit akaparues. Ndryshimet e njëpasnjëshme legjislative, mungesa e koherencës institucionale, praktikat administrative abuzive dhe manipulimet dokumentare prodhuan një kaos juridik e formal, në të cilin regjistrimet shpeshherë nuk përputheshin me realitetin faktik të fondit të tokës. Jo vetëm në zonën e Rrjollit, por në mbarë vendin, nëse përpiqesh të vendosësh një rend logjik mbi fondin e tokës ndërmjet kategorive të ndryshme të pretenduesve, sipas dokumentacionit të periudhave të ndryshme historike, bëhet praktikisht e pamundur të arrihet një përputhje matematikore brenda regjistrave kadastralë; përkundrazi, ndeshesh me mbivendosje të theksuara dhe kontradikta të thella. Por, pikërisht për këtë ekziston shteti: për të vendosur rendin, për të ndërtuar logjikën juridike të zgjidhjes, për të studiuar problematikën pronësore, rast pas rasti, me ekspertizë të kualifikuar, për të krijuar rregulla të reja mbi bazë analize dhe drejtësie dhe jo për të reaguar përmes forcës policore apo për të mbajtur anën e më të fortëve në konflikt.
Sot, afera e re është edhe më e komplikuar me ndërhyrjen brutale të oligarkëve të sajuar rishtazi nga boshllëku dhe uria e dikurshme, që marrin përsipër të grumbullojnë paratë e të padukshmëve komandues, të fortëve të kthyer në zotërinj, që fillimisht pikasin pronat komunitare, më pas kinse blejnë “pronat” me letra të reja, të cilat kanë këtë kontradiktë moskorresponduese. E gjithë, kjo është pjesë e dhunës dhe strategjisë së zhbimjes nga trojet stërgjyshore të Arbërve, të pambrojtur nga askush, nga struktura që nuk dinë çfarë është Nderi, Besa, Liria, Prona dhe Jeta e Familjes për shqiptarin qe nuk u përkul asnjëherë. Mirëpo, në një shtet që aspiron të jetë europian dhe i bazuar në sundimin e ligjit, prona e ligjshme, ajo e blerë, e trashëguar ose e dhuruar privatisht, është e vetmja formë e paprekshme e saj. Sot, në vitin 2026, mentaliteti i “qytetarëve të dorës së dytë” nuk mund të ketë vend në ndërgjegjen tonë kolektive. Shqipëria është një komb me një gjuhë dhe identitet të përbashkët; por përparimi i saj varet nga përqafimi i plotë i parimeve të lirisë, barazisë para ligjit dhe drejtësisë së paanshme.
Policia e Shtetit, sipas ligjit, i shërben ekskluzivisht interesit publik, dhe ky interes nis me mbrojtjen e qytetarit, jetës, familjes dhe pronës së tij, komuniteteve. Në asnjë shtet europian funksionimi i policisë nuk fillon me mbrojtjen e më të fortëve, apo të subjekteve që paraqiten papritur, pa një verifikim të plotë të ligjshmërisë së pretendimeve të tyre. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, zoti Proda, mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për garantimin e zbatimit të ligjit, për paanësinë institucionale, për verifikimin paraprak të dokumentacionit përkatës dhe për angazhimin e përfaqësuesve institucionalë të përgatitur profesionalisht, të aftë për të respektuar etikën e komunikimit qytetar. Çështja e Rrjollit nuk është thjesht një konflikt administrativ; ajo prek thelbin e shtetit të së drejtës, të drejtën e pronës, sigurinë juridike dhe besimin e qytetarëve tek institucionet. Garantimi i rendit publik nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet në instrument presioni ndaj qytetarëve. Përkundrazi, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë detyrimin kushtetues të sigurojnë balancën midis zbatimit të ligjit dhe mbrojtjes së lirive themelore, si edhe të kryejnë verifikim paraprak dhe objektiv të çështjeve që janë bërë publike nga qytetarët dhe komunitetet e prekura nga rrëmbimi i pasurisë së tyre shekullore. Çdo veprim institucional që perceptohet si i njëanshëm apo disproporcional rrezikon të dëmtojë seriozisht besimin publik dhe autoritetin moral të institucioneve ligjzbatuese. Dhe në qoftë se kjo ndodhë, atëherë vëmendja e organeve të pavarura të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve si Avokati i Popullit, Komisioneri kundër Diskriminimit dhe Prokuroria e Shtetit (të drejtat e individit përbëjnë kujdes mbrojtjeje shtetërore të dorës së parë) duhet të jetë e plotë, jo formale dhe duhet të fillojë të “flasë” kryesisht.
E njëjta gjë mund të thuhet për deputetët e Shkodrës, të tri partive parlamentare: heshtja juaj është për të ardhur keq; është mjerim në ushtrimin e funksionit publik që për ju fillon me qytetarin, gjë që e keni lënë në duart e rastisë dhe rrjedhës së balancave të nëndheshme, në Rrjoll, në Theth, në qendrën e qytetit të Shkodrës, ku po përdhunohen përditë varret e të rënëve në rrethimin e Shkodrës (1913), po shkatërrohet plotësisht me “klithma” gjiganteske, nxirret jashtë funksionit, kanali i madh 180-vjeçarë i shkarkimit të ujërave të bardha, po nga e njëjta skemë që po e zhyt edhe qytetin nën një hije të frikshme, që nuk është më e Rozafës. Si mund të lejoni ju që disa outsiders të pandjeshëm të prekin zemrën tonë komunitare?!
Qyteti ynë është i ngritur mbi parime bashkëjetese vllaznore nacionale, mbi shtylla shpirtërore, që janë pasqyrë e historisë sonë, e traditës, arkitekturës qytetare, që janë të pasqyruara në zemrat e shkodranëve dhe banorëve të hinterlandit. Ju po lejoni që këto zemra të errësohen dhe të humbin besimin dhe së bashku me këtë po lejoni, me puthadorje, humbjen e shkëlqimit të Labiatisë krenare. Në mbrojtjen e qytetarit nuk ka parti dhe kryetar partie që mund t’ju komandojë; nuk ekzistojnë kujdese për t’u ruajtuar nga qejfmbetjet e komandave obskure; betimi mbi Kushtetutë jua detyron pa ngurrim dhe me vetëmohim, mbrojtjen e të drejtave qytetare dhe të komuniteteve, që janë të parat në interesat publike. Keni një model sjelljeve nga deputeti i Pogradecit, Erald Kapri që vjen nga Toskëria të mbrojë malësorët Gegë të Shkodrës, sepse e thërret detyra, ndërgjegjja e kombëtare; sepse e din se amaneti i të Parëve është i shenjtë dhe i paprekshëm; sepse trualli stërgjyshor i rezistencës, mbrojtjes se identitetit dhe familjes është i pacenueshëm.
Një thirrje shkon për qeverinë shqiptare për të ndalur yryshin e Trusteve të krijuara nga askushët e djeshëm, dhunues të sotëm, pretendues për sundues të së nesërmes përkundrejt jetës normale në atdhe të fëmijëve tanë. Çështja e Rrjollit është jo vetëm çështje e mbrojtjes së pronës private, por edhe e pronës komunitare, që nuk është pronë shtetërore, por e bashkësive, pa lejen e të cilave nuk mund të bëni asgjë, në qoftë se doni përnjimend të respektoni ligjet europiane të autonomisë vendore qytetare.
Shqipëria e vitit 2026 duhet të mbrojë vendin dhe popullin e Atë Zef Pllumbit, At Konrad Gjolajt, Dom Dedë Malajt, famullinë ku shërbeu shembullori Dom Alfons Tracki.
Autori, ish-deputet i PD







