Nga Bujar Leskaj
Botimi i një editoriali të përbashkët nga dy autokratët e Ballkanit, Rama dhe Vuçiç, në një prej gazetave më prestigjioze gjermane si “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, gjoja për një qasje të re strategjike për avancimin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian, nuk është thjesht një publikim gazetaresk. Ai është një mesazh politik me peshë për opinionin publik europian.
Pikërisht për këtë arsye, përmbajtja dhe forma e tij kanë rëndësi të veçantë, sidomos për Kosovën dhe kauzën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian.
- Editorial që injoron përgjegjësitë historike të Serbisë
Nëse ky editorial paraqet rajonin përmes prizmit të “bashkëpunimit të ri ballkanik” duke relativizuar konfliktet e së kaluarës, pa theksuar qartë përgjegjësitë historike dhe realitetin e pavarësisë së Kosovës, atëherë ai rrezikon të dëmtojë interesat thelbësore të shtetit të Kosovës në disa drejtime.
Një nga rreziqet më të mëdha të një komunikimi të përbashkët Rama–Vuçiç është krijimi i perceptimit se Serbia dhe Shqipëria janë dy aktorë të baraslarguar nga konfliktet e viteve ’90, duke lënë në hije faktin se Kosova ka qenë viktimë e një agresioni shtetëror nga regjimi serb. Çdo formulim që shmang përgjegjësinë historike të Serbisë për krimet në Kosovë e relativizon të vërtetën dhe dobëson narrativën shtetformuese të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Në një gazetë si “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, e cila lexohet nga elita politike dhe ekonomike gjermane dhe jo vetëm, çdo mesazh i tillë ndikon drejtpërdrejt në formësimin e qëndrimeve të Berlinit ndaj dialogut Kosovë–Serbi.
- Anashkalim i turpshëm i institucioneve të Kosovës
Një editorial i përbashkët që flet për “të ardhmen e rajonit”, pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të përfaqësuesve të Kosovës krijon me të drejtë përshtypjen e një vendimmarrjeje mbi Kosovën, por jo me Kosovën. Kjo qasje bie ndesh me parimin e sovranitetit dhe përforcon një logjikë të vjetër ballkanike, ku të tjerët flasin për fatin e shqiptarëve të Kosovës.
Kosova është shtet i pavarur dhe i njohur nga shumica e vendeve të BE-së, përfshirë Gjermaninë. Çdo përpjekje për të trajtuar çështje rajonale me ndikim të drejtpërdrejtë mbi të, pa praninë e saj si palë e barabartë, dobëson pozicionin e saj ndërkombëtar.
Kosova është shtet i pavarur, i njohur jo vetëm nga Gjermania, por edhe nga shumica e vendeve të Bashkimit Europian. Ajo ka institucione legjitime, të dala nga vota e qytetarëve të saj. Çdo diskutim për të ardhmen e rajonit që prek drejtpërdrejt raportet Kosovë–Serbi, integrimin europian, apo arkitekturën e sigurisë në Ballkan, nuk mund të bëhet pa zërin institucional të Prishtinës!
Kur dy drejtues, njëri nga Shqipëria dhe tjetri nga Serbia, flasin në emër të rajonit, në një platformë kaq të rëndësishme ndërkombëtare, pa përfshirjen e përfaqësuesve të Kosovës, krijohet perceptimi se për Kosovën mund të flitet edhe pa Kosovën. Kjo logjikë i përket një epoke që duhej të ishte mbyllur tashmë dhe përbën një turp për politikëbërjen e Shqipërisë!
Shqipëria ka një rol të veçantë në raport me Kosovën. Jo si zëvendësuese e saj, por si mbështetëse e pakushtëzuar e sovranitetit të saj. Çdo iniciativë që krijon përshtypjen e një dialogu dypalësh Tiranë–Beograd mbi çështje që prekin drejtpërdrejt Kosovën, duhet të jetë e matur dhe e koordinuar me institucionet e Prishtinës.
Në të kundërt, krijohet një hendek i panevojshëm mes dy qeverive shqiptare dhe një perceptim i rrezikshëm se Shqipëria mund të flasë në emër të Kosovës në forume ndërkombëtare.
Gjermania ka qenë një nga mbështetëset më të forta të shtetësisë së Kosovës dhe e ka konsideruar njohjen reciproke si zgjidhje të qëndrueshme. Në editorial theksi vendoset vetëm te bashkëpunimi ekonomik apo stabiliteti rajonal, pa adresuar qartë njohjen, mesazhi mund të interpretohet si zhvendosje e fokusit nga zgjidhja politike tek menaxhimi i përkohshëm i status quo-së. Kjo përbën një kthim pas për Kosovën.
- Rama forcon narrativën shovene serbe në Europë
Në editorial shmanget theksimi i qartë i realitetit të pavarësisë së Kosovës dhe i nevojës për njohje reciproke, duke përcjellë mesazhin se çështja e Kosovës mbetet e hapur për interpretim. Kjo jo vetëm që dobëson pozicionin ndërkombëtar të Kosovës, por i jep Serbisë hapësirë për të forcuar narrativën e saj se statusi nuk është i mbyllur përfundimisht.
Presidenti Vuçiç ka investuar prej vitesh në ndërtimin e një imazhi të Serbisë si faktor stabiliteti dhe partner konstruktiv i Perëndimit. Një editorial i përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë në një gazetë prestigjioze gjermane e përforcon këtë imazh, nëse nuk theksohet qartë se Serbia ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe vijon fushatën kundër njohjeve ndërkombëtare të saj.
Në këtë kuptim, Serbia përfiton një legjitimitet të shtuar europian, ndërsa Kosova rrezikon të paraqitet si “çështje e hapur”, e cila duhet zgjidhur përmes kompromisesh të reja, ndoshta edhe të dhimbshme. Kjo është e pafalshme dhe përbën thikë pas shpine për Kosovën!
Dialogu Kosovë–Serbi ndërmjetësohet nga BE-ja dhe ka si synim normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve, me njohjen reciproke si zgjidhje e qëndrueshme. Çdo mesazh publik që shmang këtë objektiv ose e zëvendëson me formulime të paqarta për “bashkëjetesë rajonale” apo “integrim ekonomik”, pa zgjidhur çështjen e statusit, e zbeh thelbin e procesit dhe braktis Kosovën.
Nëse editoriali i përbashkët i jep përparësi projekteve ekonomike rajonale, pa adresuar çështjen e njohjes së Kosovës, ai rrezikon të forcojë qasjen e Serbisë në bisedimet Kosovë-Serbi, për të shtyrë pafundësisht zgjidhjen politike të mosmarrëveshjeve mes këtyre dy vendeve.
Një aspekt tjetër i ndjeshëm është perceptimi në Kosovë dhe në opinionin publik shqiptar. Çdo përshtypje se Tirana zyrtare është e gatshme të avancojë agjenda rajonale në koordinim të ngushtë me Beogradin, pa një vijë të qartë të kuqe për njohjen e Kosovës, krijon mosbesim dhe përçarje.
Shqipëria ka qenë historikisht mbështetësja më e fortë e pavarësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Çdo lëkundje në këtë qëndrim, qoftë edhe përmes komunikimit gazetaresk, ka pasoja politike dhe emocionale të forta.
xxx
Editoriali i përbashkët Rama–Vuçiç në gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, gjoja në emër të përpjekjeve për të promovuar stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal, prodhon efekt të kundërt. Stabiliteti i qëndrueshëm nuk ndërtohet mbi relativizimin e së kaluarës, anashkalimin e sovranitetit të Kosovës apo mbi mesazhe të paqarta për njohjen reciproke.
Interesat e Kosovës kërkojnë qartësi, jo ambiguitet; barazi në tryezë, jo përfaqësim të tërthortë. Ato kërkojnë, mbi të gjitha, mbështetje të pakushtëzuar për njohjen e saj si shtet i pavarur dhe sovran.
Çdo komunikim ndërkombëtar që dobëson këto parime, qoftë edhe në emër të “realpolitikës”, dëmton jo vetëm Kosovën dhe kauzën e saj, por vetë koherencën e politikës shqiptare në rajon.







