Fjala e mbajtur nga Arben Çejku, në promovimin e romanit “Ministri” të shkrimtarit Ahmet Prençi.
Dante Aligieri, vendet më përcëlluese të Ferrit ua rezervonte atyre që në kohë krizash të mëdha morale qëndrojnë indiferentë! Unë besoj se me angazhimin e tij të jashtëzakonshëm publik, nëpërmjet fjalës si jurist, nëpërmjet punës si drejtues policie, kontributit si intelektual dhe tashmë me veprat si shkrimtar, Ahmet Prençi, të paktën nuk do të shkojë në Ferr!
Romani “Ministri” është një nga veprat më të mirat të Ahmet Prençit, e cila e konsolidon profilin e tij si shkrimtar të angazhuar në kërkim të drejtësisë morale, ligjore, shoqërore dhe institucionale, si një zë të guximshëm intelektual që na fton t’i themi “jo” të keqes, kudo që ajo shfaqet!
Në këtë roman, shkrimtari Ahmet Prençi e shkarkon dhe e burgos “Ministrin” e tij, krimininelin mashtrues, Marjan Boja. Duke njohur prej shumë vitesh karakterin dhe përkushtimin professional si njeri në zbatim të ligjit, mund t’ju garantoj se një Kryeministër si Ahmet Prençi, jo vetëm do ta shkarkonte një person të tillë, por do ta bënte shembull për të tjerët! Në të gjithë tekstin duket qasja e tij kritike ndaj personave dhe fenomeneve të tilla, shprehur nëpërmjet figurës së Arsenit, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Kjo është një arsye më tepër pse unë besoj në sinqeritetin dhe vërtetësinë e kësaj vepre, e cila është jo vetëm pasqyrë e realiteteve që ka njohur vetë zoti Prençi, por edhe një plotësim me ngjarje aktuale që ndodhin përreth tij sot. Unë i besoj autorit dhe mesazhit të romanit, i cili na fton t’i bashkohemi në thirrjen e tij intelektuale për një katarsis, për një pastrim të politikës nga krimi e korrupsioni, për një veting të figurave publike dhe administrative si dhe për një reflektim të të gjithë shoqërisë sonë, e cila është shumë e politizuar dhe fare pak e angazhuar!
Që nga dita kur miku im, shtetari dhe shkrimtari Ahmet Prençi publikoi njoftimin për botimin e romanit të tij të ri, “Ministri” dhe deri sot, kam ndjekur me vëmendje shënimet dhe komentet e shumta që janë bërë për të. Nuk është hera e parë, që botimet e Ahmetit, shoqërohen me një jehonë komentesh, analizash, diskutimesh dhe publikimesh gjithandej. Heshtja e vret një vepër, kurse diskutimet dhe debatet rreth saj i japin jetëgjatësi. Uroj që librat e Ahmetit, të shoqërohen gjithnjë me diskutime..
Kam thënë që në fillim se, romani për të cilin jemi mbledhur sot, do të ketë jehonë të madhe deri në tronditje të opinionit publik, jo vetëm për kontekstin dhe aktualitetin social-politik të veprës, por sidomos për arritjen cilësore të tekstit. Sepse, në fund të fundit, letërsia e mirëfilltë bazohet tek vlera e tekstit dhe jo tek historia e kontekstit. Kjo nuk do të thotë që, realitetet dhe kontekstet që lidhen me të sot dhe nesër, nuk duhet të shfrytëzohen nga krijuesit, por sfida e tyre, në këtë rast mbetet krijimi i veprave të mirëfillta, që vlejnë për çdo kohë dhe në çdo kontekst.
Pikërisht për këtë, unë kam thënë se romani “Ministri”, pavarësisht lidhshmërisë artificiale që shpesh i bëhet sot me zhvillimet e ditës, do të mbijetojë si një vepër me vlera të mëdha letrare, siç kanë ditur të mbijetojnë vepra të rëndësishme të shkruara dekada më parë. Ky roman, nuk është një copë histori shqiptare, por në një formë ose tjetër, e gjejmë si fenomen kudo përrth nesh në shtete dhe vende të ngjashme si ne. Ndaj unë besoj se, ashtu si romani “Brenga e Prokurorit” që u botua në Itali, edhe ky roman, do të udhëtojë në vendet përreth, ku “ministra” të ngjashëm si Marjan Boja, janë në detyrë, ose në përpjekje për t’u ngjitur aty..
Dy romanet e fundit, “Brenga e Prokurorit” dhe “Ministri”, janë vijim dhe plotësim i njëra-tjetrës, dëshmi e një pjekurie të lartë artistike dhe shprehja më e qartë e angazhimit qytetar të një intelektuali dhe shtetari si Ahmet Prençi, i cili nuk bën letërsi vetëm për letërsinë, por bën letërsi për shoqërinë! Trilogjia e tij “Anja”, “Brenga e Prokurorit” dhe “Ministri”, janë një rast unikal në historinë e letërsisë së re pas viteve ’90 dhe kjo është një meritë tjetër e këtij shkrimtari.
Roman mund të lexohet nga disa këndvështrime, por në thelb ai është një vepër e mirëfilltë artistike! Mesazhi politik e shoqëror që përcjell kjo vepër, nuk e bën atë një ese të munguar mbi moralin e politikës sot apo një traktat filozofik mbi moralin e qeverisjes. Komentet e shumta që tentojnë ta ngrenë këtë vepër edhe në këtë platformë të kuptimit politiko – filozofik, tregojnë se autori dhe vepra e tij, kanë trokitur aty ku duhet dhe se ne kemi nevojë për mesazhe të tilla politike, pavarësisht se sot ato vijnë nga letërsia dhe romanet e Prençit.
Nëse historia e Marjan Bojës mbaron me mbylljen prapa hekurave, kriza jonë shoqërore, politike dhe institucionale, vazhdon të sfidohet nga nevoja për ndryshime të thella gjithpërfshirëse dhe një roman si ky, na ndihmon pikësëpari të reflektojmë së brendshmi dhe më pas, të veprojmë së jashtmi.







