Nga Ahmet Prençi
Arben Çejku është nga ata autorë që nuk hyn në letërsi vetëm nga porta e imagjinatës së pastër, por nga hapësirat e mëdha të historisë, gazetarisë dhe diplomacisë. Po të lexosh të gjithë krijimtarinë e tij, duket qartë se autori nuk e sheh letërsinë si strehë larg realitetit, por si mënyrën më të thellë për ta kuptuar atë.
Nga vëllimi poetik “Floknaja e Muzgut” (1996), tek libri me ese politike “Demokracia e Imponuar” (2000), romani “Dymbëdhjetë” (2013), libri studimorë diplomatik për Kosovën “Sovraniteti versus Integriteti” (2020/2024) dhe deri te romani “Kandidati për Kandidat” (2025), krijimtaria e tij ndërton një hark të rrallë: nga poezia te analiza politike, tek rrëfimi romanorë dhe më pas tek historia diplomatike e sërish te rrëfimi artistik.
Por për ta kuptuar Çejkun si autor, duhet parë edhe rruga e tij jashtë librave të botuar. I formuar fillimisht si gazetar dhe i angazhuar në media si Agjencia Telegrafike Shqiptare, gazetave të rëndësishme: “Albania”, “Republika”, “Panorama” e të tjera, ai i përket atij brezi që e pa tranzicionin shqiptar jo nga tribunat, por nga terreni i pasur i ngjarjeve. Më pas kaloi në diplomaci, duke shërbyer në misione të rëndësishme shqiptare si Ambasador në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, përfshirë periudhën historike të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Kjo përvojë e dyfishtë, gazetaria dhe diplomacia, ka lënë gjurmë të dukshme në stilin e tij. Gazetari i jep vëmendje faktit. Diplomati i jep kujdes nuancës. Shkrimtari i jep frymë njeriut. Prandaj në librat e tij rrallë gjen deklarata të forta ideologjike; më shpesh gjen njerëz që vendosen përballë historisë.
Në poezinë e hershme, fjala vjen si mall dhe meditim. Në esetë politike, ajo bëhet instrument reflektimi mbi shtetin, demokracinë dhe raportin mes idealizmit dhe realitetit. Në romanet e tij, sidomos te “Dymbëdhjetë” dhe “Kandidati për Kandidat”, fjala fiton dimension dramatik dhe shpesh satirik, duke e parë politikën jo si teknikë pushteti, por si teatër karakteresh. Nëse do të kërkonim afri letrare me autorë të njohur, krahasimi duhet bërë me kujdes, sepse Çejku ruan dhe mbron ne tekst identitetin e vet.
Në romanin politik dhe vrojtimin e mekanizmave të pushtetit, më kujton në stil shkrimtarin Mario Vargas Llosa, ku politika nuk trajtohet si teori, por si dramë njerëzore. Ndërsa në mënyrën si diplomacia dhe historia futen në rrëfim, mund të kujtojë herë pas here Milan Kunderën, atë aftësi për të ndalur ngjarjen dhe për ta kthyer atë në një reflektim të thellë.
Arben Çejku shkruan si një njeri që ka parë nga afër sallat e negociatave, redaksitë e gazetave dhe tensionet e historisë shqiptare të tri dekadave të fundit. Kjo i jep prozës së tij një cilësi të veçantë: personazhet e tij rrallë janë thjesht trillim, ose kështu i përjeton gjatë leximit; ata duken si njerëz që mund t’i kesh takuar, ti kesh njohur. Në fund, krijimtaria e Arben Çejkut mund të përkufizohet si një përpjekje për të mbajtur bashkë tri gjëra që zakonisht ecin të ndara: emocionin e poetit, saktësinë e gazetarit dhe maturinë e diplomatit. Dhe ndoshta pikërisht aty qëndron veçantia e tij. Ai nuk shkruan për t’i ikur realitetit, por për ta bërë atë më të kuptueshëm.
Romani i fundit “Kryqi i fjalës”, është një vepër që ndërton një urë mes historisë, kujtesës, besimit dhe dramës njerëzore. Në sipërfaqe duket si historia e një familjeje shqiptare e goditur nga diktatura dhe mërgimi, por në thelb është një roman mbi fatin e njeriut përballë pushtetit, mbi forcën e kujtesës dhe mbi çmimin që paguhet kur fjala e lirë shpallet armik.
Autori nuk shkruan thjesht për një periudhë historike. Ai ndërton një univers emocional të jashtëzakonshëm ku personazhet jetojnë mes dy kryqeve: kryqit të besimit dhe kryqit të fjalës. Kjo e fundit bëhet metafora qendrore e romanit, jo si objekt, por si dënim, si barrë dhe si mënyrë ekzistence.
Ngjarja na shpërfaqet nga dramë familjare në alegori historike. Romani fillon larg Shqipërisë, në Paris, me figurën e Viktor Oroshit, një emigrant që jeton në dukje jetën moderne europiane, por që mbart brenda vetes një histori të pazgjidhur. Parisi i natës, sensualiteti, ritmi i jetës moderne dhe marrëdhënia me Koletën krijojnë fillimisht përshtypjen e një romani intim e bashkëkohor. Por shumë shpejt kuptohet se kjo qetësi është vetëm sipërfaqe. Viktori jeton me një barrë të brendshme, me një mision, me një të kaluar që nuk e lë të qetë dhe as të lirë.
Pastaj me mjeshtëri, rrëfimi zhvendoset në Shqipërinë e diktaturës dhe aty romani merr frymën e vet të plotë. Historia e familjes Oroshi shndërrohet në histori kolektive. Arrestimi i Pjetër Oroshit, internimi i Elizabetës (Moma Lizës), ndëshkimi jo vetëm i individit por i gjithë trungut familjar, përbëjnë një tablo të fuqishme të mekanizmit totalitar. Ngjarja më e fortë artistikisht nuk është vetë burgosja, por mënyra sesi pushteti tenton të shkatërrojë jo trupin, por kuptimin.
Pjetri nuk dënohet vetëm për një kryq apo për një praktikë fetare. Ai dënohet sepse fjala e tij nuk është nën kontroll. Vetë romani e formulon këtë ide në mënyrë simbolike, ishte koha kur fjala ishte e lirë vetëm derisa të thuhej. Pas saj fillonte kryqëzimi. Kjo e ngre veprën nga kronikë historike në alegori filozofike.
Personazhet janë njerëz që mbajnë peshën e një epoke. Viktor Oroshi është njeriu mes dy botëve Ai është personazhi qendror, por jo në mënyrën klasike të heroit aktiv. Ai është një personazh reflektiv. Nga njëra anë jeton në Paris, nga ana tjetër mbetet i burgosur nga kujtesa, nga nëna, nga babai, nga besimi dhe nga një detyrim moral që nuk e lë të jetojë plotësisht të tashmen. Ai është emigranti shqiptar në kuptimin më tragjik, ka ikur fizikisht por jo shpirtërisht.
Në ndërtimin e tij autori ka shmangur heroizmin e tepërt. Viktori nuk paraqitet si njeri i pathyeshëm. Ai lodhet, dyshon, ka nevojë për dashuri, për trup, për afërsi njerëzore. Pikërisht kjo e bën të besueshëm.
Moma Liza (Elizabeta) shfaqet si figura më e arrirë artistikisht e romanit. Nëse do të duhej të zgjidhej zemra emocionale e romanit, ajo është Moma Liza. Ky personazh është ndërtuar me një finesë të rrallë psikologjike. Ajo nuk rebelohet me britmë, ajo reziston me heshtje. Transformimi i saj nga Elizabeta në “Moma Liza” është një nga simbolet më të bukura të romanit. Etiketimi i emrit nuk është vetëm përshtatje sociale; është një mënyrë mbijetese, një rindërtim identiteti për të vazhduar jetën.
Kulmi artistik i saj vjen në episodin e kryqit. Kur hetuesia i kërkon Kryqin e Shenjtë dhe ajo ndërton natën një kopje të tij për të mbrojtur burrin dhe besimin, kemi një nga skenat më të fuqishme të romanit. Këtu Elizabeta nuk shpëton vetëm një objekt fetar. Ajo shpëton kuptimin.
Ky akt e bën atë jo vetëm grua, por krijuese të një miti familjar.
Pjetër Oroshi në roman është martiri i heshtur. Pjetri nuk ndërtohet si revolucionar klasik. Ai nuk ka manifest. Nuk ka program politik. Ai thjesht nuk pranon të heqë dorë nga ajo që beson. Kjo e bën këtë personazh thellësisht tragjik.
Në një sistem ku çdo gjë kontrollohet, edhe heshtja bëhet akuzë. Pjetri përfundon i shtypur nga mekanizmi i diktaturës, deri në humbjen e trupit të tij në minierë, një fund me simbolikë të fortë, ku njeriu zhduket fizikisht por mbetet si kujtesë. Ai kthehet në figurë pothuaj biblike.
Një nga sukseset më të mëdha të romanit është atmosfera. Autori ndërton dy botë: Parisin, qytetin e dritave, sensualitetit dhe lirisë dhe Shqipërinë e diktaturës, hapësirën e heshtjes, survejimit dhe frikës.
Por paradoksi është se errësira më e madhe nuk ndodhet aty ku mungojnë dritat. Errësira është aty ku ndalohet fjala. Në shumë fragmente atmosfera krijohet jo nga ngjarja, por nga detajet: perdet e rënda, lutjet e natës, zhurma e minierës, kambanat që heshtin, kryqi që hiqet nga kisha, telefonatat që nuk mjaftojnë për të shuar mallin. Këto elemente krijojnë një ndjesi të vazhdueshme pritjeje dhe ankthi. Romani nuk ulërin. Ai rëndon.
Nga Mona Liza te Moma Liza, këtu arti bëhet dëshmi. Kulmi dramatik i romanit shfaqet në momentin kur Viktor Oroshi zëvendëson përkohësisht portretin e famshëm të “Mona Lizës” me pikturën e tij “Moma Liza”. Ky akt, në pamje të parë provokues dhe i paligjshëm, nuk ndërtohet në roman si një sulm ndaj artit botëror, por si një përpjekje për ta zgjeruar kuptimin e tij. Në këtë pikë, autori ndërton një përplasje të rrallë simbolike. Përballë figurës universale të gruas së përjetësuar nga arti, vendoset figura e një gruaje të zakonshme shqiptare, e cila mbart mbi vete peshën e historisë, internimit, humbjes dhe mbijetesës. Kështu, “Moma Liza” nuk konkurron me “Mona Lizën”. Ajo kërkon të hyjë për pak çaste në hapësirën e kujtesës universale për t’i treguar botës se edhe dhimbja anonime ka fytyrë.
Seanca gjyqësore që pason e ngre edhe më tej këtë konflikt artistik e moral. Gjykata nuk paraqitet vetëm si institucion që shqyrton shkeljen e ligjit, por si një hapësirë ku vihet në diskutim raporti mes ligjit, artit dhe ndërgjegjes njerëzore. Fjalimi i Viktorit nuk synon ta justifikojë aktin, por ta shpjegojë atë si një nevojë ekzistenciale: dëshirën për t’i dhënë nënës së vet një vend që historia nuk ia dha kurrë. Heshtja që mbetet në fund të seancës fiton një kuptim të veçantë artistik. Ajo nuk është heshtje procedurale, por pezullim i gjykimit moral. Romani lë të hapur pyetjen thelbësore: a mund të quhet krim një akt që cenon rregullin për të shpëtuar kujtesën?
Në këtë mënyrë, “Kryqi i Fjalës” e shndërron episodin e Luvrit në një metaforë qendrore të veprës: arti nuk është vetëm ajo që mbetet në muze, por edhe ajo që njeriu nuk pranon ta lërë të vdesë në heshtje.
Simbolika tërësore e romanit është se kur kryqi bëhet më shumë se kryq dhe këtë e tregon vetë vepra dhe titulli i saj. “Kryqi i fjalës” nuk është vetëm simbol fetar. Ai përfaqëson kryqin e besimit; kryqin e kujtesës; kryqin e së vërtetës; kryqin e fjalës së lirë. Në roman, pushteti nuk lufton objektin fizik të kryqit, ai lufton atë që ai përfaqëson. Prandaj fjala bëhet e rrezikshme. Dhe kryqi nuk mbetet më në kishë, ai vendoset mbi shpatullat e njerëzve.
Mesazhi themelorë dhe me i madh i romanit nuk është politik. Është njerëzor. Romani thotë se pushteti mund të burgosë trupin, të shembë kishën, të zhdukë varrin, por nuk mund të marrë gjithçka. Sepse njeriu ka një territor të fundit të paprekshëm: kujtesën, dashurinë, dhe fjalën.
“Kryqi i fjalës” mbetet kështu një roman i rëndësishëm i kujtesës shqiptare, por jo vetëm. Ai flet për çdo kohë kur njeriu detyrohet të zgjedhë mes qetësisë dhe së vërtetës. Dhe në fund, mbetet ndjesia se jo çdo kryq është dënim. Disa kryqe janë mënyra se si njeriu ruan dinjitetin.







