HomeOP EDPD të prezantojë urgjentisht tek qytetarët Reformën e saj Territoriale/nga Bujar Leskaj

PD të prezantojë urgjentisht tek qytetarët Reformën e saj Territoriale/nga Bujar Leskaj

Advertismentspot_img

nga Bujar Leskaj
(𝗣𝗷𝗲𝘀𝗮 𝗲 𝗱𝘆𝘁𝗲)
Partia Socialistë bëri publik variantin e saj të Reformës Territoriale, me reduktimin e thellë, me gati një të tretën, të njësive vendore të vendit, nga 61 në 46 bashki, me qasje të theksuar centralizuese, për ta kontrolluar plotësisht nga pushteti qendror autonominë lokale.

Kjo nuk ka sens. Për shembull, bashkimi i bashkisë Selenicë me bashkinë Vlorë, sipas variantit të PS, është çmenduri! (Trajtuar në pjesën e parë të kësaj teme-RAT 2026).

I. Përparësitë dërrmuese të Reformës territoriale të PD-së, në krahasim me variantin centralizues socialist

Ne deputetët e Partisë Demokratike, së bashku me ekspertët e reformës, profesionistë të nderuar, duhet ta lançojmë Programin tonë të Reformës Territoriale me 100 bashki në çdo qytet të Shqipërisë. Duhet të shpjegojmë avantazhet dhe përparësitë e dukshme të variantit demokrat, duke demaskur filozofinë e Ramës në centralizimin e pushtetit vendor dhe skllavërimin praktik të tij nga pushteti qendror.

Varianti me 100 bashki synon të ruajë njësi vendore më të vogla, më pranë komuniteteve dhe me lidhje më të drejtpërdrejta me territorin, duke e mbështetur këtë formulë mbi parimin e efiçencës, efikasitetit dhe ekonomicitetit. Ky model i shërben më mirë Shqipërisë, për arsyet kryesore të mëposhtme.

Së pari, 100 bashki do të thotë më shumë afërsi me qytetarin. Përparësia e parë e modelit me 100 bashki është distanca më e vogël midis administratës vendore dhe qytetarit. Në një vend me terren të vështirë malor, popullsi të shpërndarë dhe zona rurale të largëta, si vendi ynë, bashkitë e mëdha krijojnë distanca të konsiderueshme fizike dhe administrative. Kjo penalizon banorët në marrjen e shërbimeve nga administratat vendore përkatëse, si dhe rrit në mënyrë të ndjeshme kostot për përfitimin e çdo shërbimi. Shtimi i territorit dhe krijimi i bashkive të mëdha do të ndikojnë drejtpërdrejt edhe në rritjen e distancës fizike, kufizimin e aksesit në shërbime dhe mosdhënien në kohë të zgjidhjeve për çështje të caktuara me karakter administrativ, që lidhen me kërkesat e ndryshme të banorëve të këtyre zonave.

Një bashki më e vogël ka mundësi të identifikojë më shpejt nevojat e komunitetit dhe të reagojë më drejtpërdrejt ndaj tyre. Në këtë kuptim, 100 bashki mund të nënkuptojnë 100 qendra vendimmarrjeje më pranë qytetarëve, ndërsa modeli me 46 bashki rrit distancën midis administratës dhe komuniteteve periferike, duke ndikuar ne kufizimin e sherbimeve per qytetaret, për pasojë rënien e cilësisë së shërbimeve. Eksperienca e këtyre viteve, gjatë periudhës 2014–2026, vërteton se zvogëlimi i numrit të bashkive ka ulur cilësinë e shërbimeve ndaj banorëve të zonave, kryesisht rurale/të njësive administrative. Kjo e ka shndërruar reformën territoriale të vitit 2014 në një reformë të dështuar, larg pritshmërive mbi të cilat u hartua, me synimin për rritjen e efiçencës së shërbimeve dhe uljen e kostove operative për çdo bashki.

Së dyti, me variantin demokrat kemi decentralizim më të madh, dhe jo centralizim të pushtetit. Reforma territoriale nuk duhet të shihet kurrsesi, si një projekt për reduktimin e numrit të njësive administrative. Ajo duhet të jetë një reformë për decentralizimin real të pushtetit.

Nëse bashkitë janë shumë të mëdha dhe vendimmarrja përqendrohet në qendrat kryesore urbane, ekziston rreziku i madh që zonat periferike dhe rurale të mbeten më pak të përfaqësuara, duke lene shume zona dhe komunitete te mos jene te perfaqesuara ne vendimarrje te caktuara me karakter vendor apo qendror.

Një model me 100 bashki krijon më shumë hapësirë për vendimmarrje lokale, duke u dhënë komuniteteve mundësi të ndikojnë drejtpërdrejt në përcaktimin e prioriteteve të investimeve dhe shërbimeve, si dhe ju jep akses te gjitha zonave dhe baoreve te tyre te kene perfaqesuesit dhe vendimarresit e tyre, te lidhur ne menyre direkte me banoret.

Së treti, varianti me 100 bashki përfaqëson më mirë specifikat lokale. Shqipëria nuk është homogjene. Problemet e një bashkie bregdetare nuk janë të njëjta me ato të një bashkie malore. Problemet e një zone turistike nuk janë të njëjta me ato të një zone bujqësore apo industriale.

Një bashki më e vogël ndërtonë politika më të përshtatura me ekonominë dhe karakteristikat e territorit të saj. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për bujqësinë, turizmin, menaxhimin e pyjeve, të kullotave, ujësjellësit, rrugët rurale, emergjencat civile dhe zhvillimin e bizneseve lokale. Modeli me 100 bashki krijon mundësi për një qeverisje më të personalizuar, sipas nevojave të territorit, e përshtatur dhe e mbështetur në karakteristikat përkatëse të çdo njësie vendore, qoftë kjo me përmasa të mëdha apo më të vogla. Statusi i njësisë vendore, i përcaktuar si bashki, përbën elementin rregullues për çdo njësi, komunitet, popullsi dhe karakteristikë zonale apo krahinore.

Së katërti, varianti demokrat krijon më pak rrezik për braktisjen e periferive. Një nga problemet potenciale të bashkive shumë të mëdha është përqendrimi i investimeve në qytetin ose qendrën kryesore të bashkisë. Kur një bashki përfshin një territor shumë të gjerë, ekziston rreziku që pjesa më e madhe e burimeve të shkojë drejt qendrës administrative, ndërsa fshatrat dhe zonat periferike të mbeten në fund të listës së prioriteteve, sidomos për sa i përket investimeve dhe vëmendjes institucionale.

Po jap nje shembull te thjeshte:

Nga takimet me banorët e njësive administrative, në Bashkinë Vlorë, por edhe në bashki të tjera në qarkun Vlorë, përbëjnë treguesin/shembullin më të qartë të mënyrës se si ka funksionuar pushteti vendor dhe ai qendror në këto zona. Për 12 vite, si pasojë e reformës territoriale të vitit 2014, pothuajse të gjitha njësitë administrative kanë qenë tërësisht jashtë vëmendjes institucionale. Kjo na bën të pohojmë se Reforma Territoriale-Administrative e viteve 2014–2015 ka qenë një reformë që, për më shumë se një dekadë, ka lënë në harresë dhe ka dëmtuar zhvillimin e këtyre zonave.

Njësitë administrative të Bashkisë Vlorë, si Novosela, Qendra, Orikumi dhe Shushica, përfaqësojnë sot zona të lëna pas dore.

Është e trishtë që edhe në vitin 2026, në pothuajse çdo fshat të këtyre njësive administrative, ende mungon furnizimi i rregullt me ujë të pijshëm. Ujësjellësit janë të amortizuar dhe jashtë funksionit, ndërsa dhjetëra banorë detyrohen ta sigurojnë ujin nga burime alternative ose ta marrin përmes rrjeteve të amortizuara, vetëm një herë në dy ditë ose për një orë në 24 orë. Edhe infrastruktura rrugore vazhdon të jetë në gjendje të rënduar, ndërsa shërbimet e tjera publike dhe urbane mbeten larg standardeve minimale.

Këto fakte na çojnë në përfundimin se reforma territoriale e vitit 2014 ka dështuar në administrimin dhe menaxhimin e territoreve të shtuara të bashkive, të përbëra nga ish-komunat. Reforma 2.0 e propozuar nga qeveria, si vazhdimësi e reformës së parë, rrezikon ta përshkallëzojë edhe më tej këtë situatë, duke thelluar mungesën e investimeve dhe problematikat infrastrukturore në këto zona.

Zvogëlimi i numrit të bashkive përbën një model të gabuar zhvillimor për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Në një model me 100 bashki, qendra administrative është më pranë zonave të banuara dhe presioni politik e social për ofrimin e shërbimeve është i drejtpërdrejtë.

Së pesti, 100 bashki krijojnë më shumë konkurrencë pozitive mes bashkive. Një numër më i madh bashkish jep shanse më të mëdha për konkurrencë institucionale, duke ndikuar ne forcimin e institucioneve dhe permiresimin e sherbimit ndaj banoreve dhe rritjen e investimeve.

Të 100 bashkitë do të krahasohen për cilësinë e shërbimeve, nivelin e investimeve, menaxhimin financiar, mbledhjen e të ardhurave, transparencën, përdorimin e teknologjisë dhe thithjen e fondeve evropiane. Kjo krijon një model ku qytetarët kanë mundësi të krahasojnë performancën e qeverisjes vendore dhe ndikimin ne rritjen e perfaqesimit.

II. Varianti socialist shkallmon autonomine vendore!

Varianti i Reformës Territoriale me 46 bashki që propozon Partia Socialiste, gre pikëpyetje serioze për nivelin e decentralizimit në Shqipëri. Një numër më i vogël njësish administrative, të shtrira mbi territore më të mëdha, mbart edhe rrezikun e madh që pushteti vendor të largohet nga qytetari dhe të afrohet më shumë me qendrën politike dhe administrative. Ky model e dobëson decentralizimin politik, administrativ dhe financiar të pushtetit vendor. Në praktikë, ai e zhbën këtë parim, duke nxitur efektin e kundërt: përqendrimin e pushtetit në pak duar dhe mungesën e vëmendjes ndaj problemeve reale me të cilat përballen banorët.

Më pak bashki do të thotë më pak qendra vendimmarrjeje. Kur numri i bashkive zvogëlohet ndjeshëm, zvogëlohet edhe numri i qendrave ku ushtrohet pushteti vendor. Nga pikëpamja e administrimit, kjo mund të duket si racionalizim, mirëpo, nga pikëpamja e decentralizimit, lind një pyetje e rëndësishme: A po krijojmë bashki më efikase apo po përqendrojmë më shumë pushtet në më pak duar?

Nëse 46 bashkitë do të kenë territore shumë të mëdha, drejtuesit e tyre do të administrojnë një numër më të madh komunitetesh dhe problemesh të ndryshme. Kjo e bën vendimmarrjen më të largët nga qytetari, dhe jo perfaqesuese.

Së dyti, rritet në maksimum rreziku i centralizimit të pushtetit vendor. Centralizimi nuk ndodh vetëm kur pushteti transferohet drejtpërdrejt te qeveria qendrore. Ai ndodh edhe nëpërmjet krijimit të njësive vendore shumë të mëdha, të cilat bëhen më të varura nga burimet financiare, administrative dhe politike të qendrës.

Një bashki e madhe, që mbulon një territor të gjerë, ka nevojë për më shumë fonde, më shumë staf dhe më shumë projekte infrastrukturore. Nëse këto burime kontrollohen në masë të konsiderueshme nga qeveria qendrore, atëherë bashkia mund të mbetet formalisht autonome, por praktikisht është e varur.

Kjo krijon një problem themelor: decentralizim në letër, centralizim në praktikë!

Së treti, varianti socialist e largon pushtetin nga zonat rurale. Një nga pasojat më të mundshme të modelit me 46 bashki është dobësimi i përfaqësimit të zonave rurale, efekt qe eshte hasur per 12 vjet, si efekti me vrastar i reformes se vitit 2014.

Kur një bashki përfshin një territor shumë të gjerë, qendra urbane që shërben si seli administrative ka natyrshëm më shumë peshë politike dhe ekonomike. Investimet kanë tendencë të orientohen aty ku përqendrohet popullsia, aktiviteti ekonomik dhe infrastruktura. Kjo krijon një situatë ku fshatrat dhe zonat periferike bëhen pjesa më pak e dëgjuar e bashkisë. E kemi parë për 12 vjet këtë me 61 bashkitë që kemi. Rrezikojmë ta shohim akoma dhe më shumë me 46 bashki! Në Shqipëri, ky rrezik është veçanërisht i madh për shkak të migrimit të brendshëm dhe emigracionit, që kanë reduktuar ndjeshëm popullsinë në shumë zona rurale, dhe i kanë hapur rrugë shpopullimit.

Së treti, një bashki shumë e madhe nuk është domosdoshmërisht një bashki më efikase. Nëse territori bëhet shumë i madh, rriten kostot e transportit, distanca administrative, vështirësia e kontrollit, koha e reagimit dhe problemet e koordinimit. Shërbimi është larg qytetarit, larg zgjidhjes së problemeve dhe larg përmbushjes së përgjegjësive institucionale e administrative që pushteti vendor ka ndaj banorëve. Kjo ndodh sepse shërbimet centralizohen vetëm në qendrat urbane, duke anashkaluar dhe lënë pas dore njësitë e tjera, të cilat ndodhen më larg nga qendra administrative.

Pra, ekziston një pikë, përtej së cilës madhësia nuk sjell më efiçencë, por burokraci, mungesë të vëmendjes institucionale dhe moszgjidhje të problemeve të qytetarëve, duke i sorollatur ata nëpër korridoret burokratike që janë ndërtuar gjatë këtyre 12 viteve nga qeveria Rama.

Së katërti, demokracia lokale kërkon afërsi. Pushteti vendor ka një avantazh ndaj pushtetit qendror: ai duhet të jetë më afër qytetarit. Qytetari duhet të jetë në gjendje të kontaktojë relativisht lehtë me administratën, kryetarin e bashkisë, këshillin bashkiak dhe strukturat përgjegjëse.

Në një bashki shumë të madhe, kjo marrëdhënie mund të bëhet më abstrakte.Një banor i një zone periferike mund të ndiejë se vendimet për komunitetin e tij merren shumë larg tij, duke venitur përfaqësimin dhe vendimmarrjen në përputhje me interesat e tyre. Kjo dobëson jo vetëm administrimin vendor, por edhe demokracinë lokale. Vendimmarrja do të përqendrohet, në pjesën më të madhe, vetëm te qendrat urbane, duke anashkaluar në mënyrë të padrejtë interesat dhe nevojat e banorëve të zonave të tjera.

xxx

Partia Demokratike e ka projektin e plotë. Hartën e kompozuar me 100 Bashki, delegimin e kompetencave, pavarësinë financiare, modelin e Autonomisë Vendore, modelet e suksesshme të vendeve të BE-se të vogla si ne dhe Tabelën e 100 Bashkive.

Pse nuk jua tregojmë një orë e më parë demokratëve, mbarë qytetarëve shqiptarë, mediave dhe faktorit ndërkombëtar?

Partia Demokratike ka një kartë të fortë, jo vetëm morale, por edhe një alternativë konkrete që mbron interesat e qytetarëve dhe konsolidon përfaqësimin e drejtë të tyre. Projekti i Partisë Demokratike është projekti që kërkon çdo banor i Republikës së Shqipërisë: një vendimmarrje të drejtë, investime konkrete, frenimin e shpopullimit, ofrimin e shërbimeve në kohën dhe vendin e duhur, konsolidimin institucional dhe mbrojtjen e vlerave, identitetit dhe karakteristikave që mbart çdo krahinë dhe komunitet në çdo cep të Shqipërisë.

Kjo na bën që, si Parti Demokratike, t’u bëjmë të qartë qytetarëve shqiptarë se qëllimi i Edi Ramës dhe i qeverisë së tij është vazhdimi e inkurajimi i shpopullimit. Nëpërmjet kësaj reforme, ai synon të vijojë një model që favorizon largimin e banorëve, veçanërisht nga zonat rurale të Shqipërisë, të cilat, për hir të së vërtetës, janë edhe ndër zonat me potencialet më të mëdha turistike dhe pasurore.

Konferenca modeste e ditës së sotme në lidhje me reformën administrativo-territoriale nga kryetari i Partisë Demokratike, Prof.Dr.Sali Berisha, sëbashku me bashkë/kryetarin e Reformës Administrativo-Territoriale z.Luciano Boci, Sekretarin për pushtetin vendor z.Ylli Asllani, si dhe me ekspertë e profesionistë të tjerë, ishte e domosdoshme, dhe duhet të zgjerohej me gjithë deputetët anëtarë të Komisionit për reformën administrative-territoriale, si ish-kryetari me përvojë i Bashkisë Kamëz, z.Xhelal Mziu, por edhe me deputetë me përvojë.

Këto forma diskutimesh, duhet të shtrihen në cdo qytet, në forëm më të zgjeruar, si takime me qytetaret, në forëm”workshop-e” apo te diskutohen ne ambiente akademike, në mënyrë që me anën e argumentave në secilin takim të demaskohet varianti i sektit Rama për (anti)reformën administrativo-territoriale.

Prezantimi i platformës sonë, mbrojtja dhe argumentimi i ndarjes së njësive administrative në 100 të tilla duhet të jetë alternativa jonë kryesore përballë qytetarëve, si një garanci qeverisëse për të ardhmen. Kjo alternativë duhet t’u garantojë qytetarëve mbrojtjen e interesave të tyre dhe t’u bëjë të qartë se, sipas vlerësimit tonë, drafti i prezantuar nga sekti Rama rrezikon ta deformojë edhe më tej këtë reformë dhe efektet e së cilës do të jeneë edhe më vrastare për zona të tëra , me pasoja direkte që që nuk përputhen me interesat e qytetarëve dh i cënojnë ata.

Reforma administrativo-territoriale ka qenë një nga shtyllat kryesore të programit tonë në zgjedhjet e 25 prillit 2021, 14 majit 2023 dhe 11 majit 2025, për të cilën jemi zotuar publikisht. Për këtë arsye, kemi detyrimin ndaj qytetarëve që propozimet tona t’i mbrojmë me përgjegjësi, ekspertizë dhe profesionalizëm deri në fund, si një kundërpërgjigje ndaj modelit të qeverisjes Rama, i cili ka shkatërruar interesin publik.

Partia Demokratike duhet të mbrojë deri në fund interesat e qytetarëve shqiptarë, forcimin e demokracisë vendore, zhvillimin e barabartë territorial dhe garantimin e një administrimi më të afërt me komunitetet në çdo zonë të vendit.

V.O

Vazhdim-Pjesa e trete ( Aksioni dhe Platforma Qytetare)

Per keto duhet te kete platforem qytetare, ku Partia Demokratike duhet te luaj rol aktiv.Duhet te punojme per platformen qytetare dhe te mbeshtesim aksionin dhe veprimin qytetar, ne vecanti ne Bashkine Selenice, por edhe ne zona te tjera, ku kemi propozuar krijimin e Bashkive. Shqetësim nuk duhet te jete vetem shkrirja e Bashkise Selenice dhe bashkimi i saj me Bashkine Vlore, por edhe moskrijimi i Bashkive te reja, ashtu sic kemi propozuar keto vite, si Bashkia Orikum, Bashkia Novosele, Bashkia Amantia dhe Bashkia Ksamil.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular