Një ngjarje tronditëse është zbuluar në Mystras të Greqisë, ku policia ka gjetur trupin e një të moshuari brenda një frigoriferi në bodrumin e një hoteli të mbyllur. Rasti ka shkaktuar tronditje te banorët e zonës, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat.
Sipas raportimeve të mediave greke, dyshohet se djali i të moshuarit e kishte mbajtur trupin e babait të tij të fshehur në një frigorifer ngrirës për disa vite, në mënyrë që të vazhdonte të merrte pensionin e tij. Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë saktësisht se sa kohë ka që i moshuari ka ndërruar jetë dhe si është vepruar gjatë gjithë kësaj periudhe.
Sipas informacioneve të publikuara, viktima dyshohet se kishtye ndërruar jetë prej 4 apo 5 vitesh. Megjithatë, vdekja e tij nuk ishte deklaruar në institucionet përkatëse dhe ai vazhdonte të figurojë në regjistrat zyrtarë.
Hetimet nisën pas një denoncimi të bërë pranë autoriteteve. Policia kontaktoi djalin e të moshuarit dhe e thirri për të dhënë shpjegime. Më pas, efektivët e shoqëruan atë drejt hotelit ku dyshohej se ndodhej trupi.
Gjatë kontrollit të ambienteve të ndërtesës, policia zbuloi një frigorifer në bodrum, ku ndodhej trupi i pajetë i të moshuarit. Zbulimi i kësaj skene hapi një hetim të gjerë për mënyrën se si ishte mbajtur i fshehur trupi dhe për motivet që mund të kenë çuar në këtë veprim.
Autoritetet po hetojnë gjithashtu nëse pensioni i viktimës është tërhequr gjatë viteve pas vdekjes së tij dhe nëse janë kryer veprime të tjera të paligjshme financiare.







