Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka nisur hetim disiplinor ndaj 8 punonjësve të policisë së Burgut të Fierit, pas përplasjes së dhunshme mes disa të paraburgosurve, të dyshuar si pjesë e grupeve kriminale.
Sipas burimeve për Report TV, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve ka firmosur urdhrin për përjashtimin e 8 policëve. Dy prej tyre akuzohen për mosdhënie informacioni, ndërsa 6 të tjerët për mospërmbushje të detyrave.
Ndërkohë, Prokuroria e Fierit po heton për të zbardhur motivin e përplasjes mes Aldo Gjinit, pjesë e grupit të Rrajave, dhe Jurgen Zotos me Denis Bajrin, të lidhur me grupin e Shkodrës.
Sipas hetuesve, tre të paraburgosurit kishin kaluar prej kohësh kohë së bashku në ambientin e përbashkët të sektorit dhe nuk kishin shfaqur më parë konflikte. Për këtë arsye, grupi hetimor dyshon se ngjarja mund të ketë qenë e planifikuar dhe lidhet me përplasjet mes grupeve rivale kriminale.
Nga dëshmia e Denis Bajrit është zbardhur edhe dinamika e sulmit. Sipas burimeve, Gjini dhe Zoto iu afruan Bajrit me një telefon në dorë dhe i thanë: “Këtë mesazh e ke nga filani”, përpara se ta sulmonin me një thikë artizanale.
Bajri është kundërpërgjigjur dhe gjatë përleshjes mbetën të plagosur ai dhe Jurgen Zoto. Të dy u transportuan në spitalin e Fierit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Thika e përdorur në sulm është sekuestruar, ndërsa telefoni pritet t’i nënshtrohet ekspertizës nga BKH.
Pas ngjarjes, Drejtoria e Burgjeve ka vendosur që Jurgen Zoto të transferohet në burgun e Burrelit, ndërsa Aldo Gjini në Drenovë, ku do të qëndrojnë në izolim për tre muaj.
Prokuroria vijon hetimet për të përcaktuar nëse përplasja ishte një konflikt i rastësishëm apo një mesazh i organizuar mes grupeve rivale kriminale.







