Klubi turk i futbollit Turgutluspor ka bërë histori duke emëruar Zeynep Mestan në postin e trajneres së skuadrës. 22-vjeçarja, e cila ka tërhequr vëmendjen edhe për paraqitjen e saj, tashmë është ngarkuar me detyrën për ta udhëhequr klubin drejt një epoke të re. Mestan, ish-futbolliste, është bërë gruaja e parë që merr drejtimin e ekipit të parë të meshkujve të Turgutlusporit.
Emërimi i saj u konfirmua zyrtarisht nga klubi përmes një deklarate të publikuar në rrjetet sociale të martën. Në një postim në “Instagram”, Turgutluspor shkroi: “Klubi ynë ka arritur marrëveshje me Zeynep Mestan për rolin e trajneres, në përputhje me strukturën dhe objektivat e sezonit të ri. I urojmë suksese Zeynep Mestan, e cila do të drejtojë strukturën e re dhe punën teknike të nisur në klubin tonë nën ngjyrat kuqezi. Shpresojmë që kjo epokë e re të jetë e mbarë për komunitetin tonë, klubin dhe të gjithë tifozët tanë”.

Trajnerja e sapoemëruar ka fituar një numër të konsiderueshëm ndjekësish falë karrierës së saj si futbolliste. Ajo ndiqet nga 21.300 persona në “Instagram”. Mestan ka luajtur për disa klube të futbollit të femrave në rajonet e Izmirit dhe Manisës, ndërsa karrierën e saj si futbolliste e nisi në vitin 2019 me Karsiyaka BES Spor.

Klubi i fundit ku ajo luajti ishte Bornova Genc Yildizlar Spor, në vitin 2025. Kalimi i saj në pankinë vjen vetëm gjashtë javë pasi Mestan festoi 22-vjetorin e lindjes. Turgutluspor synon të rikthehet pas një periudhe të vështirë, pasi klubi ka rënë në kategorinë e gjashtë të futbollit turk, pas përfundimit të sezonit të kaluar në vendin e dhjetë të Bolgesel Amator Lig. Fushata historike e Turgutlusporit nën drejtimin e Zeynep Mestan pritet të nisë në muajin tetor.







