Nga Bujar Leskaj
Fjalimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së është një prej rasteve më të rëndësishme që ka një kryeministër për të komunikuar publikisht prioritetet e politikës së jashtme të vendit.
Në 22 minutat e fjalës së tij në OKB më 26 shtator 2026, Rama nuk e përmendi një herë të vetme Kosovën dhe dënimin e padrejtë të katër drejtuesve të luftës së saj çlirimtare nga Dhomat e Specilizuara të Kosovës në Hagë, pjesë të Gjykatës së Hagës. Kjo është e turpshme për një kryeministër të Shqipërisë!
Për Shqipërinë, Kosova nuk është një çështje e zakonshme e politikës së saj të jashtme. Marrëdhëniet midis dy vendeve janë të lidhura ngushtë dhe pazgjidhshmërisht me identitetin e të qenit shqiptar, me historinë, sigurinë, ekonominë, lëvizjen e lirë të njerëzve dhe bashkëpunimin rajonal.
Çdo qytetar shqiptar në Shqipëri, në Kosovë dhe në mbarë botën, priste dje që kryeministri i Shqipërisë, për më tepër që Kosova nuk është akoma një vend anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, jo vetëm ta përmendte Kosovën, por edhe të denonconte botërisht dënimin e padrejtë nga Dhomat e Specilizuara të Kosovës në Hagë të katër drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Çdo qytetar shqiptar priste që përfaqësuesi i Shqipërisë, sidomos në një forum të rëndësishëm ndërkombëtar si OKB-ja, të artikulojë qartë interesin e Shqipërisë për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, për dëmin që i është bërë asaj nga trajtimin jo i drejtë në Hagë, i çështjeve që lidhen me luftën çlirimtare të popullit të Kosovës ndaj genocidit dhe rregjimit skllavërues të Millosheviçit.
Mungesa e Kosovës në një fjalim të kryeministrit të Shqipërisë në forumin më të madh diplomatik botëror, është shumë e rëndë. Ajo ngre pikëpyetje dërrmuese se sa prioritet i është dhënë Kosovës në diplomacinë dhe politikën e jashtme të Shqipërisë, të drejtuar nga një autokrat dhe aventurier si Rama.
Edhe pse vendimi për përgjegjësinë penale u takon gjykatave, kryeministri i Shqipërisë mund të shprehte shqetësimin e vendit të tij për standardet e dyfishta të procesit ligjor për katër drejtuesit e UÇK-së në Hagë. Përmendja e çështjes nuk nënkupton domosdoshmërisht ndërhyrje në drejtësinë e Hagës. Gjykimin e padrejtë e padrejtë në Hagë e kanë përmendur ish-ambasadorë të rëndësishëm të SHBA-ve në Evropë, intelektualë, avokatë dhe figura të tjera të njohura të Perëndimit. Përse duhet të ndruhet dhe të mbyllë gojën kryeministri i Shqipërisë në OKB?!
Rama mund të përmendte edhe në vetëm 3 minuta të fjalimit të tij 22 minutësh në OKB dje, mos-respektimin e standardeve të procesit të rregullt ligjor për ish-drejtuesit e UÇK-së në Hagë, mbështetjen e integrimit ndërkombëtar të Kosovës, njohjen universale të realitetit të saj shtetëror, sipas qëndrimit të Shqipërisë, si dhe mbështetjen e dialogut Kosovë–Serbi.
Në vend të këtyre temave madhore me rëndësi strategjike dhe kombëtare për vendin tonë, ai zgjodhi të flasë për inteligjencën artificiale! Turp dhe tradhëti e mirëfilltë e interesave parësore kombëtare!
Nga këndvështrimi diplomatik, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së është një skenë ku çdo fjalim mund të përdoret për të komunikuar qartë interesat strategjike të vendit. Dhe Kosova është kryeçështja, ku Shqipëria ka një interes të drejtpërdrejtë politik dhe strategjik. Injorimi i saj dhe i dënimit të padrejtë në Hagë të katër heronjve të saj të luftës merr ngjyrat e plota të një pabesie dhe tradhëtie kombëtare. Për turp e faqe të zezë Rama!







