Justina Shiroka-Pula është Presidentja e re e Republikës së Kosovës. Ekonomiste, profesoreshë universitare dhe akademike, ajo ka një karrierë disa dekadëshe në arsimin e lartë, ndërsa në të kaluarën ka mbajtur edhe poste të rëndësishme politike, si ministre dhe deputete.
Shiroka-Pula u zgjodh Presidente nga Kuvendi i Kosovës në orët e para të 7 tetorit 2026, duke marrë 81 vota. Kandidatura e saj ishte propozuar nga kryeministri Albin Kurti. Përballë saj ishte kandidatja e PDK-së, Eliza Hoxha, e cila mori një votë, ndërsa dy vota rezultuan të pavlefshme.
Lindur dhe arsimuar në Prishtinë
Justina Shiroka-Pula ka lindur në vitin 1953 në Prishtinë, ku përfundoi edhe shkollën fillore dhe të mesme.
Në vitin 1976 u diplomua në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë. Studimet pasuniversitare i vijoi në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Zagrebit, në fushën e teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik, të cilat i përfundoi në vitin 1984.
Shiroka-Pula kreu edhe doktoraturën në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, duke mbrojtur tezën me titull “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.
Gjatë karrierës së saj ka ndjekur edhe studime pasdoktorale në Universitetin e Lincit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nga Banka Popullore te Universiteti i Prishtinës
Pas diplomimit, Shiroka-Pula nisi punën në Bankën Popullore të Kosovës në vitin 1977.
Një vit më vonë nisi karrierën akademike në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, fillimisht si asistente në lëndën “Kërkimet operacionale”.
Gjatë dekadave në Universitetin e Prishtinës ajo u avancua deri në titullin e profesoreshës ordinare. Fushat kryesore të punës së saj akademike kanë qenë metodat matematikore dhe statistikore në ekonomi, kërkimet operacionale, menaxhmenti dhe vendimmarrja.
Në Fakultetin Ekonomik ka mbajtur edhe një sërë funksionesh drejtuese dhe akademike, mes tyre kryesuese e Departamentit të Matematikës dhe Statistikës, anëtare e Senatit dhe e Bordit të Universitetit të Prishtinës.
Shiroka-Pula ka ligjëruar edhe jashtë Kosovës, përfshirë Universitetin e Tetovës dhe Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.
Ministre në Qeverinë e Kosovës dhe deputete e PDK-së
Krahas karrierës akademike, Justina Shiroka-Pula ka pasur edhe një angazhim të drejtpërdrejtë politik.
Nga viti 2008 deri në vitin 2011 ajo shërbeu si ministre e Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e Kosovës, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Më pas, nga viti 2011 deri në vitin 2014, ishte deputete e PDK-së në Kuvendin e Kosovës.
Ajo është angazhuar gjithashtu në shoqërinë civile, kryesisht në çështjet e fuqizimit të grave, barazisë gjinore, zhvillimit të biznesit dhe sipërmarrjes. Në vitin 2001 ishte ndër themelueset e Rrjetit të Biznesit të Grave Kosovare.
Gruaja e parë në krye të ASHAK-ut
Në vitin 2016, Shiroka-Pula u zgjodh anëtare korrespondente e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2020 u bë anëtare e rregullt e Akademisë.
Ajo ka mbajtur më parë postin e sekretares së Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe më pas atë të nënkryetares së ASHAK-ut.
Në fillim të vitit 2026, Justina Shiroka-Pula u zgjodh kryetare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, duke u bërë gruaja e parë që drejton këtë institucion që prej themelimit të tij.
Vetëm disa muaj më vonë, emri i saj u propozua për postin më të lartë shtetëror. Më 7 tetor 2026, Kuvendi e zgjodhi me 81 vota Presidente të Republikës së Kosovës.







