Pas gati gjashtë vitesh në arrati, policia greke ka arrestuar në Athinë një 44-vjeçar shqiptar, i akuzuar për një nga krimet më të rënda që tronditën zonën e Loutrakit në tetor të vitit 2020. Ai dyshohet se vrau me sëpatë ish-partneren e tij dhe një farmacist 42-vjeçar, pasi nuk kishte pranuar ndarjen nga gruaja.
I shumëkërkuari u lokalizua dhe u arrestua në një apartament në zonën e Patisionit, në Athinë, pas një operacioni të koordinuar nga Departamenti i Vrasjeve. Sipas mediave greke, 44-vjeçari përdorte dokumente identifikimi të falsifikuara dhe kishte arritur t’u shmangej autoriteteve për vite me radhë.
Gjatë kontrollit në banesën ku qëndronte, policia gjeti një pistoletë të mbushur me fishekë dhe dy granata dore. Sipas informacioneve të publikuara nga Protothema dhe Newsit, ai nuk arriti të përdorte armët gjatë ndërhyrjes së policisë.
Një tjetër detaj që e bën edhe më të rëndë çështjen është se autoritetet greke dyshojnë se shqiptari mund të ishte duke përgatitur një tjetër sulm. Sipas burimeve policore të cituara nga mediat greke, ai konsiderohet si një person me rrezikshmëri të lartë dhe po hetohet edhe për përfshirje të mundshme në vrasje të tjera të ndodhura gjatë viteve të fundit.
Sipas Protothema-s, 44-vjeçari ishte dënuar në mungesë me dy burgime të përjetshme për krimin e dyfishtë, ndërsa policia po verifikon aktivitetin e tij gjatë gjithë periudhës që ka qëndruar në arrati. Ngjarja makabre ndodhi më 11 tetor 2020, në një banesë pushimi në zonën e Flamburos, në Korinth. Viktimat ishin 43-vjeçarja Svetlana, e njohur në Greqi edhe me emrin Fotini, me origjinë nga Ukraina, dhe 42-vjeçari Ioannis Zonitsas, farmacist me profesion.
Sipas rindërtimit të ngjarjes nga mediat greke, gruaja kishte nisur një lidhje të re me farmacistin, të cilin e kishte njohur vetëm pak javë para krimit. Të dy kishin vendosur të kalonin fundjavën së bashku në banesën e pushimit të 43-vjeçares.
Mbrëmjen e 10 tetorit, çifti kishte konsumuar verë në oborrin e banesës, përpara se të hynte brenda. Pikërisht atëherë dyshohet se ish-partneri i gruas hyri në shtëpi, duke përdorur një çelës të dytë që kishte ruajtur nga koha kur jetonte me të.
Sipas hetimeve të publikuara nga Protothema, shqiptari i kishte zënë pritë çiftit dhe i kishte gjetur në dhomën e gjumit. Në atë moment, ai dyshohet se kishte marrë një sëpatë dhe kishte nisur sulmin.
43-vjeçarja mori disa goditje në kokë, si dhe dëmtime të tjera të rënda, përfshirë një plagë fatale në arterien karotide. Ndërsa farmacisti 42-vjeçar u godit dy herë në kokë dhe një herë në zemër. Të dy humbën jetën në vendngjarje.
Pas vrasjeve, autori dyshohet se mori telefonat celularë të viktimave dhe u largua nga banesa. Më pas, ai mori edhe automjetin hibrid Toyota të ish-partneres, të cilin e dogji për të zhdukur gjurmët që mund ta lidhnin me krimin.
Hetimet u përqendruan që në fillim te ish-partneri i gruas, pasi dyshohej se nuk kishte pranuar ndarjen dhe kishte shfaqur më parë sjellje posesive ndaj saj. Sipas informacioneve të publikuara në atë kohë, ai e kishte kërcënuar pasi gruaja kishte vendosur t’i jepte fund marrëdhënies.
44-vjeçari kishte qenë edhe më parë në radarët e autoriteteve greke. Sipas Protothema-s, ai ishte arrestuar në vitin 2014 për grabitje dhe ishte liruar nga burgu në vitin 2017.
Pas krimit, gjurmët e tij u zhdukën. Për vite me radhë, policia e kërkoi në Athinë, në ishullin e Mykonosit dhe në Shqipëri, duke hetuar edhe mundësinë që ai të ishte larguar nga territori grek.
Tashmë, pas arrestimit në Patissia, autoritetet greke pritet të thellojnë hetimet për të zbardhur aktivitetin e tij gjatë gjashtë viteve të fundit dhe për të verifikuar nëse ka lidhje me ngjarje të tjera kriminale







