HomeKronike“Më vunë eksploziv në karton pice”, Noizy dëshmon në gjykatë: ‘Cllevio’ e...

“Më vunë eksploziv në karton pice”, Noizy dëshmon në gjykatë: ‘Cllevio’ e pranoi në TikTok

Advertismentspot_img

Këngëtari Rigels Rajku, i njohur publikisht me emrin Noizy, si dhe babai i tij, Bashkim Rajku, kanë dalë para gjykatës për të dëshmuar në procesin ndaj Laert Haxhiut. Çështja lidhet me shpërthimin e eksplozivit në biznesin e artistit në Durrës, ngjarje e ndodhur në qershor të vitit 2022.

Dëshmia e tyre ishte kërkuar nga SPAK, ndërsa në seancë nuk ishte i pranishëm Laert Haxhiu, i cili u përfaqësua nga avokati i tij, Detar Hysi.

Fillimisht, para prokurorit Behar Dibra u paraqit Bashkim Rajku. Ai rrëfeu se kishte dëgjuar shpërthimin dhe, pasi kishte dalë për të parë çfarë kishte ndodhur, kishte vënë re dëmtimin e xhamave të dyqanit. Biznesi ndodhej në të njëjtin pallat ku banonte edhe familja Rajku.

Sa i përket arsyeve të mundshme të ngjarjes, Bashkim Rajku deklaroi se nuk kishte informacion të drejtpërdrejtë, por përmendi si një pistë konfliktet e mëparshme mes djalit të tij dhe Kleviol Ahmetit.

“Djali im është artist, mund të ketë pasur ndonjë fërkim apo hatërmbetje. Nuk kishim dyshime në momentin e parë. Ju e dini historinë, ka pasur fërkime me atë të Lushnjës. Nuk kam fakte ta them konkretisht. Punë artistësh”, deklaroi ai.

Gjatë dëshmisë, babai i këngëtarit solli në vëmendje edhe një episod të ndodhur një ditë përpara shpërthimit. Sipas tij, disa persona ishin afruar me automjete pranë lokalit dhe kishin provokuar ‘Noizy-n’, situatë që kishte përfunduar në përplasje fizike.

Ai theksoi se familja nuk kishte pasur njohje të mëparshme me Kleviol Ahmetin dhe bëri me dije se dëmi ekonomik i shkaktuar nga shpërthimi arrinte në rreth 30 mijë euro.

Pas tij, në gjykatë dëshmoi edhe vetë Noizy. Artisti tregoi se në momentin kur ndodhi shpërthimi ishte duke fjetur dhe ishte zgjuar nga zhurma e fortë. Për atë që kishte ndodhur ishte informuar nga babai i tij.

“Isha në gjumë, shpërthimi më zgjoi. Më merr babi, më thotë ngjarjen. Unë i kam thënë nuk dua të dal se më shohin njerëzit”, dëshmoi këngëtari.

Noizy shpjegoi se ambienti ku ishte vendosur lënda plasëse shërbente për tregtimin e veshjeve. Ai deklaroi gjithashtu se kishte informacion mbi personin që, sipas tij, kishte lidhje me organizimin e sulmit.

Në dëshminë e tij, këngëtari iu referua deklaratave të Kleviol Ahmetit në rrjetet sociale, ku ky i fundit, sipas Noizyt, kishte pranuar se eksplozivin e kishte vendosur me porosi të Laert Haxhiut.

Artisti përmendi edhe një tjetër rast, që sipas tij kishte ndodhur rreth dy muaj përpara dëshmisë. Në atë episod, ishte vendosur një sasi eksplozivi brenda një kutie picash, por fitili nuk ishte ndezur.

Duke iu kthyer ngjarjes kryesore, Noizy tregoi se një ditë përpara shpërthimit kishte pasur një përballje fizike me Kleviol Ahmetin. Sipas versionit të tij, Ahmeti ishte paraqitur në lokal i shoqëruar nga rreth 20 persona, duke shkaktuar fillimisht debate dhe më pas konflikt fizik.

“Një ditë më parë patëm një përleshje me Kleviol Ahmetaj. Më erdhi në lokal me 20 veta për t’u sqaruar. Ofendon stafin dhe mua. Nisi përleshja fizike, atë natë shpërthen dinamiti. Del live në TikTok ai dhe thotë pati bubullima nga Durrësi. E ka pranuar vetë”, deklaroi Noizy.

I pyetur nga prokurori nëse kishte pasur njohje me Laert Haxhiun, këngëtari sqaroi se nuk e njihte atë përpara ngjarjes. Ai përsëriti se informacionin për autorin e vendosjes së eksplozivit e kishte marrë nga ato që kishte publikuar Kleviol Ahmeti në TikTok.

“Nuk e njoh, vetëm pas rastit. Nuk e di kush ishte personi që e vuri lëndën plasëse. E tregoi vetë Klevioli në TikTok”, tha ai.

Edhe gjatë pyetjeve të gjykatës, Noizy qëndroi në të njëjtin version, duke argumentuar se të dhënat që kishte për Kleviol Ahmetin buronin nga deklaratat e tij publike në rrjetet sociale, të bëra brenda 24 orëve pas ngjarjes.

Këngëtari shtoi se përplasjet mes tyre nuk kishin nisur atë ditë, por datonin që prej vitit 2019. Sipas tij, shkak për konfliktet ishin bërë ofendimet e përsëritura ndaj familjes së tij.

Në pjesën e fundit të seancës, gjatë marrjes në pyetje nga avokati, Noizy u pyet nëse mendonte se personat që e fyenin përfitonin famë duke u përmendur në lidhje me të. Përgjigjja e tij ishte:

“Nuk e mendoj, merr shumë faj”.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular