Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Meksikë, ku dy persona të armatosur me motoçikletë qëlluan gazetarin teksa ndodhej në automjetin e tij. Atentati është filmuar në video, pamjet tregojnë skenën e rëndë që tronditi vendin
Gazetari dhe shkrimtari 50-vjeçar Camilo Rodríguez është vrarë me armë zjarri në Kosta Rika, në një atentat të ndodhur pasditen e së hënës, më 16 nëntor. Ai u qëllua disa herë teksa ndodhej në automjetin e tij në zonën San Miguel të Santo Domingo, në provincën Heredia.
Sipas raportimeve të mediave vendase, ngjarja ndodhi në aksin rrugor Ruta 32, në drejtim të San José. Dy persona që udhëtonin me një motoçikletë iu afruan automjetit tip “pick-up” me ngjyrë të kuqe dhe hapën zjarr ndaj gazetarit, përpara se të largoheshin me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
https://twitter.com/mundoescazu/status/2122560353938907327/video/1
Sinjalizimi për të shtënat u mor nga Kryqi i Kuq i Kosta Rikës rreth orës 15:21. Kur ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, e gjetën Rodríguez-in brenda automjetit, me plagë të shumta nga arma e zjarrit dhe pa shenja jete. Sipas raportimeve, në trupin e tij u konstatuan gjashtë plagë nga arma e zjarrit.
Hetuesit kanë gjetur rreth 9 deri në 10 gëzhoja në vendin e atentatit, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se autorët e dyshuar lëviznin me një motoçikletë të bardhë dhe mbanin veshje të zeza. Sipas informacioneve paraprake të publikuara nga mediat vendase, ata mund ta kenë ndjekur gazetarin nga provinca Limón deri në zonën ku ndodhi ekzekutimi.
Policia Gjyqësore (OIJ) ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Mes veprimeve hetimore është edhe shqyrtimi i kamerave të sigurisë, me qëllim rindërtimin e itinerarit të atentatorëve dhe përcaktimin e drejtimit në të cilin u larguan. Deri në raportimet e fundit nuk ishte bërë e ditur ndonjë arrestim.
Një detaj që ka tërhequr vëmendjen e mediave vendase është se Rodríguez kishte publikuar një video në rrjetin social TikTok rreth një orë përpara se të vritej. Publikimi i tij i fundit është bërë pjesë e interesit mediatik pas atentatit, ndërsa hetuesit po përpiqen të rindërtojnë lëvizjet dhe aktivitetin e gazetarit në orët e fundit të jetës.
Rodríguez ishte një figurë e njohur në rrjetet sociale, ku publikonte pothuajse çdo ditë denoncime dhe akuza për persona që, sipas tij, kishin lidhje me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe krimin e organizuar. Në publikimet e tij ai kishte përmendur politikanë, biznesmenë, avokatë dhe persona të tjerë, duke ngritur dyshime për marrëdhëniet e tyre me strukturat kriminale.
Gazetari kishte deklaruar më herët se ishte kërcënuar me jetë për shkak të denoncimeve të tij. Megjithatë, një tjetër detaj i rëndësishëm u bë publik pas vrasjes së tij: prokurori i përgjithshëm i Kosta Rikës, Carlo Díaz, deklaroi se Rodríguez kishte refuzuar të përfshihej në programin e mbrojtjes për viktimat dhe dëshmitarët, pavarësisht kërcënimeve që kishte raportuar.
Sipas prokurorit, gazetari kishte marrë më parë asistencë psikosociale dhe ekonomike, por nuk kishte pranuar mbrojtjen zyrtare. Ky fakt ka rikthyer diskutimet mbi sigurinë e gazetarëve që hetojnë dhe denoncojnë aktivitetin e grupeve kriminale në vend.
Díaz bëri të ditur gjithashtu se prokuroria do të shqyrtojë denoncimet e publikuara nga gazetari, si dhe personat që ai kishte përmendur në materialet e tij, për të përcaktuar nëse ndonjëri prej tyre mund të ketë pasur interes për vrasjen. Hetimet synojnë të zbulojnë jo vetëm autorët që kryen atentatin, por edhe personat që mund ta kenë organizuar atë.
Prokuroria nuk përjashton asnjë pistë hetimi, ndërsa denoncimet e Rodríguez-it për lidhjet e dyshuara mes politikës dhe krimit të organizuar po shqyrtohen si pjesë e hetimeve. Megjithatë, deri tani nuk është konfirmuar zyrtarisht se vrasja është porositur nga persona të lidhur me kartelet e drogës.
Vrasja ka shkaktuar reagime të forta në komunitetin gazetaresk të vendit. Shoqata e Gazetarëve dhe Profesionistëve të Komunikimit të Kosta Rikës e dënoi ngjarjen dhe kërkoi një hetim efektiv e transparent, duke theksuar se dhuna nuk duhet të përdoret për të heshtur zërat kritikë.
Edhe presidentja e vendit, Laura Fernández, reagoi përmes një deklarate publike, duke e cilësuar vrasjen si një njollë për lirinë e shprehjes. Ajo kërkoi bashkëpunimin e strukturave policore për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e përgjegjësve.
Rodríguez kishte qenë më parë në një përballje ligjore me presidenten, pasi në gusht të vitit 2025 ajo kishte ngritur një padi për shpifje ndaj tij. Gazetari kishte pretenduar se shtëpia e saj ishte financuar nga një person i lidhur me trafikun e drogës, por këto akuza nuk janë provuar.
Një tjetër detaj që ka tërhequr vëmendjen e mediave vendase është vendndodhja e atentatit. Sipas gazetës “La Nación”, gazetari u vra rreth 50 metra larg vendit ku ishte ekzekutuar në vitin 2001 edhe gazetari Parmenio Medina, një tjetër figurë e njohur e medias në Kosta Rika, i cili ishte marrë me denoncimin e parregullsive.
Prokurori i përgjithshëm e ka cilësuar vrasjen e Rodríguez-it si rastin e tretë të vrasjes së një gazetari në historinë e vendit. Sipas raportimeve ndërkombëtare, bëhet fjalë për vrasjen e parë të një gazetari në Kosta Rika në rreth 25 vitet e fundit.
Ngjarja rikthen në vëmendje përshkallëzimin e aktivitetit të grupeve kriminale në Kosta Rika, e cila vitet e fundit është kthyer në një pikë të rëndësishme tranziti për trafikun ndërkombëtar të drogës. Megjithatë, autoritetet nuk kanë konfirmuar ende motivin e atentatit ndaj Rodríguez-it dhe po hetojnë të gjitha pistat e mundshme.







