HomeKronikePakot e Taullait dhe informatori i Ymerit, si e lidh SPAK Shullazin...

Pakot e Taullait dhe informatori i Ymerit, si e lidh SPAK Shullazin me vrasjen e Vajdin Lamajt

Advertismentspot_img

Dëshmitë e bashkëpunëtorit të drejtësisë Luftar Reçi, përgjimet telefonike, komunikimet e vitit 2015 dhe regjistrat e takimeve në burgje janë ndër provat që SPAK ka administruar për të argumentuar akuzën ndaj Emiljano Shullazit për vrasjen e biznesmenit Vajdin Lamaj dhe Artan Arsit në shkurt të vitit 2005.

Nga verifikimi i konkluzioneve përfundimtare të SPAK-ut, që “MaShqip” disponon, prokuroria ka rindërtuar marrëdhëniet ndërmjet Emiljano Shullazit, Viktor Ymerit, Indrit Taullait dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë proces penal.

Një nga episodet më të rëndësishme të dëshmisë së Reçit lidhet me bisedat që ai pretendon se ka zhvilluar me Viktor Ymerin gjatë vuajtjes së dënimit në burgun e sigurisë së lartë në Peqin.

Informatori që mbante nën vëzhgim Vajdin Lamajn

Sipas dëshmisë së dhënë në gjykatë më 3 prill 2023, Reçi pretendon se Viktor Ymeri i kishte treguar për rolin e Shullazit në sigurimin e informacioneve mbi lëvizjet e biznesmenit.

“Po isha unë që ia gjeta njeriun, që e punësova me një fjalë te Vajdin Lame, që ta mbante në vëzhgim dhe të jepte informacionet e duhura te Emiljano”, thuhet në dëshminë e Reçit, teksa riprodhon bisedën që pretendon se ka zhvilluar me Ymerin.

Sipas bashkëpunëtorit të drejtësisë, personi në fjalë paguhej të paktën 2 mijë euro. Identiteti i tij nuk përcaktohet në këtë pjesë të dëshmisë.

Pakot e Indrit Taullait dhe takimi me Shullazin

Në dëshminë e tij, Luftar Reçi përshkruan edhe një episod të dorëzimit të dy pakove nga Indrit Taullai, si dhe takimin me Emiljano Shullazin. Reçi pretendon se e kishte njohur Shullazin nëpërmjet Taullait dhe se ndërmjet tyre ekzistonin marrëdhënie shoqërore.

“Me Emiljanon kam pasur miqësi më përpara. Pyetjes së gjykatës nëse e njihte vetë personalisht që përpara që të erdhi me atë makinën ishte Emiljano, ai është përgjigjur po”, thuhet në dokumentin e SPAK-ut.

Ky episod përmendet nga prokuroria në kuadër të rindërtimit të njohjeve dhe marrëdhënieve ndërmjet të pandehurve.

Përgjimet e Shullazit me vëllanë e Erald Harshovës

Por SPAK nuk është mbështetur vetëm në dëshminë e Luftar Reçit. Në dosjen prej 112 faqesh janë administruar edhe përgjimet telefonike ndërmjet Emiljano Shullazit dhe Plarent Harshovës, vëllait të Erald Harshovës, i vrarë në vitin 2002.

Sipas prokurorisë, këto komunikime shërbejnë për të dokumentuar marrëdhëniet ndërmjet Shullazit dhe familjarit të Erald Harshovës, si pjesë e materialit provues të administruar gjatë hetimeve.

Regjistrat e burgjeve dhe komunikimet e fshehta

Një tjetër element që prokuroria përdor për të mbështetur dëshminë e Reçit janë dokumentet e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Nga verifikimi i regjistrave rezulton se Viktor Ymeri dhe Luftar Reçi kanë vuajtur dënimin në burgun e Peqinit gjatë vitit 2013, duke qëndruar për një periudhë edhe në të njëjtin sektor.

Gjithashtu, dokumentet evidentojnë takime të Emiljano Shullazit me persona që kishin lidhje shoqërore me Viktor Ymerin, si dhe sekuestrimin e telefonave celularë gjatë vuajtjes së dënimit të Luftar Reçit.

Nëpërmjet këtyre provave, SPAK synon të mbështesë versionin e bashkëpunëtorit të drejtësisë mbi marrëdhëniet ndërmjet të pandehurve dhe përfshirjen e pretenduar të Shullazit në vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Artan Arsit, më 27 shkurt 2005.

Shullazi akuzohet për vrasje në rrethana të tjera cilësuese, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për vepra penale që lidhen me këtë grup. Përgjegjësia e tij penale për këtë ngjarje mbetet objekt i vendimmarrjes së gjykatës.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
Advertismentspot_img
RELATED ARTICLES
Advertismentspot_img
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular