Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka kujtuar regjisoren Adriana Elini-Xhajanka, një prej emrave të rëndësishëm të filmit dokumentar shqiptar.
Elini-Xhajanka realizoi rreth 70 filma dokumentarë, reportazhe dhe kronika të shkurtra gjatë karrierës së saj në Kinostudion “Shqipëria e Re”.
Ajo u vlerësua me çmimin “Regjisorja më e Mirë” në Festivalin e VI të Filmit Dokumentar, për filmin “Çdo vijë, një vizatim”. Ndër veprat e saj të njohura janë edhe “Qylymat tanë”, “Tokë e begatë”, “Manush Alimani” dhe “Kolë Idromeno”.
Në krijimtarinë e saj, regjisorja i kushtoi vëmendje të veçantë jetës së njerëzve të zakonshëm, punëtorëve dhe fëmijëve, duke dokumentuar përmes filmave të saj realitetin shqiptar të asaj kohe.
E lindur në Tiranë më 3 prill 1937, ajo nisi punën në Kinostudion “Shqipëria e Re” në vitin 1958, fillimisht si regjisore montazhi. Në vitin 1968 realizoi filmin e saj të parë si regjisore, “Universiteti ynë”.
Adriana Elini-Xhajanka u nda nga jeta më 24 nëntor 1994, duke lënë pas një trashëgimi të
Postimi i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit:
Sot nderojmë regjisoren Adriana Elini-Xhajanka, gjurmët e së cilës në filmin dokumentar shqiptar ruhen në Arkivin e Filmit si një nga dëshmitë e punës dhe përkushtimit të brezave të artistëve shqiptarë.
Regjisorja Adriana Elini-Xhajanka u vlerësua me çmimin si “Regjisorja më e Mirë” në Festivalin e VI të Filmit Dokumentar, për filmin “Çdo vijë, një vizatim”.
Ky vlerësim ishte një nga momentet e rëndësishme të karrierës së saj artistike, si një nga pioneret e brezit të kineastëve në Kinostudio ku ajo realizoi rreth 70 filma dokumentarë, reportazhe dhe kronika të shkurtra, përmes të cilave pasqyroi njerëz, histori dhe aspekte të ndryshme të jetës shqiptare.
Me krijimtarinë e saj, Elini-Xhajanka dha një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e filmit dokumentar në Shqipëri, duke lënë pas një trashëgimi filmike me vlera artistike dhe dokumentuese.
Kujtesa për veprën e saj sot na rikthen në vëmendje kontributin e kineastëve që ndërtuan historinë e dokumentarit shqiptar.
Kineasttja Adriana Elini- Xhajanka në filmat që realizoi nuk u orientua nga tematika të mëdha, por bëri pikturën e bashkohësisë.
Në qendër të krijimtarisë së Adriana Elinit ishte jeta njerëzore, veçanërisht bota e fëmijëve, përmes së cilës ajo, me zgjuarsi dhe urtësi, ndërtonte një këndvështrim të çiltër e autentik, ku propaganda e kohës nuk arrinte të depërtonte thellë. Në filmat e saj spikasin ndjeshmëria ndaj njerëzores, e bukura dhe vlerat që i shërbejnë shoqërisë, të përcjella përmes portreteve të njerëzve të thjeshtë, por të talentuar, punëtorë dhe të dobishëm për komunitetin.
Pjesë e brezit të regjisoreve që nisën veprimtarinë në fund të viteve ’50, Adriana Elini-Xhajanka e ndërtoi karrierën me pasion dhe përkushtim, duke kaluar nga regjia e montazhit në atë të filmit dokumentar. Për më shumë se tri dekada ajo krijoi një profil të veçantë në kinematografinë shqiptare, duke u vlerësuar edhe me çmime në festivale të filmit dokumentar.
Nga fundi i viteve ’60 deri në mbylljen e epokës së Kinostudios “Shqipëria e Re”, ajo realizoi dhjetëra filma dokumentarë me metrazh të shkurtër, 19 prej të cilëve vetëm gjatë viteve ’70.
Përmes planeve të afërta dhe vëmendjes së veçantë ndaj punëtorëve e fëmijëve, filmat e saj dokumentojnë një Shqipëri të një kohe tashmë të largët, duke ruajtur në celuloid copëza jete, portrete njerëzore dhe dëshmi me vlerë të kujtesës sonë kolektive.
Adriana Elini u lind në Tiranë, më 3 prill 1937, në një familje qytetare me ideale të vyera atdhetare. Pas përfundimit të Fakultetit të Histori-Gjeografisë në Tiranë, në vitin 1958 nisi punën në Kinostudion “Shqipëria e Re”, fillimisht si regjisore montazhi. Në vitin 1968 realizoi filmin e saj të parë si regjisore, “Universiteti ynë”, duke nisur një krijimtari që për afro dy dekada do të përfshinte rreth 70 dokumentarë artistikë, reportazhe dhe kronika.
Ndër filmat e saj më të spikatur janë “Qylymat tanë”, “Art i lashtë, mjeshtër të rinj”, “Tokë e begatë”, “Me pushkë e penë për mëmëdhenë”, “Manush Alimani”, “Çdo vijë, një vizatim” dhe “Kolë Idromeno”. Për filmin “Çdo vijë, një vizatim” u vlerësua si Regjisorja më e Mirë në Festivalin e VI të Filmit Dokumentar, ndërsa filmi “Kolë Idromeno” u nderua me Çmimin e Tretë në Festivalin e VII.
Adriana Elini-Xhajanka u nda nga jeta më 24 nëntor 1994, duke lënë pas një kontribut të çmuar në historinë e filmit dokumentar shqiptar.









