Në kujtim të një legjende/Albert Koja, – “Mbreti i pistës”
Ka emra që nuk i përkasin vetëm një periudhe sportive, por mbeten pjesë e historisë. Një prej tyre është Albert Koja, mjeshtri i atletikës shqiptare, të cilit spordashësit e kohës e thërrisnin si “Legjenda e Atletikës apo “Mbreti i pistës”.
Fitues i mbi 100 garave në aktivitete Kombëtare, me 31 tituj kampionë kombëtarë në katër disiplina të vrapimit përfshirë edhe 5 garësh. Albert Koja ndërtoi një karrierë të jashtëzakonshme, duke u bërë një nga atletët më të suksesshëm të brezit të tij. Në historinë e atletikës shqiptare, emri i tij lidhet me garat e 400, 800 dhe 1500 metrave, distanca që kërkojnë cilësi të ndryshme fizike, shpejtësi, rezistencë dhe një përgatitje të lartë sportive.
31 tituj kampionë, një bilanc i jashtëzakonshëm
Albert Koja arriti një bilanc të rrallë në kampionatet shqiptare të atletikës. Në vitet 1948-1958 Koja përfaqësonte kampionin absolut me fitoi 31 tituj kampioni dhe 23 rekorde kombëtare perfshi edhe 2 të periudhës së paraluftës
| Gara | Titulli “Kampion” |
| 400 m | 8 herë |
| 800 m | 11 herë rradhazi |
| 1,500 m | 6 herë |
| 5 Garësh | 6 herë |
| Kampion | 31 herë |
Por, madhështia e Albert Kojës nuk qëndron vetëm te numri i titujve. Ai ishte gjithashtu rekordmen kombëtar në të tria distancat, një arritje që e vendos mes emrave të veçantë të historisë së këtij sporti.
Në një analizë historike, gazetari dhe studiuesi i njohur sportiv Besnik Dizdari e përfshin Kojën mes tre atletëve shqiptarë që kishin mbajtur në të njëjtën periudhë rekorde kombëtare në tri disiplina të ndryshme.
23 Rekordet që sfiduan kohën
Për të kuptuar rëndësinë e arritjeve të Albert Kojës, duhet të kthehemi në Shqipërinë e viteve ’40 dhe ’50, në një periudhë kur atletika shqiptare po ndërtonte historinë e saj konkurruese.
Në vitin 1948, Koja regjistroi kohën 2 minuta e 08.7 sekonda në garën e 800 metrave.
Tre vjet më vonë, në vitin 1951, shënoi rezultatin 4 minuta e 18.6 sekonda në 1500 metra.
Ai mbajti rekord kombëtar edhe në 400 metra të cilin e përmirësoi nga viti në vit nga 54.2 në 52.4 sekonda duke plotësuar një bilanc të rrallë në tri distanca të ndryshme.Nëkushtet e sportit shqiptar të kohës, këto arritje përfaqësonin një nivel të rëndësishëm konkurrues dhe dëshmonin për përgatitjen e tij në distanca të ndryshme.
Nga babai te i biri, një trashëgimi kampionësh
Historia e Albert Kojës bëhet edhe më domethënëse kur lidhet me familjen e tij. Babai, Jorgji Koja, ishte një prej pionierëve të atletikës shqiptare dhe katër herë kampion kombëtar në periudhën e paraluftës. Ai ishte ndër emrat që kontribuan në zhvillimin e garave të distancave të gjata dhe më pas u bë trajner i të birit.
Jorgji dhe Albert Koja përfaqësojnë dy kapituj të së njëjtës histori, atë të një familjeje që la gjurmët e saj në atletikën shqiptare.
Albert Koja , “Mbreti i pistës”, një emër që meriton të mos harrohet
Albert Koja i përket atij brezi sportistësh që ndërtuan historinë e atletikës shqiptare përmes punës, disiplinës dhe rezultateve.
Të fitosh një titull kampion është sukses. Ta përsërisësh këtë arritje 31 herë në disiplina të ndryshme është dëshmi e një karriere të rrallë.
Albert Koja përfaqësoi denjësisht atletikën shqiptare edhe në garat ndërkombëtare të kohës.
Një tjetër gjurmë në historinë e tij prej kampioni la konkurimi në garat ndërkombëtare në të cilat Koja, në 800m regjistroi kohën 1 minutë e 57.6 sekonda në Bukuresht dhe e përmirësoi atë në Moskë në 1 minutë e 57 .1 sekonda brenda të njëjtit vit (1957).
Studimet jashtë vendit, njohurit e thelluara, titujt , rekordet dhe pasioni e përkushtimi për sportin i garantuan Kojës, që në vitet 1958-1980, të shkëlqente si trajnier me Klubin Dinamo dhe Ekipin Kombetar duke siguruar rezultate të larta dhe thyerje të rekordeve.
Kampioni i shquar Rauf Dimraj e cilëson trajnerin e tij Albert Koja si një nga trajnerët më të shquar në historinë e atletikës shqiptare.
Me të njëjtin përkushtim Alberti përcolli dashurinë për edukimin fizik në breza të shumtë të nxënësve të tij.
Albert Koja ishte nga ata njerëz që madhështinë nuk e mbajnë si titull, por e dëshmojnë në mënyrën si jetojnë. Bashkëshort i përkushtuar, baba i dashur dhe njeri me një thjeshtësi të rrallë, ai e jetoi jetën me ndershmëri, guxim e dinjitet, duke lënë gjurmë jo vetëm në historinë e sportit, por edhe në jetën e atyre që njohu e që pati pranë.
Prandaj , një homazh për të nuk është thjesht një rikthim nostalgjik në të kaluarën. Është një akt respekti për historinë e sportit shqiptar dhe për ata njerëz që e ndërtuan atë me talent dhe përkushtim.
Albert Koja, “Mbreti i pistës”, mbetet një nga emrat që meritojnë një vend të veçantë në kujtesën e atletikës shqiptare. Sepse kampionët fitojnë gara, ndërsa figurat e mëdha sportive lënë pas një histori që u përket brezave.









