HomeKryesoreShifrat e ILO/ Produktiviteti i punës në Shqipëri pësoi rënie në 2025,...

Shifrat e ILO/ Produktiviteti i punës në Shqipëri pësoi rënie në 2025, e fundit në Ballkan! Ja faktorët

Advertismentspot_img

Produktiviteti i punës në Shqipëri pësoi rënie vitin e kaluar, duke qëndruar në nivelin më të ulët në Rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Sipas të dhënave nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), Prodhimi i Brendshëm Bruto për orë pune në Shqipëri vitin e kaluar vlerësohej në 18.7 dollarë ndërkombëtarë. Ky tregues është tkurrur me 4.1% krahasuar me vitin 2024 dhe hendeku me vendet fqinjë të rajonit është thelluar më tej.

Zakonisht, produktiviteti i punës matet si raport i vlerës së prodhimit me kohën e shpenzuar për ta prodhuar. Statistikat krahasuese përdorin si njësi matëse dollarin ndërkombëtar, njësi monetare hipotetike, që përdoret në funksion të paritetit të fuqisë blerëse.

Mes vendeve të rajonit, Shqipëria paraprihet nga Bosnje Hercegovina, me 26.3 dollarë për orë, Serbia, me 29.8 dollarë, Mali i Zi, me 31.1 dollarë dhe Maqedonia e Veriut, me 34 dollarë.

Statistikat e ILO nuk japin informacion për Kosovën.

Shqipëria renditet gjithashtu poshtë mesatares globale, që vlerësohet nga ILO në nivelin 23.3 dollarë për orë pune.

Faktorët kryesorë që përcaktojnë nivelin e produktivitetit janë investimet në teknologji dhe automatizim, inovacioni dhe cilësia e kapitalit njerëzor ose aftësitë e forcës së punës.

Por, një ndikim të madh në këtë tregues ka edhe struktura e ekonomisë dhe pesha në prodhim e atyre e sektorëve që zakonisht mundësojnë një vlerë më të madhe të shtuar për njësi kohë pune.

Shtetet me produktivitetin më të lartë të punës në Botë janë Irlanda, me 164.7 dollarë në orë e ndjekur nga Luksemburgu, me 159.5 dollarë në orë.

Të dhënat e ILO tregojnë se në përgjithësi ekonomitë që shfrytëzojnë një forcë pune më të kosto të ulët kanë edhe produktivitet më të dobët të punës.

Edhe në Shqipëri, kosto e ulët e krahut të punës dhe informaliteti i lartë nuk kanë krijuar shumë stimuj për të rritur produktivitetin në dekadat pas rënies së komunizmit. Për shkak të pagave të ulëta, ndërmarrjet kanë ndier pak presion për të investuar në automatizim, çka do të mundësonte rritje të prodhimit pa shtuar kostot e punës.

Rënia e peshës së fasonerisë në ekonomi dhe punësim mund të jetë një premisë për të orientuar ekonominë drejt sektorëve me produktivitet më të lartë.

Produktiviteti i ulët i punës kufizon mundësitë për rritje të pagës reale, ndaj përmirësimi i këtij treguesi është thelbësor për rritjen e mirëqenies së një vendi.

Nga ana tjetër, trysnia nga tregu i punës për rritjen e pagave (siç ka ndodhur në Shqipëri në vitet e fundit) mund të krijojë më shumë presione për nevojën e rritjes së produktivitetit të punës, në mënyrë që bizneset të arrijnë në ruajnë konkurrueshmërinë.

Megjithatë, të dhënat krahasuese të ILO-s tregojnë se vendi ynë nuk ka arritur përmirësime të rëndësishme në produktivitetin e punës. /Monitor

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular