Turisti i huaj, i cili mëngjesin e kësaj të marte (18 gusht) u vra me thikë në Ksamil nuk është francez, por nga Portugalia. Kështu thotë policia, e cila në një informacion shtesë për ngjarjen hodhi poshtë atë që kishte njoftuar me parë, se viktima ishte francez. Madje edhe emri, nuk është Miguel Mendes, sic u njoftua në fillim.
Në njoftimin e dytë shtesë, blutë e Sarandës thonë se bëhet fjalë për një turist nga Portugalia, 21 vjeç, i identifikuar si Luis Miguel Varela Mendes.
Ndërkohë, hetimet janë përqendruar edhe në verifikimin e përfshirjes së dy shtetasve turq në automjetin e të cilëve u kap autori i dyshuar, Sokrat Vata ndërsa po e transportonin atë në drejtim të Tiranës.
Ksamil, Sarandë/Informacion shtesë
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm në Ksamil, ku humbi jetën një shtetas i huaj, sqarojmë se:
Bazuar në të dhënat paraprake të disponueshme në momentet e para të ngjarjes, viktima u identifikua fillimisht si shtetas francez, me inicialet M. M. Në vijim të veprimeve hetimore dhe pas gjetjes së dokumentit të identifikimit, u konfirmua se ishte shtetas portugez, me inicialet L. V., i datëlindjes 27.09.2005.
Ndërkohë, hetimet janë përqendruar edhe në verifikimin e përfshirjes së dy shtetasve turq në automjetin e të cilëve u kap autori i dyshuar, ndërsa po e transportonin atë në drejtim të Tiranës.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, do të ketë njoftim të plotë në lidhje me këtë ngjarje.







