Sezoni i ri televiziv në Top Channel pritet të sjellë ndryshime të shumta në disa prej formateve më të njohura të televizionit. Por përpara se vëmendja të zhvendoset te spektakli i humorit, Alfa Press raportoi ekskluzivisht një prej lëvizjeve më të bujshme të sezonit të ri: largimin e Filip Çakulit nga “Fiks Fare”, pas rreth 25 vitesh në ekran.
Çakuli, një prej figurave më të lidhura me historinë e “Fiks Fare” dhe një emër që ka qenë pjesë e pandashme e rrugëtimit të formatit ndër vite, pritet të nisë një kapitull të ri profesional.
Por ndryshimet në Top Channel duket se nuk ndalen këtu. Në rrjet po qarkullojnë raportime për një tjetër lëvizje të rëndësishme, këtë herë në spektaklin e humorit “Portokalli”.
Mësohet se Agron Llakaj pritet të rikthehet në “Portokalli” dhe të marrë drejtimin e spektaklit, 16 vite pasi u largua nga ky format. Rikthimi i tij do të përbënte një lëvizje të fortë për spektaklin, duke rikthyer në qendër të humorit televiziv një prej emrave më të njohur të këtij zhanri në Shqipëri.
Ky zhvillim raportohet të vijë pas largimit të Salsano Rrapit nga drejtimi i “Portokallisë”. Megjithatë, largimi i Rrapit nga spektakli nuk do të nënkuptonte largimin e tij nga Top Channel, pasi mësohet se po diskutohen mundësi për përfshirjen e tij në një tjetër program të njohur të televizionit.
Ndërkohë, Ilir Muhametaj pritet të vijojë të jetë regjisor i “Portokallisë”. Ndryshimet nuk kufizohen vetëm te programet e humorit. Edhe “Përputhen” pritet të ketë një tjetër formulë në sezonin e ri. Sipas raportimeve që qarkullojnë, Megi Pojani nuk pritet të jetë më në drejtimin e programit, ndërsa vendin e saj mund ta marrë Heidi Baci.
Në krah të saj është përfolur edhe Ronaldo Sharka, ndërsa një tjetër emër që pritet t’i bashkohet formatit është Erjola Doçi, e cila thuhet se do të ketë rolin e opinionistes.
Në të njëjtën kohë, në rrjet po qarkullon edhe lajmi për rikthimin e Arjan Konomit në ekranin e Top Channel. Konomi pritet të rikthehet në rolin e opinionistit, pozicion me të cilin është identifikuar për vite me radhë gjatë periudhës së tij në “Përputhen”.
Megjithatë, as Top Channel dhe as emrat e përfolur nuk i kanë konfirmuar zyrtarisht këto ndryshime.







