Andenne, 12 shtator 2026 – Më 12 shtator 2026, Qyteti i Andenne-s organizoi një ceremoni përkujtimore në stacionin hekurudhor Andenne-Seilles për të shënuar 70-vjetorin e mbërritjes së valës së parë të madhe të refugjatëve shqiptarë në Belgjikë.
Më 1 gusht 1956, një tren me rreth 700 refugjatë nga Evropa Lindore – mes të cilëve rreth 350 shqiptarë që i iknin regjimit komunist – mbërriti në Andenne pas një udhëtimi të gjatë nga kampi i Gerovës (ish-Jugosllavi). Të alarmuar nga kushtet e vështira në kamp, autoritetet belge u përgjigjën me shpejtësi thirrjes së UNHCR-së duke u ofruar atyre strehim dhe statusin e refugjatit politik.
Kjo ngjarje është përkujtuar dhe në vitin 2016, ku me nismën e përfaqësuesve të pasardhësve të kësaj ngjarjeje historike, z. Enver Basha dhe z. Safet Kryemadhi, Kolegji Komunal i Andenne-s vendosi ta kremtojë këtë largim të shqiptarëve nga regjimi komunist.
Shqiptarët e pranishëm në këtë grup kishin ikur kryesisht nga regjimi komunist i vendosur në vendin e tyre nën udhëheqjen e Enver Hoxhës. Mbërritja e tyre në Seilles përbën një nga valët e para të mëdha të mërgimit shqiptar në Belgjikë.
Ky episod lidhet me ngjarjet e Hungarisë të vitit 1956, por në realitet është disa muaj më i hershëm se ato. Kryengritja hungareze nisi në Budapest më 23 tetor 1956 dhe shtypja e saj nga sovjetikët nxiti më pas një fluks të ri refugjatësh drejt Evropës Perëndimore.
Ky përvjetor simbolizon një moment kyç në historinë e emigracionit dhe mikpritjes në Belgjikë.
70-vjetori i mbërritjes së shqiptarëve në Belgjikë përkujtohet në Andenne
RELATED ARTICLES







