Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në hyrje të Korçës, në afërsi të fshatit Bulgarec, ku një person ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur.
Sipas informacioneve, një punonjës i Policisë Rrugore, i cili sapo kishte përfunduar shërbimin, ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij kur është përplasur me një biçikletë.
Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i bicikletes, rreth 60 vjeç, ka humbur jetën. Ndërkohë, punonjësi i policisë ka mbetur i plagosur dhe është transportuar në Spitalin e Korçës, ku ndodhet në reanimacion dhe po merr ndihmë mjekësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur shkaqet e aksidentit.
Korçë/Informacion paraprak
Rreth orës 07:10, në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, në afërsi të fshatit Bulgarec, automjeti me drejtues shtetasin D. M., rreth 30 vjeç, punonjës policie jashtë shërbimit, është përplasur me një biçikletë që drejtohej nga shtetasi R. A., rreth 60 vjeç.
Si pasojë e përplasjes, shtetasi R. A. ka humbur jetën në vendngjarje.
Drejtuesi i automjetit, shtetasi D. M., po merr mjekim në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Grupi hetimor dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.







