Misteri i “Këmbëmadhit”, krijesës legjendare që prej dekadash ka intriguar amerikanët, është rikthyer në vëmendje pas publikimit të disa dokumenteve të vjetra të Shërbimit Pyjor të Shteteve të Bashkuara. Bëhet fjalë për tre dosje të arkivuara për vite me radhë, të cilat përmbajnë raporte, dëshmi dhe të dhëna mbi gjurmët e pazakonta që i atribuohen kësaj krijese mitologjike, ekzistenca e së cilës nuk është provuar asnjëherë shkencërisht.
Dokumentet, pjesë e arkivit “Bigfoot/Sasquatch Records”, janë publikuar online dhe kanë rikthyer interesin për një prej legjendave më të njohura amerikane, të krahasuar shpesh me Yetin e Himalajeve apo përbindëshin e Loch Ness.
Mes materialeve të publikuara ndodhet edhe raporti i një ekspedite të organizuar nga qeveria amerikane në vitin 1982. Në atë kohë, Departamenti i Bujqësisë kishte ngarkuar biologun Rodney L. Johnson të hetonte raportimet për dhjetëra gjurmë të dyshimta në zonën e Mill Creek, brenda pyllit kombëtar Umatilla, në kufirin mes shteteve Washington dhe Oregon.
Në një memorandum prej gjashtë faqesh, biologu përshkroi gjetjet e tij. Gjurmët ishin zbuluar në tri zona me baltë, kishin gjatësi rreth 38 centimetra dhe gjerësi 18 centimetra. Ato shtriheshin në një distancë prej 7 deri në 12 metrash, duke kaluar nëpër terrene të pjerrëta dhe zona me bimësi të dendur.
Sipas raportit, në disa pjesë të pyllit vëreheshin edhe shenja dëmtimi të bimësisë, që sugjeronin kalimin e një objekti apo krijese të panjohur.
Sipas legjendës, “Këmbëmadhi” përshkruhet si një krijesë me gjatësi nga dy deri në tre metra, me trup të mbuluar nga qimet, krahë të gjatë, shpatulla të gjera dhe fytyrë të ngjashme me atë të një majmuni të madh. Emri lidhet me gjurmët e mëdha të këmbëve, të raportuara për herë të parë në Kaliforni në vitin 1958. Ndërsa emri tjetër, Sasquatch, vjen nga një term indigjen i popullit Salish në British Columbia, që përkthehet si “njeri i egër” ose “njeri leshator”.
Megjithatë, përfundimet e biologut Johnson nuk konfirmuan ekzistencën e krijesës. Ai vlerësoi se gjurmët nuk mund të ishin lënë nga një qenie dykëmbëshe me peshë mbi 136 kilogramë.
Johnson ngriti dyshime se bëhej fjalë për një mashtrim të organizuar me kujdes. Një nga elementet që e kishte bërë të dyshonte ishte fakti se gjatësia e hapave mbetej e njëjtë edhe në terrene të pjerrëta. Gjithashtu, çizmet e tij fundosen shumë më tepër në baltë sesa gjurmët e gjetura, pavarësisht se, sipas përshkrimeve, “Këmbëmadhi” duhej të ishte shumë më i rëndë.
Hipoteza e mashtrimit ishte përmendur edhe nga një zyrtar i policisë kufitare, i cili kishte paralajmëruar Shërbimin Pyjor se dikush mund të kishte përdorur një kallëp këmbësh prej gipsi ose gome për të krijuar gjurmët.
Në dosjet e publikuara përfshihen edhe artikuj të vjetër gazetash dhe dëshmi të personave që pretendojnë se kanë hasur shenja të pazakonta. Një prej tyre është Leo Kinney, i cili në një letër kishte rrëfyer se gjatë një gjuetie në Montana, në vitet 1940, kishte gjetur gjurmë të çuditshme, kishte ndjerë një erë shumë të fortë dhe kishte dëgjuar një tingull të ngjashëm me hungërimën.
Këto dëshmi tregojnë se rrëfimet për krijesën misterioze qarkullonin në SHBA edhe përpara se legjenda e “Bigfoot” të merrte famë në vitin 1958. Megjithatë, dokumentet e publikuara nuk ofrojnë prova shkencore për ekzistencën e tij, por hedhin më shumë dritë mbi mënyrën se si autoritetet amerikane kanë trajtuar ndër vite raportimet për këtë fenomen./ LaRepubblica









