Shkrimtari dhe publicisti vlonjat Gëzim Zilja ka reaguar ashpër ndaj kritikëve të deputetit të Vlorës, Bujar Leskaj, pas debatit të fundit publik rreth një deklarate të tij për Kosovën dhe partinë. Në një status të gjatë në rrjetet sociale, Zilja u është përgjigjur atyre që, sipas tij, “nxijnë çdo vlerë njerëzore”, duke e cilësuar Leskajn si një figurë të ndershme, patriote dhe me kontribute të dukshme për Vlorën, Shqipërinë dhe Kosovën.
“Lani gojën ose mendohuni kur flisni për Bujar Leskajn! Ai është rritur në një familje me halle, por me edukatë të lartë patriotike. E do Shqipërinë dhe Kosovën pa kushte,” – shkruan Zilja.
Ai thekson se deklarata e Leskajt, ku ky i fundit tha se “nuk e ruan për partinë para Kosovës e Shqipërisë”, duhet parë si shprehje e sinqertë e patriotizmit dhe jo si mungesë besnikërie ndaj forcës politike që përfaqëson.
“Nëse ai tha në një çast sinqeriteti se nuk e ‘rruan’ për partinë para Kosovës e Shqipërisë, kjo është një dekoratë që do ta kishte zili çdo shqiptar me mend në kokë,” – vijon Zilja, duke shtuar se “Bujari vlerëson njeriun, pastaj partinë.”
Në reagimin e tij, Zilja përmend edhe kontributet konkrete të deputetit vlonjat, si nismën për ngritjen e bustit të Ismail Qemalit në Prishtinë, ngritjen e “Muzeut Kosova” në Vlorë, si dhe ndihmën e vazhdueshme ndaj ish-të burgosurve politikë dhe njerëzve në nevojë, pa dallime politike.
Sipas Ziljes, në një kohë kur “Shqipërinë po e mbyt llumi njerëzor, servilët dhe oligarkët”, qëndrimi i Bujar Leskajt për t’u vendosur përpara interesit të partisë është një vlerë e rrallë dhe e admirueshme.
Statusi i Gezim Ziles
Për gjithë llapaqentë, korbat, kukumjaçkat, hijenat e shushenjat e Vlorës, të Shqipërisë dhe më tej!
Për ju mjeranë që nga gjithë ngjyrat e ylberit njihni vetëm të zezën me të dyzetë nuancat e saj. Lani gojën ose mbylleni dhe mendohuni, kur të flisni ose shkruani për deputetin e Vlorës, Bujar Leskaj! Kthejeni nje herë gishtin nga vetja dhe thoni: Çfarë kam bërë unë për Vlorën, Shqipërinë, Kosovën dhe njerëzit e thjeshtë? Pasi të jeni të sinqertë me veten, do ndjeheni të turpëruar, nuk do të nxini e katranosni me frymën tuaj të qelbur çdo vlerë njerëzore.
Bujar Leskaj është njeri i rritur në një familje me shumë halle por me një edukatë të lartë patriotike. E do Shqipërinë dhe Kosovën pa kushte. Nëse ai tha në në çast sinqeriteti: Unë nuk e “rruaj” për partinë para Kosovës e Shqipërisë kjo është një dekoratë që do e kishte zili çdo shqiptar me mend në kokë. Fjala “rruaj” në këtë rast është përdorur si metaforë. Mu versulni mua atëherë që jam demokrat dhe deklaroj: Para Kosovës e Shqipërisë nuk pjerdh as për PD e as për PS.
Bujari me zemër e shpirt si ka emrin, ka ndihmuar me qindra njerëz pa dallim të kuq, blu, me ngjyrë apo laramanë edhe kur ka qenë me funksione qeveritare edhe kur ka qenë i papunë, veçanërisht ish të burgosurit politikë për të cilët ka një respect të madh. Me nismën e tij dhe ndihmën monetare të disa biznesmenëve vlonjatë u ngrit në një nga sheshet e Prishtinës (dikush të më ndihmojë te plotësohet lista me emrat e biznesmenëve të tjerë: Bujar Leskaj, Rrapo Saliu, Petrit Golemi…) busti i Ismail Qemalit. Në Vlorë me nismën dhe shpenzimet e tij ne jemi një grup vlonjatësh që kemi ngritur “Muzeun Kosova” në rrugën, Justin Godar. Aty kemi zhvilluar me dhjetëra aktivitete për figurat partriotike, veçanërisht ato të Kosovës. Ejani dhe e shikoni! Eshtë më i plotë sesa shumë muze të ngritura nga shteti. Kemi pritur e përcjellë në ditë festash shumë miq nga Kosova. Sa për fjalimet e tij në Kuvend ato janë leksione plot vlera për demokracinë, qeverisjen dhe administratën shtetërore. Kam shumë, por po e mbyll duke thënë sërish se Bujari vlerëson njeriun pastaj partinë. Në kushtet kur Shqipërinë po e mbyt llumi njerëzor, servilët, hajdutët, banditët e oligarkët, të duash Shqipërinë, Kosovën njeriun e thjeshtë para interesit të partisë është vlerë e vërtetë njerëzore, vlerë të cilën Bujar Leskaj, e manifeston çdo ditë.
