Nga Sakip Cami
“E duam Amerikën, por më shumë Shqipërinë”, (Mbresa dhe mesazhe nga libri “Horizonti i ëndrrës amerikane” të Ahmet Prençit) Nga Sakip Cami
Shkrimtari Ahmet Prençi është mesazhepërçues në të gjitha krijimet e tij, në poezi, prozë dhe publicistikë letrare. Kjo veçori e tij nuk bën përjashtim as në librin e tij të fundit: ”Horizonti i ëndrrës amerikane” me mbresa nga udhëtimi dhe vizitat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të dish t’u japësh mesazhe lexuesve në tërësi është një aftësi dhe mundësi që jo të gjithë e kanë. Por për shkrimtarin Ahmet Prençi kjo është dhunti, falë përvojës së madhe jetësore që ka patur ndër vite dhe përvojës letrare të suksesshme. Pas vizitave të punës si shtetar dhe drejtor i policisë së shtetit shqiptar, kjo vizitë tre javore ishte një vizitë ndryshe, vizitë për qef, i ftuar nga miku i vjetër gazetari dhe shkrimtari Shefqet Meko, megjithatë, megjithëse shkonte pas dhjetë vjetësh, doganieri amerikan, pasi i skanoi pasaportën, e priti me fjalët mikpritëse:”mirëse vini në ShBA zoti drejtor i policisë së shtetit shqiptar, njëkohësisht shkrimtari Ahmet Prençi ! Këtu duket dallimi, që një lexues dhe shqiptar i vëmendshëm e pikas që në krye të herës. Autori e nis librin me këto dallime midis dy shteteve, midis dy demokracive.” Mund të them me bindje se në këtë epokë, në vendin tim, me gjithë përparimet e bëra, nuk ka udhëhequr në masën e duhur arsyeja shtetformuese. Drejtësia nuk ishte asnjëherë e balancuar. Ishte herë herë e fortë, herë herë e butë dhe herë herë e paaftë. Nuk u bë asnjëherë humane, bindëse, e qëndrueshme dhe e drejtë.
Toleranca si forcë morale në këto situata u përbuz me shumë arrogancë. Ja, pra, në këtë situatë e me këto turbullira mendimesh e nisa këtë udhëtim.” Mirënjohja është një cilësi tjetër e shkrimtarit dhe njeriut të mirë Ahmet Prençi. Që në faqet e para të librit ai shpreh mirënjohjen për redaktorin e gazetës lokale të Dibrës “Ushtima e Maleve”, gazetarin e njohur Kamber Faruku që ja botoi ciklin e parë me poezi, një cikël i shkruar me shkrim dore dhe dërguar me postë nga Reçi i Dibrës, cikël tek i cili redaktori i vëmendshëm K. Faruku dalloi tharmin poetik të poetit dhe të shkrimtarit të ardhshëm Ahmet Prençi, ndaj e pajisi këtë cikël me një shënim për tërheqje vëmendje të lexuesit. Gjithashtu ai shpreh mirënjohjen për mikun e tij të kahershëm, kryeredaktorin e gazetës “Studenti i bujqësisë”, gazetë ku Ahmeti botonte herë pas here, gazetarin dhe shkrimtarin shqiptaro-amerikan Shefqet Meko. Ai nuk ngurron të shkruajë as për vështirësitë e shtypshkrimit me germa plumbi, as për ecjen në këmbë pas mezit të natës, pas shtypjes së gazetës, bashkë me Shefqetin, nga Poligrafiku (qendra botërore e bektashizmit) te lagja “Ali Demi” deri te Universiteti Bujqësor në Kamëz. Çfarë sakrifice ! Kur e krahason me ditët e sotme, kur disa shkojnë me veturë të marrin bukën nga shtëpia te furra e lagjes. Le të kthehemi te udhëtimi magjik në disa shtete të ShBA-së, që siç shprehet autori ishte diçka që shpesh, fjala nuk ka fuqinë ta rrëfejë. “Në Dakota u frymëzova nga gurët, që ruajnë kujtesën e një kombi. Në Arizona ndala frymëmarrjen para madhështisë së kanioneve. Në Nevada humba më dritat që duken të pavërteta. Në Teksas ndjeva gjurmët e historisë. Dhe në Kaliforni e pashë jetën si një film që nuk do të doja të mbaronte.”
Udhëtimi fillon nga Shqipëria në Minesota dhe vazhdon më tej në Dakotën e Jugut, në Utah, në Nevada, në Las Vegas, në Arizonë, në Teksas, në Dallas, në Misuri e Misisipi, në San Francisko, San Hose, El Granada, San Diego, Los Angelos, një ditë edhe në Kanada, plot tre javë udhëtime të këndshme me “Shevroletin” dhe shoferin në dispozicion, mikun për kokë Shefqet Meko. Nuk dua të zbuloj magjinë e këtij udhëtimi dhe përshkrimin me shpirt të autorit, por do të ja lë lexuesit që ta shijojë nga ky libër. Udhëtimi i vërtetë është ai që vazhdon të jetojë brenda nesh edhe pasi rruga ka mbaruar, shkruan autori Ahmet Prençi. Dhe ky libër, ky udhëtim e shoqëron lexuesin edhe pas mbarimit të leximit të librit.







