nga Bujar Leskaj
Sot bëhen 50 vjet nga dënimi monstruoz që diktatura hoxhiste u bëri intelektualëve, trurit dhe inteligjencës së naftës shqiptare në vitet ’70 ( ’74-’76). Më 17.6.1976, Gjykata e Lartë dha vendimet kundër inxhinierëve të naftës, në një proces të inskenuar kundër elitës profesionale të kohës. Shkencëtarët Koço Plaku dhe Milto Gjikopulli u dënuan me vdekje. Nuredin Skrapari, Filip Nashi, Beqir Alia, Protoko Murati, Dhimitër Stefa dhe Jani Konomi, u dënuan me burgime të gjata. Tragjedia e të ashtuquajturve sabotatorë apo grupe armiqësore, që në realitet përbënte një gjenocid ndaj inteligjencës së naftës, fillon me dënimin e dijetarit dhe gjeologut të shquar polak, Stanislav Zuber, në vitin 1947. Profesor Zuber la si trashëgimi një hartë gjeologjike dhe tektonike të Shqipërisë, të punuar deri në detaje, e cila përdoret edhe sot nga gjeologët tanë. Me puset që projektoi në Kuçovë në vitin 1928 dhe në Patos në vitin 1942, ai arriti të nxirrte naftë industriale në zonat ranore. Me ardhjen në pushtet të regjimit komunist, Stanislav Zyber u arrestua si agjent i italianëve dhe ndërroi jetë në burg nga dhuna e gardianëve, në mënyrën më çnjerëzore. Megjithatë, puna në gjeologji vazhdoi mbi bazën e hartave dhe studimeve të tij, duke sjellë zbulimin e vendburimeve të mineraleve e hidrokarbureve, madje edhe të ujërave të pijshëm. Në këtë kohë (viti 1947), u dënua grupi i parë i inteligjencës së naftës, ku bënin pjesë personalitete si profesor Stanislav Zuber dhe inxhinierët Riza Alizoti e Thoma Pojani.
Ekonomia kërkonte naftë dhe prishja e marrëdhënieve me Kinën e rëndonte më shumë problemin. Atëherë, krimineli Enver Hoxha rishpiku ekzistencën e grupeve armiqësore në naftë dhe, si ndodhi në vitin 1947, “zbuloi”grupin e dytë armiqësor në naftë
Në librin e tij-amanet për tragjedinë e inteligjencës së naftës, inxhinieri dhe gjeologu i shquar Nuredin Skrapari dokumenton arrestimin dhe dënimin që iu bë grupit të dytë të inteligjencës së naftës në vitet ’70. Libri me titull “Tragjedia e Inteligjencës së Naftës” shquhet për vërtetësinë, faktet e shumta, demaskimin e regjimit komunist, humanizmin e thellë dhe qëndrimin burrëror e atdhetar të shumicës së shkencëtarëve dhe specialistëve që bënë të mundur zbulimin e vendburimeve të reja të naftës në Shqipëri. Pas largimit të specialistëve rusë në vitin 1961, gjeologët shqiptarë arritën të zbulonin tre vendburime të reja: në Visokë, Patos (1963), Ballsh (1964) dhe Gorisht (1967). Sipas Nuredin Skraparit, autor i këtyre zbulimeve me vlerë të jashtëzakonshme për ekonominë shqiptare ishte ing.Koço Plaku, i mbështetur nga kolegët e tij inxhinierë nafte dhe gjeologë Milto Gjikopulli, Beqir Aliaj, Protoko Murati, Dhimitër Stefa, Jani Konomi, akademik Teki Biçoku, Kadri Rama, Nuredin Skrapari, Thanas Nasto, Niko Goxhobashi etj. (shih faqet 77–78 të librit), të cilët më vonë u arrestuan dhe u dënuan si sabotatorë. Në vitin 1970, prodhimi i naftës po i afrohej 2 milionë tonëve, fakt ky që argumentohet edhe nga shumë intelektualë të tjerë. Nuredin Skrapari shkruan: “Diktatori Enver Hoxha, në fillim të marsit 1975, priti në një takim prej 10 minutash drejtuesit kryesorë të naftës: Lipe Nashin, Drejtor i Përgjithshëm i Naftës; Beqir Alinë, Drejtor i Institutit të Naftës; si dhe gjeologët Protoko Murati, Milto Gjikopulli dhe Koço Plaku…” (fq. 32). Në libër intelektuali Nuredin Skrapari argumenton faktin se Enver Hoxha ishte mosbesues ndaj specialistëve të naftës dhe kjo u kuptua nga fjalët që ai kishte mërmëritur në takim me specialistët e naftës: “O planin, o xhanin!” Në atë kohë, Byroja Politike, në vazhdën e inskenimit të goditjes së intelektualëve të naftës përhapte tezën famëkeqe se: “Shqipëria lundron mbi naftë, por nuk ka specialistë që ta zbulojnë.” Në librin e tij, Nuredin Skrapari shkruan: “Më 15 mars 1974 u arrestova në mënyrë publike. Jeta ime u përmbys plotësisht. Më 25 mars 1975 arrestohen Lipe Nashi, Beqir Alia, Protoko Murati, Milto Gjikopulli dhe Koço Plaku. Katër muaj më parë, më 29 nëntor 1974, Lipe Nashi dhe Koço Plaku kishin marrë titullin ‘Hero i Punës Socialiste’.” Kjo fushatë arrestimesh vazhdoi me dhjetëra specialistë të tjerë, ndër më të mirët dhe më të aftët në kërkimin dhe nxjerrjen e naftës. Numri i të arrestuarve kaloi 80 persona. Absurdi i procesit arriti kulmin kur persekutorët e kohës deklaruan: “Vendburimet e naftës nuk i keni zbuluar ju, armiq dhe sabotatorë, por Partia dhe shoku Enver.” E gjithë kjo i ngjante një gjyqi mesjetar të inkuizicionit. Pasuan vite të gjata vuajtjesh për ata shkencëtarë dhe specialistë që kishin qenë krenaria e inteligjencës shqiptare. Akuzat ishin të rënda: agjentë të shërbimeve të huaja që, sipas regjimit, sabotonin ekonominë shqiptare dhe pengonin ndërtimin e socializmit. Persekutorët e intelektualëve të naftës, gjyqtarët dhe prokurorët e vërtetë të këtij procesi, ishin diktatorët Enver Hoxha, Mehmet Shehu, si dhe ekzekutorët Haki Toska ,Adil Carcani, etj.
Përndjekja e inteligjencës nuk ndaloi. Për ironi, në vitin 1977 u arrestuan ministrat Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela dhe Vasil Kati, të akuzuar si sabotatorë , të cilët u dënuan me vdekje ose me burgime të gjata. Më 1986 u arrestua grupi i tretë i ashtuquajtur armiqësor, ku përfshiheshin inxhinierët e shquar Petraq Xhaçka, Enriko Veizi, Mynyr Arapi, Petrit Sadushi dhe Luan Këlliçi, të gjithë me grada shkencore, persekucion që udhëhiqej nga diktatura komuniste e Ramiz Alisë. Në librin e tij, intelektuali Nuredin Skrapari argumenton me të drejtë dhe vërtetësi se goditja e inteligjencës së naftës, nga Stanislav Zuber në vitin 1947 deri te Koço Plaku në vitin 1976 e më pas te dhjetëra specialistë të tjerë, buronte nga frika dhe pasiguria e regjimit përballë dijes dhe profesionalizmit të tyre. Dhe mbi të gjitha diktatura kriminale hoxhiste.
Është për të ardhur keq ,plagë e madhe kombëtare ,që gjatë viteve të tejzgjatura të tranzicionit, burimet minerare dhe ato të naftës në Shqipëri nuk janë shfrytëzuar në mënyrë të qëndrueshme ( më saktë janë keqshfrytëzuar e grabitur)dhe në interes të zhvillimit afatgjatë të vendit, si pasojë e korrupsionit, keqmenaxhimit dhe mungesës së transparences në administrimin e pasurive natyrore, veçanërisht në pas viteve ‘90.Një pjesë e konsiderueshme e këtyre burimeve janë keqpërdorur, pa sjellë përfitimet e pritshme ekonomike dhe sociale për qytetarët, janë grabitur nga kompani të huaja mafioze.
Ky postim vjen si një homazh për intelektualët dhe specialistët e naftës në Shqipëri para viteve ’90, të cilët u persekutuan, u dënuan dhe u pushkatuan nga regjimi komunist i udhëhequr nga Enver Hoxha.
Sot ne përkulemi me respekt dhe mirënjohje për ata që i dhanë atdheut arin e zi, me studimet dhe punën e tyre i dhanë ekonomis së vendit miljona e miljona dollar naftê apo gaz. U burgosën, u vranë por nuk u gjunjëzuan!
Duke filluar nga i madhi Stanislav Zyber, inxhinier Riza Fejzi Alizoti, Koço Plaku e Milto Gjikopulli të pushkatuar nga diktatura ( në vitet 1947 dhe 1976) për të vazhduar me Nuredin Skraparin, Filip Nashin, Beqir Aliajn, Protoko Muratin, Jani Konomin, Dhimitër Stefan (të dënuar në mesin e viteve 70) dhe me Enriko Veizin e të tjerët të dënuar në mesin e viteve 80.
I paharruar kujtimi i tyre !
V.O Nderim e respekte për z.Josif Koço Plaku dhe zj. Elisabeta Skrapari, motra e gjeologut të shquar Nuredin Skrapari
v.o
Këtë postim, kushtuar ajkës së inteligjencës së naftës shqiptare, ua dedikoi në vecanti, motrës së gjeologut të talentuar demokrat Nuredin Skrapari, zonjës Elisabeta Skrapari; si dhe djalit të personalitetit, intelektualit të shquar të naftës shqiptare Koco Plaku, zotit Josif Plaku. Njëkohësisht nëpërmjet këtij postimi shpreh respekt dhe mirënjohje për të gjithë familjarët e personaliteteve të naftës shqiptare, të cilët përballuan pasojat e rënda të persekutimit dhe ruajtën me dinjitet kujtimin e kontributit të tyre në zhvillimin e vendit.







