Një 39-vjeçare është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se punësohej përkohësisht në subjekte të ndryshme me qëllim vjedhjen e xhirove ditore.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Skema”, të zhvilluar nga Komisariatet e Policisë Nr. 1 dhe Nr. 2, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, janë dokumentuar deri tani pesë raste vjedhjesh.
Sipas policisë, K. Z., banuese në Tiranë, punësohej në subjekte të ndryshme dhe, pasi përfitonte mundësinë për të pasur akses te xhiroja ditore, dyshohet se kryente vjedhjen dhe largohej.
39-vjeçarja u kap në ambientet e një lokali në Tiranë nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, pasi ishte shpallur në kërkim.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e rasteve të tjera ku ajo mund të jetë e përfshirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.







