Një rast jashtëzakonisht i rrallë është regjistruar në provincën e Salernos në Itali, ku ka ardhur në jetë një vajzë e quajtur Francesca Pia nga një nënë në moshën 59-vjeçare dhe babai 70-vjeçar. Lindja u realizua në një strukturë shëndetësore në zonën e Salernos, ndërsa e gjithë shtatzënia dhe lindja u ndoqën nga ekipi mjekësor i gjinekologut Mario Polichetti, i specializuar në trajtimet e riprodhimit të asistuar.
Vogëlushja ka lindur në gjendje të mirë shëndetësore, me një peshë prej 2.4 kilogramësh. Sot, ajo peshon rreth 4.5 kilogramë dhe sipas mjekut po rritet normalisht. “Jemi përballë një rasti vërtet të jashtëzakonshëm, sepse arritja e një konceptimi në moshën 59-vjeçare përbën një ngjarje jashtëzakonisht të rrallë. Për ne është një kënaqësi e madhe që kemi ndjekur këtë rrugëtim deri në lindjen e një vajze që sot është mirë dhe po rritet normalisht”, deklaroi Polichetti.







